Lajme

Dhjetëra marrëveshje, Kina “zapton” minierat

Kina po blen miniera. Në dekadën e fundit, Pekini nuk ka bërë kurrë kaq shumë blerje mineralesh sa në vitin 2024, kur, sipas një analize nga S &P dhe Mergermarket, Dragoi ishte protagonisti i 10 marrëveshjeve me vlerë më shumë se 100 milionë dollarë, më i larti që nga viti 2013. Një hulumtim i veçantë nga Griffith Asia Institute zbuloi se viti i kaluar “ishte viti më aktiv për investimet kineze në miniera dhe ndërtime jashtë vendit që nga viti 2013”. Kjo ofensivë kineze për blerjen e minierave nuk është thjesht një betejë për tokën apo metalet, por për fuqinë ekonomike të shekullit XXI. Litiumi, kobalti, bakri apo metalet e rralla nuk janë më thjesht elementë në tabelën periodike, ato janë lënda e parë e energjisë së gjelbër, e baterive të makinave elektrike, e telefonëve inteligjentë dhe armëve të avancuara. Kontrolli mbi këto burime do të thotë kontroll mbi të ardhmen. Arsyeja? Qeveria kineze thuhet se po mbyll marrëveshje pas marrëveshjeje me qëllimin për të siguruar kontrollin e burimeve dhe lëndëve të para që mbështesin ekonominë globale përballë tensionit në rritje gjeopolitik me SHBA-në dhe Perëndimin.

Marrëveshjet e fundit

Siç shpjegoi “Financial Times”, kërkesa e madhe e Kinës për lëndë të para, konsumatori më i madh në botë i pothuajse të gjitha mineraleve, do të thotë që kompanitë e saj të minierave kanë një histori të gjatë investimi jashtë vendit. Analistët dhe investitorët besojnë se rritja e marrëveshjeve në vitin 2024, më e larta që nga viti 2013, pasqyron pjesërisht përpjekjet e Pekinit për t’iu paraprirë një klime gjeopolitike që po përkeqësohet. Siç shpjegoi Michael Scherb, themeluesi i grupit të kapitalit privat Appian Capital Advisory, ka pasur “më shumë aktivitet në 12 muajt e fundit sepse grupet kineze besojnë se kanë këtë dritare mundësie afatshkurtër. Ata po përpiqen të bëjnë shumë bashkime dhe blerje përpara se situata gjeopolitike të vështirësohet”.

“Zaptimi” i minierave

Trendi ka vazhduar deri në fillim të vitit 2025. Një shembull? Zijin Mining e Kinës njoftoi planet për të blerë një minierë ari në Kazakistan për 1.2 miliardë dollarë. Në prill, Appian shiti minierën e saj të bakrit dhe arit Mineracao Vale Verde në Brazil te Baiyin Nonferrous Group i Kinës për 420 milionë dollarë. “Ka të ngjarë të vazhdojmë të shohim një nivel të shëndetshëm të aktivitetit të nënshkrimit të marrëveshjeve nga kompanitë kineze të minierave gjatë viteve të ardhshme”, shtoi Richard Horrocks-Taylor, kreu global i metaleve dhe minierave në Standard Chartered. Kjo është në përputhje me zhvendosjen e Kinës drejt prodhimit me teknologji të lartë, duke përfshirë bateritë dhe burimet e rinovueshme, dhe pasqyron faktin se investitorët kinezë janë bërë më të sofistikuar në qasjen e tyre ndaj marrëveshjeve globale.

Strategjia e Pekinit

Argumenti është i thjeshtë. Kina dominon përpunimin e shumicës së mineraleve thelbësore, duke përfshirë metalet e rralla, litiumin dhe kobaltin, por ajo duhet të importojë shumë nga lëndët e para. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane po përpiqen të zvogëlojnë varësinë e tyre nga Pekini për këto metale, të cilat janë thelbësore për gjithçka, nga bateritë e automjeteve elektrike te gjysmëpërçuesit dhe turbinat me erë dhe të zhvillojnë zinxhirë furnizimi alternativë. Ndër grupet më aktive të minierave kineze në marrëveshjet e huaja janë CMOC, MMG dhe Zijin Mining e lartpërmendura. Në të njëjtën kohë, institucionet financiare kineze kanë ofruar miliarda dollarë kredi për të financuar projekte të nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve në vendet në zhvillim. Po ashtu disa qeveri afrikane janë përpjekur të marrin kontrollin e burimeve minerale perëndimore dhe të kërkojnë honorare më të larta. Kompanitë kineze shpesh janë të gatshme të pranojnë marrëveshje më pak fitimprurëse në këmbim të mundësisë së marrjes përsipër të menaxhimit të burimeve.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png