Deputetja finlandeze Anna Kontula ka treguar publikisht për herë të parë se ka punuar si prostitutë përpara se të hynte në politikë.
Në një intervistë për gazetën Helsingin Sanomat, Kontula, sot 48 vjeç dhe në mandatin e saj të katërt në parlament, tha se e nisi këtë punë në moshën 16-vjeçare, për arsye financiare dhe kureshtjeje. “Doja të përballoja jetesën dhe kjo ishte një zgjidhje racionale,” u shpreh ajo.
Ajo u përfshi në industrinë e seksit për gati dy dekada me ndërprerje dhe u bë një zë i hapur për të drejtat e punonjëseve të seksit. Në vitin 2002, bashkëthemeloi sindikatën e punonjësve të seksit SALLI dhe botoi shkrime që sfidonin paragjykimet shoqërore.
Kontula ka qenë një nga kritiket e ligjit të vitit 2006 që kufizoi pjesërisht blerjen e shërbimeve seksuale, por e ka parë si hap përpara pasi përfshinte mbrojtje për viktimat e trafikimit.
Së fundmi, deputetja ka deklaruar se nuk do të kandidojë sërish dhe po përgatitet të punojë si asistente sociale, duke dhënë edukim mbi seksin e sigurt.
Rrëfimi i saj ka ndezur debat në Finlandë. Disa e kanë përshëndetur për guximin, ndërsa të tjerë, si psikologia ligjore Pia Puolakka, e kanë kritikuar për normalizimin e punës seksuale. “Detyra e një shteti të qytetëruar është të sigurojë kushte ku askush nuk detyrohet të shesë intimitetin e tij,” shkroi ajo në një opinion.
Prostitucioni është i ligjshëm në Finlandë me disa kufizime, por që nga viti 2006 blerja e shërbimeve seksuale nga të mitur ose viktima të trafikimit është e paligjshme.