Lajme

Çmimet rrisin qarkullimin, jo edhe konsumin

Shkup – Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) ka publikuar të dhënat më të fundit për indekset e qarkullimit në sektorin e tregtisë për muajin gusht 2025. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, vërehet se tregtia me pakicë shënon rritje të kufizuar reale, ndërkohë që në aspektin nominal shifrat janë dukshëm më të larta. Ky dallim tregon se një pjesë e mirë e rritjes së qarkullimit buron nga çmimet më të larta dhe jo domosdoshmërisht nga sasia më e madhe e produkteve të shitura, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave, në grupin e ushqimit, pijeve dhe duhanit është regjistruar një rritje prej 11.2 për qind në terma nominalë, ndërsa në terma realë rritja është 3.8 për qind. Kjo do të thotë se vlera e shitjeve ka qenë më e lartë kryesisht për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazë, ndërsa sasitë e shitura janë rritur më ngadalë.

Në anën tjetër, te produktet jo-ushqimore përveç karburantit, dinamika është krejt ndryshe. Shifrat tregojnë se xhiroja nominale është rritur shumë pak, vetëm me 0.3 për qind, ndërsa në terma realë ka rënie prej 3.7 për qind. Ky ndryshim pasqyron faktin se konsumatorët kanë ulur blerjet e produkteve jo të domosdoshme, duke i orientuar shpenzimet e tyre drejt kategorive bazike, për shkak të presionit të çmimeve në treg.

Nëse shihet tregtia me pakicë në tërësi, pa përfshirë karburantet, rritja nominale arrin gjashtë për qind, por në aspektin real ka vetëm 0.2 për qind, çka praktikisht tregon ngecje. Kjo përputhet me tendencat e muajve të fundit, ku familjet arrijnë të shpenzojnë më shumë para për të njëjtat produkte, por jo sepse konsumojnë më shumë, por për shkak se përballen me çmime më të larta.

Një segment i veçantë është tregtia me pakicë e karburanteve për automjete. Në gusht, ajo ka shënuar një rritje reale prej 4.8 për qind, ndërkohë që në terma nominalë është regjistruar një ulje e lehtë prej 0.4 për qind. Kjo nënkupton se çmimet e karburanteve kanë qenë më të ulëta krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, por për shkak të çmimeve më të favorshme, konsumi ka qenë më i lartë. Në këtë rast, ndikimi i luhatjeve të çmimeve është i qartë: qytetarët kanë blerë më shumë sasi, por e kanë paguar më lirë në vlerë monetare.

Ndryshe, të dhënat e ESHS-së pasqyrojnë një pamje të dyfishtë të tregtisë me pakicë në vend. Nga njëra anë, produktet bazë si ushqimi dhe pijet po mbajnë gjallë xhiron, por kjo vjen kryesisht si pasojë e çmimeve më të larta. Nga ana tjetër, produktet jo të domosdoshme kanë rënie të kërkesës, gjë që tregon kujdesin dhe kufizimet e konsumatorëve në shpenzime. Në të njëjtën kohë, tregtia e karburanteve reflekton një dinamikë të veçantë, ku ulja e çmimeve ka nxitur rritjen e konsumit real. (koha.mk)

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png