Çmimi i naftës në bursat botërore arriti në 115 dollarë për fuçi. Nafta ka shënuar rritje prej 59% vetëm këtë muaj, që përbën rritjen më të madhe mujore që nga Lufta e Gjirit në vitin 1990. Kjo rritje e çmimit vjen si pasojë e mbylljes së ngushticës së Hormuzit, e cila është kyçe për transportin e rezervave botërore të naftës dhe gazit. Ekspertët botërorë paralajmërojnë se, nëse ngushtica mbetet e mbyllur edhe një muaj, mund të ndodhë krizë serioze, ku çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi.
“Megjithëse Donald Tramp pretendon se janë shumë afër një marrëveshjeje me Iranin dhe se do të kontrollojë prodhimin e naftës, realiteti është se pothuajse askush nuk beson. Tregu e tregon këtë, pasi çmimi i naftës së papërpunuar vazhdon të rritet. Disa analistë thonë se nëse ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur edhe një muaj, mund të ndodhë kaos, pasi çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi. Kjo do të ishte skenari më i keq i mundshëm. Në një rast të tillë, ekonomia globale do të hynte në recesion, nga i cili do të duheshin vite për t’u rikuperuar”, deklaroi Francis Lun, Ekspert.
Ndërkohë, çmimi i naftës në vend është 92,5 denarë, pas zbritjes së miratuar nga “Okta”. Kompania u dha një zbritje prej tre denarësh kompanive që furnizohen me karburant prej saj. Komisioni Rregullator një ditë më parë uli shpenzimin e transportit deri në depo për gjysmë denari, me qëllim që të parandalohet rritje e re e çmimit të dizelit këtë javë. Ndaj vendimit reaguan disa pompa benzine, duke vlerësuar se është marrë pa konsultim paraprak me ta.
Zbritja është e vlefshme deri më 6 prill, pas së cilës mbetet e pasigurt se sa do të jetë rritja e çmimit të naftës, sidomos duke pasur parasysh që çmimet në bursat botërore arrijnë rekorde. Nga Qeveria kanë paralajmëruar se nëse është e nevojshme do të ndërhyjnë me uljen e akcizës, si dhe me kufizimin e marzhave për kompanitë, me qëllim që të zbutet tronditja e mundshme e çmimeve./ Alsat.mk.

