Guvernatori i Bankës Kombëtare, Trajko Sllavevski thotë se është i shqetësuar për lëvizjet spekulative në treg. Aktualisht po bëhen analiza për të parë arsyet, por akoma nuk dihet se çilat do të jenë masat që do të zbusin rritjen e tillë të çmimeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup – Çmimet e pasurive të paluajtshme, sipas të dhënave nga Banka Kombëtare, u rritën me 22.3 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Në tremujorin e mëparshëm, çmimet u rritën me 22.6 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Në Shkup vështirë se mund të gjendet banesa edhe të vjetra nën 1000 euro, ndërsa ato të reja arrijnë çmimet edhe prej 3000 euro.
Nga Banka Popullore thonë se do të merren masa për të stabilizuar çmimet e apartamenteve. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski thotë se është i shqetësuar për lëvizjet spekulative në treg. Aktualisht po bëhen analiza për të parë arsyet, por akoma nuk dihet se cilat do të jenë masat që do të zbusin rritjen e tillë të çmimeve.
“Aktualisht po kryejmë analiza serioze të rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme, veçanërisht të apartamenteve, dhe po përgatisim disa masa për të cilat do të informoheni në të ardhmen, sepse sipas këtyre matjeve, ju tashmë e dini shifrën më të fundit për rritjen e çmimeve të apartamenteve, dhe kjo është tashmë një shkak për shqetësim”, tha Guvernatori i ri i Bankës Popullore, Sllavevski.
Ekspertët e kësaj fushe thonë se në parim tregu dikton çmimet dhe për sa kohë që ka kërkesë, çmimet do të rriten. Kompanitë e ndërtimit bien dakord: se kostot e materialeve dhe të punës janë rritur, si dhe kufizimet e ndërtimit apo ndalesa për ndërtim në disa komuna në Shkup i kanë shtyrë çmimet edhe më lart. Sipas situatës së tregut, ndërtuesit nuk presin rënie të çmimeve së shpejti.
“Për momentin, nuk mund të pritet një çmim më i ulët, dhe kjo për një arsye të vetme: në komunat me aktivitete të mëdha transaksionesh, kërkesa është shumë më e lartë se oferta, për sa kohë që kërkesa është e lartë, nuk mund të pritet stabilizim… Për momentin, sipas të dhënave të fundit statistikore, ende shoh se ka një rritje të lehtë të çmimeve të apartamenteve, e cila ndjek trendin e viteve të kaluara, por tani është më e ngadaltë dhe është për shkak të kërkesës më të ulët “, thotë Andrea Serafimoski nga Oda e Shoqatës së Ndërtimit, Industrisë së Materialeve Ndërtimore.
Megjithatë, sipas tij, ekziston një mospërputhje midis statistikave dhe situatës reale në terren – shitësit shpesh vendosin çmimin më të lartë të mundshëm për të testuar interesin dhe fuqinë paguese të blerësve.
Gjithashtu, për shkak se vlera e parasë po bie, qytetarët po blejnë apartamente sepse mendojnë se ai është një investim i sigurt. Në të njëjtën kohë, ekziston kërkesa e madhe për dhënien e banesave me qira, ku nuk mund të përfitoni aq shumë, ndërsa edhe qytetarët nga jashtë Shkupit janë blerësit kryesor të apartamente në kryeqendrën e vendit.
Ekonomistët theksojnë se “investimi” i parave të tepërta në pasuri të paluajtshme, ose mungesa e ideve për investimin dhe “mbajtjen” e parave në apartamente që mund të jepen me qira, por që konsiderohen një investim i sigurt që nuk humbet vlerë, është një nga arsyet që kontribuojnë në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Për shkak të normave të ulëta të interesit për depozitat, shumë qytetarë, në vend që t’i lënë paratë e tyre në banka, blejnë apartamente, të cilat më pas i japin me qira ose i mbajnë për anëtarët e familjes. Sipas ekspertëve, ata qytetarë që nuk kanë mjaftueshëm për të paguar apartamentet i kombinojnë ato me kredi, por së bashku kontribuojnë në një rritje të re të çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Njëherësh, vlerësohet se metër katrori në Shkup është shtrenjtuar sepse vendet tërheqëse për ndërtim janë zvogëluar. Pronarët e parcelave kanë rritur çmimet dhe po kërkojnë që investitorët t’u japin atyre 30 deri në 35 për qind të sipërfaqes së ndërtuar. Përveç kësaj, kërkesa e lartë për apartamente po e mban ende të lartë çmimin për metër katror, shpjegojnë ekspertët.
Ish-kryetari i Shoqatës së ndërtimit, Nikola Vellkovski, thotë se ka të ngjarë të ketë një marrëveshje joformale midis investitorëve që ndërtojnë apartamente duke vendosur çmimet.
“Nuk besoj se ka ndonjë marrëveshje zyrtare, por ata e njohin njëri-tjetrin, kush po ndërton në cilin rajon, dhe biseda joformale si – ‘mbajeni këtë çmim, unë po ndërtoj këtu në lagje dhe do ta mbaj atë çmim’, kjo ishte aty dhe besoj se do të vazhdojë të jetë aty. Ata ndjekin njëri-tjetrin dhe i mbajnë çmimet e tyre.
Ngjashëm me shitësit e tregut në një tezgë, ata do ta mbajnë çmimin derisa të ketë ulje çmimesh, kur nuk ka ulje çmimesh, njëri prej tyre do ta ulë atë”, thotë Velkovski.
Sipas Vellkovskit, kompanitë e ndërtimit nuk kanë përparësi në ndërtimin e ndërtesave të banimit, por individë që shfaqen si investitorë, të cilët ofrojnë apartamente në këmbim të tokës dhe që kërkojnë pagesën e plotë nga blerësit edhe para se të ndërtohet ndërtesa.
“Unë i quaj ndërtues, investitorë individualë që panë mundësinë më të mirë për fitim me këto çmime. Pronarët e parcelave të ndërtimit panë që kontraktorët po fitonin shumë dhe rritën kushtet, kështu që hyjnë me ndërtim të përbashkët ose me një përqindje të rritur të pjesëmarrjes, e cila ka arritur në 40 për qind të asaj që duhet të heqin dorë”, thotë Vellkovski.
Ndryshe, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, në periudhën 2020-2023, lejet e ndërtimit janë lëshuar për gjithsej 33.023 apartamente: 6.210 në vitin 2020, 11.946 në vitin 2021, 7.002 në vitin 2022 dhe 7.865 në vitin 2023. Prej tyre 16.341 apartamentesh për të cilat janë lëshuar leje ndërtimi ndodhen në Shkup.(koha.mk)