Lajme

Çfarë thotë Revizori për harxhimin e parave të partive kryesore politike për vitin 2024?

Enti Shtetëror i Revizionit sot i publikoi raportet përfundimtare të auditimit për pasqyrat financiare, së bashku me auditimin e pajtueshmërisë së llogarive për punë të rregullt në vitin 2024 të partive politike BDI, VMRO-DPMNE, LSDM, Levica dhe Alternativa.

Siç thuhet, për BDI-në, EShR shpreh opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare dhe për pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe politikat e vendosura.

Me auditimin e kryer për vitin 2024 EShR ka konstatuar se faturat hyrëse nga furnizuesit nuk arkivohen në momentin e pranimit për të vërtetuar se janë regjistruar në mënyrë kronologjike në librat afaristë, janë paguar shpenzime materiale mbi bazë të faturave për të cilat nuk është siguruar dokumentacion mbështetës dhe gjatë vitit 2024 janë paguar mjete për anëtarësi mbi limitin e lejuar me ligj, gjendje për të cilën revizori shtetëror i autorizuar ka njoftuar vazhdimisht edhe në raportet përfundimtare të viteve të kaluara. Gjithashtu, qendra partiake kërkimore-analitike nuk ka qenë e pajisur në mënyrë adekuate me staf, gjendje e cila është tejkaluar në vitin 2025.

Nga personi përgjegjës i subjektit nuk janë marrë vërejtje për draft-raportin me numër 13 – 160/3 nga data 17.10.2025 – thesojnë nga EShR.

Në raportin për VMRO-DPMNE thuhet se auditimi ka përfshirë edhe zbatimin e rekomandimit të dhënë në raportin përfundimtar për vitin 2023, me ç’rast është konstatuar se ai nuk është zbatuar për shkak se zbatimi i tij varet nga përfundimi i një procedure gjyqësore.

Gjatë auditimit për vitin 2024 është konstatuar gjendje që ka të bëjë me ndalimin e përkohshëm të disponueshmërisë me një pjesë të pasurisë së partisë përmes një procedure të hapur, për çka revizori ka njoftuar edhe në raportin për vitin 2023.

Gjatë periudhës së raportimit është sjellë vendim gjyqësor me të cilin propozimi për heqjen e masave të përkohshme, të vërtetuara me vendimet paraprake, është pranuar pjesërisht.

Për gjendjen e konstatuar është dhënë rekomandim deri te personat përgjegjës për tejkalimin e të njëjtës, thuhet në raportin e EShR-së.

Në raport, në pjesën e theksimit të çështjeve janë bërë publike të dhëna për strukturën e të hyrave dhe shpenzimeve në vitet 2023 dhe 2024 si dhe të dhëna për detyrimet e papaguara ndaj furnizuesve.

Nga VMRO-DPMNE nuk janë pranuar raporte për draft-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror.

Në raportin për LSDM thuhet se është përfshirë edhe kontrolli i zbatimit të rekomandimit të dhënë për vitin 2023 dhe është konstatuar se ai është në proces zbatimi.

Në fakt, për disa objekte ndërtimore të trashëguara nga subjekti juridik pararendës i partisë nuk është zgjidhur statusi pronësor, për çka ato nuk janë evidentuar në agjencinë kompetente dhe në evidencën kontabël të partisë, gjendje për të cilën revizori i autorizuar shtetëror raportoi edhe në raportet përfundimtare të viteve paraprake.

Konstatuam se personat përgjegjës po ndërmarrin aktivitete për tejkalimin e kësaj gjendjeje dhe është dhënë rekomandim për vazhdimin e tyre, me qëllim të tejkalimit të tyre, thuhet më tutjë në raport.

Në pjesën e theksimit të çështjeve theksohet se edhe në vitin 2024 LSDM nuk ka realizuar të hyra nga anëtarësia, si dhe janë paraqitur të dhëna për strukturën e të hyrave sipas burimeve dhe shpenzimeve sipas destinimeve për vitet 2023 dhe 2024.

Për Levicën, EShR thekson se shpreh opinion pa rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2024 si dhe për pajtueshmërinë me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe politikat e vendosura. Në pjesën e theksimit të çështjeve është paraqitur struktura e të hyrave dhe shpenzimeve të partisë për vitet 2023 dhe 2024.

Për partinë Alternativa, ESHR shpreh opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe për pajtueshmërinë me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe politikat e vendosura.

Gjatë këtij auditimi u përfshi edhe zbatimi i rekomandimeve të revizorit për vitin 2023, ku është konstatuar se dy rekomandimet e dhëna për vitin 2023 janë zbatuar.

Megjithatë, gjatë auditimit për vitin 2024 janë konstatuar parregullsi në mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit, e cila nuk është në përputhje me Ligjin për kontabilitetin e organizatave jofitimprurëse, donacionet nga persona juridikë në formë zbritjeje për shërbime të përdorura nuk janë evidentuar në mënyrë të duhur, amortizimi i mjeteve fikse nuk është përllogaritur sipas normave të përcaktuara dhe nuk është përllogaritur rivlerësimi.

Auditorët kanë dhënë rekomandime për tejkalimin e këtyre gjendjeve dhe theksohet se edhe në vitin 2024 partia nuk ka realizuar të hyra nga anëtarësia. Gjendje për të cilën kanë raportuar edhe në vitin 2023 si dhe për strukturën e të hyrave dhe shpenzimeve për destinimet e viteve 2023 dhe 2024.

Në pjesën e çështjeve të tjera, në të gjitha raportet revizorët theksojnë dobësi në legjislacionin ekzistues dhe nevojën për rishqyrtimin e nenit 83 paragrafi 2 të Kodit Zgjedhor në pjesën e financimit të fushatës zgjedhore nga llogaria e rregullt e partisë politike në lidhje me nenin 88 të Kodit Zgjedhor, miratimin e udhëzimeve më konkrete për mënyrën e pagesës dhe evidentimit të anëtarësisë si burim financimi, rregullimin më të detajuar të afateve për planifikimin dhe shpërndarjen e mjeteve nga financimi i rregullt vjetor si dhe ndryshimin dhe plotësimin e akteve nënligjore për mbajtjen e kontabilitetit të organizatave jofitimprurëse me qëllim respektimin e plotë të parimit kontabël të “paraqitjes së modifikuar të ngjarjeve dhe transaksioneve afariste”.

Organet kompetente duhet të ndërmarrin aktivitete për tejkalimin e dobësive sistemore të konstatuara, theksojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

3sgIgLJ.png