Lajme

Ç’do të ndodhte me botën në rast të një apokalipsi bërthamor

Sulmet izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane e kanë rikthyer çështjen e luftës bërthamore në qendër të vëmendjes globale. Ekspertët shtrojnë pyetjen nëse Teherani mund të punojë fshehtas për ndërtimin e armëve bërthamore dhe nëse shtete të tjera mund të binden se blerja e këtyre armëve është e vetmja mënyrë për mbrojtje ndaj ndërhyrjeve të huaja. Kështu, fantazma e një përplasjeje bërthamore mes fuqive të mëdha po ringjallet. Që nga testet në Los Alamos, përpjekjet për të shmangur apokalipsin bërthamor kanë qenë të pandërprera, por frika mbetet. Gazeta Washington Post, me ndihmën e ekspertëve, ka rindërtuar minutë pas minute një skenar të një sulmi bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Çanta bërthamore”

Sipas skenarit, një armik i paspecifikuar lëshon raketa balistike ndërkontinentale. Satelitët e Forcave Hapësinore të SHBA i zbulojnë ato menjëherë. Brenda minutës së parë, të dhënat transmetohen në qendrat e komandës NORAD, STRATCOM dhe Pentagon. Pas tre deri në katër minuta, analistët vlerësojnë me një besueshmëri mesatare se SHBA është përballë një sulmi real. Pesë minuta pas nisjes së raketave, presidenti informohet ndërsa ndodhet në Air Force One. Komandanti i Stratcom i jep lajmin e keq: një sulm është në zhvillim. Aktivizohet çanta bërthamore (“topi i futbollit”), që përmban udhëzimet dhe opsionet për një kundërpërgjigje. Brenda dhomës së operacioneve ajrore mblidhen figurat kryesore të komandës ushtarake. Dhjetë minuta pas nisjes së sulmit, NORAD konfirmon se raketat janë në trajektore për të goditur SHBA brenda 12–15 minutash, edhe pse pikat e impaktit nuk janë identifikuar saktësisht. Presidenti informohet se lideri i shtetit armik nuk është i arritshëm dhe sugjerimet për kundërpërgjigje përfshijnë goditjen e selive komanduese, siloseve të raketave dhe bazave ushtarake.

Hakmarrja

Sekretari i Mbrojtjes e kujton presidentin se vendimi duhet marrë brenda dy minutash, përndryshe SHBA mund të humbasë mundësinë për hakmarrje. Brenda 18 minutash nga alarmi i parë, presidenti jep urdhrin për lëshimin e 300 raketave balistike, aktivizimin e bombarduesve dhe përgatitjen e nëndetëseve. Për të konfirmuar urdhrin, ai përdor kodin personal të njohur si “biskota bërthamore”. Brenda pak minutash, SHBA lëshon kundërpërgjigjen, por disa nga raketat e armikut tashmë godasin: silose në Dakotë, Montana, Nebraska, por edhe vetë Uashingtonin. Qendra politike dhe ushtarake e SHBA shkatërrohet: Shtëpia e Bardhë, Pentagoni, Kongresi dhe shumë të tjera. Brenda pak sekondash, qindra mijëra njerëz avullohen nga nxehtësia dhe vala goditëse.

Apokalipsi bërthamor

Vetëm tetë minuta pas shpërthimeve, apokalipsi bërthamor në Uashington gjeneroi re pluhuri dhe mbeturinash radioaktive që arritën deri në 12,000 metra në atmosferë. Ky material do të kthehet në Tokë në formën e mbetjeve radioaktive. Në varësi të erërave të larta të regjistruara në ditën e sulmit, efektet e shpërthimeve mund të arrijnë në disa zona në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Nju Jorkun. Kjo do të përkeqësohej më pas nga dëmet e shkaktuara nga shpërthimet në Shtetet e Bashkuara perëndimore. Simulimi katastrofik i Washington Post përfundoi më pak se një orë pasi filloi emergjenca, me ndikimin e raketave balistike amerikane në objektivat e armikut. Miliona vdekje dhe ndotje e sipërfaqeve të gjera të planetit janë ndër pasojat e një përplasjeje bërthamore midis dy fuqive. Tymi nga bombat do të bllokonte kalimin e dritës së diellit. Kështu do të fillonte një dimër bërthamor për planetin tonë. Sa i përket rezultatit të një lufte midis fuqive bërthamore, asnjë komb nuk do të dilte fitimtar.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png