Forumi për Ndryshime në Arsim ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Presidenca ka shpërndarë bursat “Boris Trajkovski” për studentët ku nuk ishte përfshirë asnjë student shqiptar pavarësisht që numri i bursave ishte 20. Blendi Hodai e cilësoi procesin si jo transparent dhe të pambështetur në kritere të qarta duke shtuar se pikërisht mungesa e informacionit ka hapur rrugë për aludime të shumta në opinion. Hodai i bëri thirrje çdo studenti që mendon se nuk është kualifikuar për shkak të etnisë apo ndonjë forme tjetër diskriminimi, të lajmërohet në mënyrë që rasti të dokumentohet dhe të kërkohet përgjegjësi.
“Jo rastësisht rasti I fundit me ndarjen e bursave nga presidentja e shtetit është një tjetër rast që na dëshmon se mos transparenca nga ana e këtyre institucioneve mund të na dërgoj deri në krijimin e aludimeve ,nga ana e qytetarëve në masë, të cilat mund të mos jenë aspak të vërteta megjithëse është detyrë e tyre që të jenë më transparent. Konsiderojmë që nëse ka ndonjë student që ka aplikuar, që ka qenë I diskriminuar për shkak të etnisë, që nuk I përket shumicës në vend, ne kërkojmë që të flasin, të na kontaktojnë në kuptimin që të shohim çfarë kanë qenë realisht diskriminimet brenda përzgjedhjes së bursave. Nëse është e vërtet, të gjitha aludimet që rrjedhin nga mos transparenca e presidencës në lidhje me ndarjen e bursave për 20 studentë, nëse janë të vërtetat kjo do të jetë turpi I radhës I Qeverisë momentale”, tha Blendi Hodai, FNA.
Në sqarimin e Ministrisë së Arsimit thuhet se këto janë bursa që janë dhënë për 22 vjet rresht dhe për të cilat gjithmonë shpallet një konkurs me kritere përzgjedhjeje të përcaktuara qartë. Përkatësia etnike e studentit nuk është ndër kriteret. Vlerësimi i aplikimeve kryhet nga një komision i përbërë nga nënshkruesit e protokollit për dhënien e këtyre bursave, MASH, Presidenti dhe City College nga Selaniku i cili bën përzgjedhjen përfundimtare, në përputhje me kriteret e Universitetit Jork dhe rregulloret ligjore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nuk kishte kandidatë me origjinë shqiptare të regjistruar për konkursin për vitin akademik 2025/26, prandaj Komisioni nuk mund të ketë qenë “diskriminues”. Dy kandidatë me përkatësi etnike shqiptare aplikuan për konkursin për vitin akademik 2024/25, nga të cilët 1 kandidat fitoi bursën, ndërsa i dyti nuk fitoi bursën sepse nuk e kaloi provimin e detyrueshëm të aftësisë në gjuhën angleze./Alsat.mk

