Shkup – Çmimet e bukës dhe miellit nuk do të jenë të qëndrueshme, ndërsa në pikëpyetje është blerja e grurit vendor prej 12 denarësh për kilogram, thonë mullisët në vend. Argumentet e tyre janë se përderisa po avancon korrja, cilësia e grurit zvogëlohet dhe përkeqësohet, duke u bërë i papërshtatshëm për prodhimin e miellit të bukës dhe përfundon ose për nevojat e fermerëve, blegtorëve ose për eksport si grurë ushqimor, dhe për këtë arsye ai është i papërshtatshëm për çmimin aktual të blerjes. Rënia e prodhimtarisë vendore të grurit dhe vartësia nga importi për bukë dhe miell është konfirmuar edhe nga Zyra evropiane e Statistikave
Maqedonia ka regjistruar rritjen e tretë më të lartë të çmimit të bukës në Evropë në pesë vitet e fundit, tregojnë të dhënat e Eurostat. Ata kanë monitoruar çmimin e bukës në vendet evropiane për pesë vitet e fundit dhe të dhënat tregojnë se gjatë asaj periudhe, buka në Maqedoni është rritur në çmim me 65 për qind.
Në ndërkohë, kryetari i Grupit të industrisë së mullisëve dhe furrave, Goran Malishiq, thekson se në ditët e fundit, gruri nuk i ka përmbushur kërkesat për konsum njerëzor, prandaj blerja do të reduktohet. Me vite, nevojat totale për mbulim të plotë të vendit janë rreth 300.000 ton grurë tregtar cilësor. Subvencionimi në Serbi i grurit dhe miellit nga njëra anë, rënia nga 160 mijë në 65 mijë e prodhimit vendor të grurit si dhe mos mbrojtja e prodhimit vendor po shkatërron drejtpërdrejt prodhimin vendas të grurit dhe miellit. Andaj në këto kohë të turbullta që nuk qetësohen, domethënë po përkeqësohen, nuk mund t’i kontrollojmë plotësisht çmimet pa prodhimin vendas të grurit dhe miellit shpjegon Malishiq.
“Ministria e Ekonomisë po shtyn për çmime më të ulëta, dhe Ministria e Bujqësisë po shtyn për çmime më të larta blerjeje. Nga ana tjetër, importet na diktojnë plotësisht gjithçka, dhe për këtë arsye, askush nuk mund të pretendojë asgjë me siguri, madje as që çmimet do të jenë të qëndrueshme. Të gjitha kostot e tjera – energjia, materialet e tjera, pagat bruto, etj. gjithashtu luajnë një rol të madh në çmime. Njerëzit tanë po largohen, shitjet tona po ulen mbi këtë bazë dhe kostot tona po rriten. Nuk ka të ardhme të ndritur për stabilizim nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, pa një plan për mbrojtje ose rritje të shitjeve”, u shpreh Malishiq.
Ai thekson edhe një herë rëndësinë e prodhimit vendas. Për më tepër shton se në Maqedoni, kishte rreth 79 mullinj që ushqenin popullsinë, dhe tani numri i tyre është zvogëluar në 9 deri në 10. “Shumica e tyre funksionojnë për nevojat e tyre (ata që kanë furra buke), dhe pjesa tjetër funksionon me 15-20 për qind të kapacitetit të tyre. Duhen marrë vendime serioze, sistemike për të mbrojtur prodhimin vendas, jo vendime populiste ose të përkohshme që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje”, është i prerë Malishiq.
Sipas tij, të gjitha vendet përreth në mënyra të ndryshme subvencionojnë ose mbrojnëindustrinë vendase të blojës si përparësi, gjë që nuk është rasti në vendin tonë.
“Është shumë e thjeshtë, për të rritur prodhimin vendas në bujqësi, ose blegtori, duhet të kesh një industri të fortë përpunuese që do të ushtrojë presion në treg dhe do të blejë lëndë të para vendase”, shpjegon Malishiq.
Ndryshe, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, viti 2005 ishte viti i fundit kur prodhimi vendas arriti sasinë e kërkuar.
Një përafrim i lehtë u vu re në vitin 2016 kur kishte 306 mijë ton, ndërsamesatarisht ka një rënie drastike. Në viti 2018, prodhimi i grurit ka qenë rreth 240 mijë ton. Nga 330 mijë ton të nevojshëm, rreth 250 mijë ton janë për prodhimin e miellit. Pjesa tjetër është për nevojat shtëpiake dhe blegtorinë.
Por mullinjtë zakonisht blejnë vetëm një pjesë të vogël të grurit të prodhuar në vend. Mullisët ankohen se cilësia e grurit vendas është e pakënaqshme. Mungesa plotësohet rregullisht nga importet e grurit ose miellit të gatshëm nga vendet fqinje, më shpesh nga Serbia.
“Në vitin 2012, si industri bloje, blemë 168 mijë ton grurë, që është e mjaftueshme për rreth 65 për qind të nevojave të vendit, pra po flasim për grurë vendas. Që atëherë, nuk kemi blerë më shumë se 65-80 mijë ton në vit, që plotëson 30 për qind të nevojave të tregut tonë dhe të vendit”, thonë nga Grupi i Industrisë së Mullirit dhe Furrave.
Gjithashtu, sipas raporteve të Entit Shtetëror të Statistikave dhe raporteve vjetore të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2016 në Maqedoni kishte diku rreth 80.000 hektarë me grurë, dhe në vitin 2022 sipërfaqet bien në 70.000 ha, që do të thotë 10.000 hektarë më pak. Në të njëjtin vit 2016 prodhuam 306.000 ton grurë, dhe në vitin 2022 diku rreth 224.000 ton grurë, që do të thotë se, përveç sipërfaqes, edhe sasia e grurit të prodhuar po zvogëlohet.
Është shqetësues fakti se numri i fermerëve të angazhuar në bujqësi po zvogëlohet në mënyrë drastike si në regjistra, por edhe në aktivitetet në terren të shkaktuar edhe nga çmimet e ulëta grumbulluese karshi ato prodhuese. Të dhënat e fundit tregojnë se 25.000 fermerë prodhojnë grurë në 70.000 hektarë me një prodhim total gruri prej rreth 200.000 tonësh. (koha.mk)