Lajme

Biznesi dhe demokracia s’mund të bashkëjetojnë

Shkruar nga Janan Ganesh – Financial Times

Ideja se njerëzit do të luftonin për parime është e huaj për homo economicus...

Një vit nuk mund të quhet i kaluar mirë nëse gjatë tij nuk ke ndryshuar mendje për diçka të rëndësishme. Nëse SHBA-të tani duket se e preferojnë Rusinë ndaj Evropës demokratike, është e rëndësishme të kuptohet saktësisht pse. Një teori është se konservatorët amerikanë tërhiqen nga nacionalizmi i krishterë i Rusisë. Por kjo vlen më shumë për lëvizjen më të gjerë MAGA sesa për vetë Donald Trumpin, i cili nuk është i dhënë pas ideve abstrakte, e aq më pak atyre shpirtërore. Një tjetër hamendësim është gjeopolitik: se ai dëshiron ta shkëpusë Rusinë nga Kina. Por Trump është larg të qenit në mënyrë të qëndrueshme anti-Kinë. Ai e ka lejuar Nvidian të eksportojë në Kinë çipin e saj H200.

Ai është më i pasigurt për mbrojtjen e Tajvanit sesa ka qenë ndonjëherë Joe Biden. Në gjithë zhurmën rreth pjesës së strategjisë së tij që lidhet me Evropën, butësia e qasjes së strategjisë së sigurisë kombëtare ndaj Kinës mbeti në hije. Trump ka një fiksim të ngushtë me marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, gjë që i acaron kolegët e tij, të cilët e shohin rivalitetin si strategjik dhe madje qytetërues.

Merrni në konsideratë një shpjegim më prozaik. Trump është një “kafshë tregtare”. Po ashtu edhe i dërguari i tij, Steve Witkoff. Me “kafshë tregtare” nuk nënkuptoj thjesht dikë nga sektori privat, siç është Mitt Romney, por dikë që e sheh gjithë botën përmes një lenteje biznesi. Po ta kuptosh këtë, prirja ndaj Rusisë bëhet e kuptueshme. Së pari, një paqe e shpejtë dhe miqësore me Kremlinin do të hapte derën për mundësi fitimi në një Rusi të pasur me burime.

Madje më shumë se kaq, vetë lufta duhet ta ngatërrojë mendësinë e një “kafshe tregtare”. Ideja se njerëzit do të luftonin për parime është e huaj për homo economicus. Një frazë që e kam dëgjuar shpesh nga njerëz të biznesit që prej vitit 2022 është “kjo luftë budallaqe”, sikur gjithçka të ishte një aksident apo keqkuptim, e jo zgjedhja e vetëdijshme e një shteti të pamëshirshëm.

Kjo shpjegon qasjen e Trumpit. Ai sinqerisht beson se lufta është një absurditet, që një palë e tretë me vizion të qartë mund ta rregullojë. Nëse ai ia ngarkon barrën Ukrainës, kjo ndodh sepse mbështetja e saj i kushton diçka SHBA-së, ndërsa Rusia jo, një tjetër llogaritje tregtare.

Një komentator politik duhet të shoqërohet me njerëz biznesi: për këndvështrimin e tyre origjinal, për përvojat e tyre ndërkombëtare, për shoqërinë e tyre (shpesh) më të këndshme. Por duke vepruar kështu, bëhet e dukshme edhe pika e tyre e verbër intelektuale: pamundësia për të kuptuar fanatizmin. Me këtë nënkuptoj një refuzim të mirëfilltë për të pranuar se një gjë e tillë ekziston realisht. Ka përjashtime, por njerëzit që duhet të jenë pragmatikë për të mbijetuar priren të supozojnë se gjithë bota funksionon njësoj dhe se ideologjia është thjesht një mbulesë për interesa materiale të arsyeshme.

Në këtë kontekst, dikush që lartëson një Rusi të Madhe ose nuk e ka seriozisht, ose edhe nëse e ka, çfarë problemi ka, për sa kohë që “ka anë pozitive për të gjithë”? Në sipërfaqe, ky qëndrim duket i zgjuar dhe cinik. Në të vërtetë, është kulmi i naivitetit.

Pavarësisht gjithë bisedave se Trump është adhurues i “njerëzve të fortë”, nuk është e qartë nëse ai, e lëre më Witkoff, e ka sadopak ide se sa të thella dhe pothuajse mistike janë bindjet që motivojnë një Putin apo një Xi Jinping. Ai vështirë se mund të ishte më pak i përshtatshëm për t’u përballur me to.

Prandaj, mendësia tregtare duhet mbajtur në njëfarë distance nga shteti. Kjo tingëllon si një lloj herezie liberale. Liria ekonomike dhe ajo politike synojnë të ecin paralelisht. Tregjet varen nga rregulla të caktuara, si ndalimi i konfiskimit arbitrar të pasurisë, të cilat mbrohen nga kushtetutat demokratike. Nga ana tjetër, demokracia është më e qëndrueshme kur ekziston një klasë e mesme pronare, gjë që tregjet e rregulluara mirë priren ta krijojnë.

Pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të larta në botë janë demokratike, përveç rasteve kur janë shumë të vogla (Singapori), të bekuara me burime natyrore (Rusia), ose të dyja (Katari). Koreja e Jugut dhe Tajvani u bënë vende me të ardhura të larta pas demokratizimit, jo përpara tij.

Megjithatë, në një pikë të caktuar, këto dy ide përplasen. Ndryshimi im i mendimit në vitin 2025 është se demokracia, larg të qenit binjakja natyrore e kapitalizmit, duhet ta mbikëqyrë atë me sy skifteri. Problemi nuk është vetëm se individë me pasuri të mëdha private mund ta përkulin jetën publike sipas interesave të tyre, siç bëri John Pierpont Morgan në Epokën e Artë dhe siç bëjnë sot baronët e teknologjisë. Kjo ka qenë e qartë edhe më parë, ndonëse sot shqetëson fakti se sa shumë qeveria amerikane i identifikon interesat e Silicon Valley-t me interesat e veta.

Problemi më i madh është qëndrimi që biznesi ngulit te njerëzit: se gjithçka është e negociueshme, se një i ashtuquajtur ekstremist thjesht po bën bllof. Vështirë se mund të imagjinohet një kornizë më e gabuar për të kuptuar botën moderne, me kaq shumë kundërshtarë ideologjikë të Perëndimit. Entuziazmi i Gjermanisë për një tubacion të dytë gazi me Rusinë deri në prag të luftës në Ukrainë, pavarësisht paralajmërimeve të pandërprera, ishte një shembull i pastër i naivitetit tregtar në nivel të lartë.

Në vendin e vet të duhur instinkti tregtar bën mrekulli. Kur ai depërton në qeverisjen e një shteti, dhe sidomos në politikën e tij të jashtme, ai shtet bëhet i pambrojtur ndaj armiqve që veprojnë të shtyrë nga bindje të thella. Thomas Jefferson foli për një “mur ndarës” mes kishës dhe shtetit. Dy shekuj më vonë, në një epokë laike, nuk është feja ajo ndaj së cilës shteti ka nevojë për një mur mbrojtës.

3sgIgLJ.png