Lajme

Barazi në letër, pabarazi në kushtetutë: Gjuha shqipe në Maqedoninë e veriut

Gjuha është më shumë se mjet komunikimi; ajo është shenjë e dinjitetit kombëtar dhe e barazisë qytetare. Shqipja në Maqedoninë e Veriut ka bërë rrugë të gjatë, por ende jo të përfunduar. Ajo ka hyrë në institucione, në ligje dhe në jetën publike, por ende nuk ka zënë vendin që i takon në themelin kushtetues të shtetit. Barazia e vërtetë gjuhësore nuk arrihet me pranime gjysmake, por me njohje të plotë kushtetuese dhe me zbatim të drejtë të normës ligjore e gjuhësore

Nga Berton SULEJMANI

  1. NJË GJUHË ME DY REALITETE

Statusi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga temat më të ndjeshme të jetës publike dhe politike të vendit. Edhe pse është gjuhë amtare e mbi një të tretës së popullsisë, shqipja ende nuk gëzon pozitë të barabartë kushtetuese me maqedonishten. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001) dhe miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (Gazeta Zyrtare nr. 7, 2019), u hodh një hap i rëndësishëm drejt njohjes së përdorimit zyrtar të shqipes në institucionet shtetërore, lokale dhe publike. Megjithatë, në Kushtetutë, vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik mbeten “gjuhë dhe alfabet zyrtar i shtetit”, ndërsa shqipja përmendet si “gjuhë që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve” – pra si gjuhë në përdorim zyrtar, por jo gjuhë zyrtare shtetërore. Ky dallim, edhe pse mund të duket teknik, në përmbajtje krijon një pabarazi të qartë midis dy gjuhëve, ku maqedonishtja ka status të garantuar kushtetues, ndërsa shqipja varet nga ligji dhe nga interpretimet administrative të institucioneve.

  1. LIGJI EKZISTON, ZBATIMI MUNGON

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i vitit 2019 zgjeron ndjeshëm hapësirën e shqipes: ajo mund të përdoret në komunikimin zyrtar, në dokumentet administrative, në parlament, në gjyqësor dhe në institucionet arsimore e shëndetësore. Madje është paraparë edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, që duhet të mbikëqyrë zbatimin e tij. Por realiteti mbetet ndryshe. Dokumentet qendrore shpesh dalin vetëm në maqedonisht, tabelat dygjuhëshe janë të pjesshme, ndërsa komunikimet elektronike e njoftimet zyrtare shpesh mungojnë në shqip. Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, ndonëse ekziston në letër, nuk ka ushtruar asnjë sanksion për shkelje ligjore. Kështu, ligji që duhej të barazonte realitetin, mbetet shpesh deklarativ.

  1. SHQIPTARËT NDËRMJET ARRITJES DHE MUNGESËS SË MBËSHTETJES

Historia e zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqiptare në Maqedoni dëshmon për një përpjekje të qëndrueshme, por të mundimshme. Që nga Paslufta (kupto: Pas Luftës së Dytë Botërore), shqiptarët kanë ngritur shkolla, media shqiptare (Radio Shkupi, 1945; programi në gjuhën shqipe në RTVM: Programi i Tretë, 1964; gazeta Flaka e Vëllazërimit, 1945; revistat: Jehona, 1966; Gëzimi, 1967; Fatosi, 1971, etj.) dhe institucione arsimore me mund e përkushtim, pa ndihmë të plotë shtetërore. Hapja e Universitetit të Tetovës (1994), e më vonë e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, përfaqësojnë momente kulmore të këtij procesi, ashtu si themelimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (2007), Teatrit Shqiptar në Shkup (1950, dikur Teatri i Kombësive), si dhe Teatrit Shqiptar të Tetovës (2010) etj. Por, përkundër këtyre arritjeve, përdorimi i shqipes në administratë dhe në jetën publike ende nuk është bërë pjesë e përditshme dhe funksionale e institucioneve. Shpesh ajo mbetet e pranishme në dokumente dygjuhëshe, por e kufizuar në zbatim real.

  1. SHEMBULLI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR BARAZINË GJUHËSORE

Një shembull i qartë barazie gjuhësore gjendet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku thuhet: “Gjuhë zyrtare janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe”. Kjo barazi formale dhe funksionale siguron që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në institucione, pavarësisht gjuhës amtare.

Në Maqedoninë e Veriut, megjithëse shqiptarët janë shumë më të shumtë në numër se serbët në Kosovë, shqipja ende nuk ka arritur këtë nivel statusi. Kjo pabarazi nuk buron nga struktura demografike, por nga formula kushtetuese që e mban shqipen në nivel të dytë juridik.

  1. KEQPËRDORIMI I TERMIT “GJUHË NË PËRDORIM ZYRTAR”

Në diskursin publik dhe politik, termi “gjuhë në përdorim zyrtar” shpesh është keqpërdorur, ndoshta edhe me qëllim, nga vetë përfaqësuesit politikë shqiptarë. Ky formulim nuk është i njëjtë me “gjuhë zyrtare” dhe për rrjedhojë krijon konfuzion në opinionin e gjerë.

Këtu është e nevojshme që juristët shqiptarë, përfshirë ata që kanë qenë pjesë e grupeve punuese për përpilimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të dalin publikisht dhe të sqarojnë ku dhe si duhet të përdoret termi “gjuhë zyrtare” dhe ku “gjuhë në përdorim zyrtar”. Qartësimi i këtij dallimi është thelbësor, sepse nga saktësia ligjore varet edhe saktësia gjuhësore dhe simbolika e barazisë ndërmjet dy gjuhëve.

  1. DREJT NJË REFORME TË DOMOSDOSHME KUSHTETUESE

Nëse Maqedonia e Veriut synon të ndërtojë një shtet të vërtetë shumëetnik dhe demokratik, ajo duhet të garantojë barazi të plotë gjuhësore në Kushtetutë. Një reformë që do ta përcaktonte qartë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë zyrtare të shtetit, përkrah maqedonishtes, nuk do ta dobësonte karakterin shtetëror, por përkundrazi do ta forconte, duke afirmuar parimin e bashkëjetesës dhe të respektit reciprok ndërmjet bashkësive. Shembulli i Kosovës e tregon më së miri: barazia gjuhësore nuk e cenon unitetin shtetëror, përkundrazi e thellon demokracinë dhe ndjenjën e përkatësisë për të gjithë qytetarët.

  1. NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Gjuha është më shumë se mjet komunikimi; ajo është shenjë e dinjitetit kombëtar dhe e barazisë qytetare. Shqipja në Maqedoninë e Veriut ka bërë rrugë të gjatë, por ende jo të përfunduar. Ajo ka hyrë në institucione, në ligje dhe në jetën publike, por ende nuk ka zënë vendin që i takon në themelin kushtetues të shtetit. Barazia e vërtetë gjuhësore nuk arrihet me pranime gjysmake, por me njohje të plotë kushtetuese dhe me zbatim të drejtë të normës ligjore e gjuhësore. Vetëm atëherë shqipja nuk do të jetë më “gjuhë në përdorim zyrtar”, por gjuhë e barabartë në dinjitet dhe në funksion.

(Autori është profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tetovës)

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png