Rajoni po përballet me një paradoks: disa sektorë po “qajnë” për punonjës, ndërsa papunësia është ende e lartë me mbi 10 për qind si dhe e pjesëmarrjes së ulët në fuqinë punëtore, e cila mbetet nën 55 për qind, veçanërisht midis grave, të rinjve dhe të moshuarve. Trendet demografike po i përkeqësojnë këto sfida.
Banka Botërore paralajmëron gjithashtu për një situatë të keqe demografike tek vendet e Ballkanit Perëndimor gjë që e ndërlikon më tej situatën. Konkretisht, është e qartë se numri i popullsisë në moshë pune është ulur ndjeshëm dhe sipas parashikimeve, pritet të bjerë me pothuajse 20 për qind deri në vitin 2050. Nëse vazhdojnë trendet aktuale në lidhje me numrin e banorëve, rritjen ekonomike dhe tregun e punës, rajoni mund të përballet me një mungesë prej më shumë se 190.000 punëtorësh në pesë vitet e ardhshme, sipas vlerësimit të Bankës Botërore.
Kjo flet për trendet negative që karakterizojnë tregun e punës në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera fqinje, dhe në një mënyrë ilustruese flet për nevojën për reforma urgjente dhe të thella që duhet të krijojnë vende të reja pune, duke forcuar njëkohësisht arsimin, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Raporti thekson se mobilizimi i kapitalit privat, së bashku me investimet digjitale dhe të gjelbra, mund të jetë çelësi për zhbllokimin e potencialit ekonomik të rajonit dhe rritjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, siç u tha, ritmi i rritjes ende nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur pritjet e qytetarëve dhe për të zvogëluar diferencën në zhvillim krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.
Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, paralajmëroi se rajoni po përballet me sfida serioze në tregun e punës. “Ballkani Perëndimor po përparon, por rritja ekonomike është ende shumë e ngadaltë për të përmbushur pritjet e qytetarëve. Rajoni duhet të investojë në modernizimin e tregut të punës, forcimin e aftësive të qytetarëve dhe përmirësimin digjital të kompanive”, deklaroi Yu. Ndër masat janë forcimi i sistemeve arsimore dhe të kujdesit shëndetësor dhe një rritje e shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, veçanërisht midis grave. Investimi në infrastrukturën e transportit, mjedisit dhe energjisë do të ndihmojë në lidhjen e kompanive dhe qytetarëve më shpejt dhe më efektivisht, duke përmirësuar produktivitetin. Përveç kësaj, rritja e biznesit dhe sektorit privat kërkon forcimin e administratës publike dhe ofrimin e mbështetjes për politikat që inkurajojnë rritjen ekonomike, së bashku me krijimin e një mjedisi rregullator të parashikueshëm.
Inkurajimi i konkurrencës në sektorët kryesorë, siç janë energjia dhe transporti, reformimi i ndërmarrjeve shtetërore, thjeshtimi i rregulloreve dhe mbështetja e startup-eve inovative do t’u mundësojë kompanive të zgjerojnë operacionet e tyre dhe të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve. Së fundmi, aktivizimi i kapitalit privat duhet të mbështesë ekonominë përmes financimit, investimeve, garancive dhe sigurimeve, duke inkurajuar gjithashtu përmirësimet digjitale dhe të gjelbra, thekson Banka Botërore.
Rekomandimet kryesore të raportit janë investimi në infrastrukturën bazë, veçanërisht atë të transportit, ekologjisë dhe energjisë, forcimi i sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, pjesëmarrja më e madhe e grave në tregun e punës, reforma e administratës publike dhe forcimi i parashikueshëm i rregullatorit të energjisë dhe transportit, reforma e kompanive shtetërore dhe mbështetja për bizneset e reja. Sipas përfundimit të raportit, pa këto masa, rritja modeste nuk do të shndërrohet në një standard më të mirë jetese, dhe hendeku ekonomik me BE-në mund të mbetet përgjithmonë i hapur. (koha.mk)