Lajme

Ballkani, mes stabilitetit dhe shpërthimit!

Shkruar nga Prof.dr. Skënder Asani

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona.

Ballkani po hyn përsëri në një stinë të rrezikshme, ku hija e së kaluarës po tenton të mbulojë të tashmen dhe të ardhmen e rajonit. Nëpërmjet strategjive të mirëkoordinuara, projektet hegjemoniste, që dikur e çuan në shpërbërje të përgjakshme në ish-Jugosllavinë, po ringjallen nën petkun e të ashtuquajturës “botë serbe”. Nga sulmi paramilitar në Banjskë të Kosovës, tek retorikat e përditshme secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, e deri te përpjekjet e sofistikuara për ta relativizuar Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, po shfaqet një linjë e qartë veprimi: hapja e krizave paralele për të minuar themelet e shteteve multietnike dhe për të shkatërruar arkitekturën e stabilitetit ballkanik.

Historia e viteve ’90 është një paralajmërim i gjallë. Atëherë, vonesat në reagim, indiferenca dhe mungesa e vendosmërisë ndërkombëtare u paguan me gjak, gjenocid dhe shpërngulje biblike popullsish. Luftërat nuk u ndalën nga apeli moral, por vetëm pasi pasojat kishin arritur dimensione të pariparueshme. Vetëm pas Dejtonit (1995), ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë (1999) dhe Marrëveshjes së Ohrit (2001), Ballkani u ngrit mbi tri shtylla të reja, të brishta, por të domosdoshme, mbi të cilat u vendos rendi i ri i paqes. Sot, këto tri shtylla janë nën goditje të sinkronizuara. Bosnja kërcënohet nga retorika që përgatit terrenin për ndarje, Kosova ballafaqohet me tentativa për destabilizim dhe delegjitimim të sovranitetit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Ohrit po sfidohet në vetë thelbin e saj.

Retorika e fundit e Beogradit, e paraqitur si paralajmërim për “rrezikun e luftës”, fsheh një strategji të sofistikuar për të devijuar vëmendjen nga krizat e brendshme dhe për të manipuluar klimën politike rajonale. Pas dështimeve të dukshme në Bosnje dhe Banjskë, fokusi është zhvendosur drejt Maqedonisë së Veriut, ku instrumentalizimi i ndasive të brendshme dhe politikat antishqiptare janë bërë mjet për të eliminuar subjektin politik shqiptar që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Ngadhnjimi ose dështimi i këtij projekti, sipas intensitetit të investimit të padronit të botës serbe dhe retorikës manipulatore të kryeministrit maqedonas, do të varet drejtpërdrejt nga rezultati i zgjedhjeve lokale të tetorit, të cilat për llogaritë e Beogradit janë shndërruar në një provë për konfigurimin e ardhshëm të balancave politike në rajon. Kjo strategji, e mbështetur mbi narrativën e frikës dhe tensioneve ndëretnike, synon të bartë krizën drejt Kosovës, Bosnjës dhe më gjerë, duke krijuar terren për destabilizim të kontrolluar që prodhon kaos dhe varësi politike.

Në këtë rrethana, Ballkani nuk duhet parë si një krizë periferike, e kufizuar në margjinat e kontinentit. Ai është pjesë integrale e një tabloje gjeopolitike globale. Agresioni rus në Ukrainë sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e sovranitetit; konfliktet e ndezura në Lindjen e Mesme po konsumojnë vëmendjen e fuqive të mëdha. Pikërisht në këtë moment shpërqendrimi strategjik, projekti i “botës serbe” kërkon të avancojë. Nuk është rastësi që skenarët destabilizues në Kosovë, Bosnje dhe Maqedoni zhvillohen paralelisht, duke ndjekur të njëjtat modele: përdorimin e paramilitarëve, sulmin ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nxitjen e narrativave nacionaliste të dhunshme.

Marrëveshja e Ohrit nuk është një dokument i zakonshëm politik, por një kontratë themelore mbi të cilën u rindërtua paqja, u garantua barazia ndëretnike dhe u rivendos rendi kushtetues i Maqedonisë së Veriut. Çdo tentim për ta relativizuar ose për ta zhbërë nuk është një çështje e brendshme, por një sulm ndaj arkitekturës së stabilitetit ballkanik. Nëse bie kjo marrëveshje, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në Shkup: ato do të përhapen si efekt domino në gjithë rajonin, duke rrezikuar që kufijtë, identitetet dhe sovranitetet të kontestohen sërish me gjuhën e dhunës.

Ky paralajmërim është preventiv dhe strategjik: vetëm një unitet unifikues i subjekteve shqiptare, i qëndrueshëm, koherent dhe vizionar, mund të neutralizojë këto prirje dhe të parandalojë realizimin e projekteve të paralajmëruara. Vetëm përmes këtij uniteti mund të mbrohet stabiliteti, paqja dhe ekuilibri politik i rajonit, të garantohet sovraniteti dhe e drejta kolektive e komunitetit shqiptar, duke i kthyer në dështim të plotë çdo tentativë të jashtme për fragmentim e destabilizim. Ky është një sinjal preventiv ndaj atyre që besojnë se ndarjet dhe përçarjet mund të prodhojnë kontroll sepse historia ka dëshmuar se vetëm bashkimi strategjik shqiptar është ai që përcakton ekuilibrin e paqes dhe kufizon çdo projekt që rrezikon arkitekturën politike të rajonit.

E përbashkëta e këtyre tri pikave të tensionit është e qartë: në shënjestër është rendi kushtetues dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ndërtuan paqen. Nëse shembet njëra prej këtyre shtyllave Dejtoni në Bosnje, sovraniteti i Kosovës apo Marrëveshja e Ohrit do të shembet e gjithë ura mbi të cilën qëndron paqja në Ballkan. Dhe një herë që ura bie, ajo nuk shembet vetëm për një vend, por për të gjithë rajonin.

Prandaj, ky nuk është thjesht një apel akademik, por një thirrje urgjente për veprim preventiv dhe të koordinuar. Nuk duhet lejuar që Ballkani të shndërrohet sërish në një vatër krize që thith energjitë e diplomacisë ndërkombëtare dhe konsumon gjakun e popujve të tij. Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit, ruajtja e rendit kushtetues të Kosovës dhe garantimi i integritetit të Bosnjes nuk janë çështje lokale, por interesa strategjike të rendit evropian dhe ndërkombëtar. Nëse këto themele shemben, Evropa nuk do të përballet vetëm me një krizë rajonale, por me një plagë të re të gjeopolitikës globale, ku forcat e destabilizimit do të kenë fituar terren mbi paqen.

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona. Dhe këtë herë, përgjigja nuk mund të jetë as e vonuar, as gjysmake. Faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë se çdo tolerim ndaj retorikës destabilizuese është investim në krizë, ndërsa faktori shqiptar duhet ta lexojë këtë moment si detyrën historike të unitetit strategjik. Pa këtë unitet, çdo arkitekturë e paqes do të mbetet e brishtë; me këtë unitet, çdo projekt i jashtëm për destabilizim është i destinuar të dështojë.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png