Pas Orbanit dhe Ficos, tani Babis: vala sovraniste përfshin edhe Çekinë…
Miliarderi dhe ish-kryeministri çek, Andrej Babis është rikthyer fuqishëm në skenën politike, duke fituar zgjedhjet parlamentare në Republikën Çeke me partinë e tij ANO 2011 (“Lëvizja e Qytetarëve të Pakënaqur”).
Rezultati, 35.5% e votave dhe 84 vende në Parlamentin 200-anëtarësh të Pragës, e kthen Babisin në pozicionin për të formuar qeverinë e re dhe për ta orientuar vendin drejt një linje më të fortë nacionaliste e euroskeptike.
Me këtë fitore, ANO 2011 ka tejkaluar ndjeshëm koalicionin konservator Spolu (“Së bashku”), të drejtuar nga kryeministri në largim Petr Fiala, i cili ra në 22.6% dhe humbi rreth 20 vende në Parlament.
Rikthimi i Babisit
Babiš, 71 vjeç, një nga njerëzit më të pasur të Republikës Çeke dhe pronar i konglomeratit Agrofert, me mbi 250 filiale që veprojnë në bujqësi, kimikate, ndërtim e logjistikë, rikthehet në politikë me një profil shumë më të djathtë se dikur. Në të kaluarën, partia e tij ishte pjesë e grupit qendror liberal Renew Europe, afër presidentit francez Emmanuel Macron. Tani, ai i është bashkuar kampit të Patriotëve për Evropën, një grup euroskeptik që përfshin edhe Viktor Orbán dhe partinë italiane Lega.
Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023 kundër ish-gjeneralit Petr Pavel, Babiš ndërtoi një fushatë agresive mbi tre mesazhe të qarta: kundërshtimin ndaj përfshirjes ushtarake të Pragës në luftën e Ukrainës, refuzimin e axhendës së Bashkimit Europian për klimën dhe emigracionin, dhe kritikën ndaj “nënshtrimit të tepruar” të presidentit Pavel ndaj NATO-s.
Një fushatë e trazuar
Fushata zgjedhore nuk ka kaluar pa tensione. Në korrik, deputeti i ANO 2011, Pavel Ruzicka, publikoi dokumente që supozohet se tregonin “Projektin Karel”, një plan sekret i ushtrisë çeke për të ndaluar infiltrimin rus, që përfshinte edhe përgjuar politikanët e opozitës. Ndërsa më 1 shtator, gjatë një mitingu në fshatin Dobra, Babis u sulmua nga një protestues me patericë dhe përfundoi në spital.
Loja e koalicioneve
Megjithëse Babis fitoi bindshëm, ai nuk e ka shumicën absolute për të qeverisur vetëm. Koalicioni Spolu dhe lista qendrore Starostové a Nezávislí (StN, “Kryetarët e Bashkive dhe të Pavarurit”), që doli e treta me 11%, kanë refuzuar çdo bashkëpunim. Po ashtu edhe Partia Pirat, me 8.5%.
Kjo e lë Babisin me vetëm dy opsione për të arritur shumicën:
-Lëvizjen Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (SPD), një parti ultranacionaliste me 8% dhe 16 vende;
-Partinë e Motoristëve, e themeluar në vitin 2022 në Pragë, që fitoi 13 vende dhe njihet për sloganin “makina, qymyr dhe korona (monedha kombëtare)”.
Të dyja këto parti janë pjesë e grupit të Patriotëve Evropianë, që ndan një linjë të ashpër anti-Bruksel, anti-emigracion dhe kundër Marrëveshjes së Gjelbër (Green Deal).
Efektet në Evropë
Sipas analizës së Politico.eu,“nëse miliarderi Babiš kthehet në pushtet, Republika Çeke mund të bëhet ‘bisha e re e zezë’ e Bashkimit Europian, përkrah Hungarisë së Orbánit dhe Sllovakisë së Ficos.”
Tashmë, tre qeveri të bllokut ish-lindor,– Çekia, Hungaria dhe Sllovakia – drejtohen nga forca euroskeptike që kontrollojnë afërsisht 50% të elektoratit.
Ky është një sinjal i fortë për Brukselin mbi shkëputjen e gjithnjë më të thellë midis institucioneve të BE-së dhe qytetarëve të Evropës Qendrore e Lindore, të zhgënjyer nga elitat politike dhe “euroburokracia”.
Fitore e Babišit, në këtë kuptim, është më shumë se një rotacion politik: është një shenjë e valës së re sovraniste që po sfidon strukturën e brendshme të BE-së. Dhe siç tregojnë zgjedhjet e fundit, pakënaqësia e qytetarëve është bërë tashmë forca më e madhe politike në Evropën Qendrore.


