Lajme

Axios: Irani dhe SHBA, në kontakt të drejtpërdrejtë ditët e fundit

Një kanal komunikimi i drejtpërdrejtë midis të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, është riaktivizuar ditët e fundit, sipas një zyrtari amerikan dhe një burimi me dijeni.

Nuk është e qartë se sa thelbësore ishin mesazhet e përçuara midis Araghchi-t dhe Witkoff-it, por është komunikimi i parë i njohur i drejtpërdrejtë midis palëve, që kur filloi lufta më shumë se dy javë më parë.

Zyrtari amerikan dhe burimi me njohuri thanë se Araghchi i dërgoi Witkoff-it mesazhe me tekst, që përqendroheshin në përfundimin e luftës.

Drop Site News raportoi të hënën se Witkoff i kishte dërguar mesazhe Araghchi-t dhe citoi zyrtarë iranianë, të cilët pretendonin se ministri i jashtëm iranian po i injoronte mesazhet e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtari amerikan pretendoi se ishte Araghchi ai që po përpiqej të angazhohej, por i tha Axios se SHBA-të “nuk po flasin” me Iranin.

Asnjëri nga burimet nuk foli në detaje rreth numrit të teksteve të shkëmbyera ose rreth përmbajtjes së tyre.

Presidenti Trump tha të hënën se Irani kishte komunikuar me SHBA-në, por se nuk ishte e qartë nëse zyrtarët iranianë të përfshirë ishin të autorizuar për të bërë një marrëveshje.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Ata po flasin me njerëzit tanë… kemi njerëz që duan të negociojnë, [por] nuk kemi idenë se kush janë ata”, u tha Trump gazetarëve.

Pavarësisht skepticizmit të tij se Teherani është gati të bëjë një marrëveshje, Trump tha se nuk është kundër bisedimeve me iranianët, “sepse ndonjëherë dalin gjëra të mira prej tyre”.

Ai vuri në dukje se është e paqartë se kush po merr vendime në Iran, sepse shumë zyrtarë të lartë kanë vdekur. Ai përmendi gjithashtu se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk është parë dhe mund të jetë i vdekur.

Një zyrtar i lartë amerikan e hodhi poshtë kërkesën e Iranit për “dëmshpërblime”, si pjesë të një marrëveshjeje paqeje, por tha se Trump ishte i hapur për një marrëveshje që do ta lejonte Iranin “të integrohej me pjesën tjetër të botës dhe të fitonte para nga nafta e tyre”.

“Presidenti është gjithmonë i hapur për një marrëveshje. Por ai nuk po negocion nga një pozicion dobësie. Ai nuk po tërhiqet nga arsyet pse filloi ky konflikt”, tha zyrtari.

Zyrtarët iranianë kanë pohuar publikisht gjatë ditëve të fundit se nuk po zhvillojnë asnjë negociatë armëpushimi me administratën Trump.

Zyrtarët thonë se Irani nuk është i interesuar për një armëpushim të përkohshëm që do t’u lejonte SHBA-ve dhe Izraelit të riorganizoheshin dhe të sulmonin përsëri, por dëshiron garanci se çdo marrëveshje paqeje do të ishte e përhershme.

Araghchi nuk shihej si një vendimmarrës kyç në Iran para luftës, dhe zyrtarët amerikanë nuk mendojnë se ai ka autoritet për të marrë vendime sot.

Por ministri i jashtëm iranian duket se po koordinohet me sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, i cili ka qenë udhëheqësi civil de facto i Iranit që nga vrasja e ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei, thonë burimet.

Zyrtarët amerikanë e shohin Araghchi-n si bashkëbiseduesin e duhur, sepse ata kanë një marrëdhënie paraprake me të – dhe ai është ende gjallë.

3sgIgLJ.png