Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slavevski, në një intervistë për REL thotë se masat e reja për kreditë banesore synojnë ndarjen mes blerësve të parë të banesave dhe atyre që blejnë për investim me pritshmëri të rritjes së çmimeve.
“Me masat që i kemi në dispozicion, do ta ulim përqindjen e pjesëmarrjes për ata që për herë të parë blejnë banesë. Të themi me 10 përqind të vlerës së banesës të mund të aplikohet për kredi në banka, ndërsa do ta rrisim pjesëmarrjen e nevojshme për ata që blejnë banesë për investim ose me pritshmëri të rritjes së mëtejshme të çmimeve”, tha Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
Masat, sipas tij, do të realizohen me ndihmën e Agjencisë për Kadastër, e cila posedon të dhëna të plota për pronësinë dhe transaksionet.
“Kadastra disponon me bazë të dhënash, sepse të gjitha kontratat e shitblerjes legalizohen aty, prona regjistrohet në Agjencinë për Kadastër të patundshmërive. Dhe që ta realizojmë këtë synim, për t’ua lehtësuar kushtet blerësve që blejnë banesë për të jetuar dhe e bëjnë këtë për herë të parë, ne duhet të kemi mënyrë për t’i identifikuar. Deri tani kjo është bërë me deklarata, të cilat, siç thashë, nuk kontrollohet nëse janë të vërteta“, shtoi Trajko Sllavevski – Guvernator i Bankës Popullore.
Lidhur me çmimet e larta të banesave, guvernatori vlerëson se faktorët janë të kombinuar, duke filluar nga presioni urbanistik deri te kërkesa e lartë e nxitur nga kursimet, kreditë dhe diaspora.
“Ka këtu çështje strukturore – presion mbi pjesët tashmë të urbanizuara të qyteteve, qendrat urbane e kështu me radhë, pra pamundësia ose mungesa e vullnetit që kryeqyteti të zgjerohet në lokacione të tjera, ku paraprakisht duhet të sigurohet infrastruktura e nevojshme. E gjithë kjo ndikon, por nga ana tjetër është e qartë se ekziston fuqi blerëse. Po të mos kishte fuqi blerëse, e cila vjen ose nga kursimet, nga kreditë, sepse kemi rritje të konsiderueshme të kreditimit nga bankat, apo nga mjetet që vijnë përmes kanaleve të ndryshme nga jashtë”, potencoi Trajko Sllavevski – Guvernator i Bankës Popullore.
Banka Popullore pret që me këto masa të ulë rrezikun e kredive dhe të ndihmojë blerësit e parë të banesave, ndërsa për ata që blejnë për investim me pritshmëri të rritjes së çmimeve, kushtet të jenë më të ashpra, me qëllim të stabilizimit të tregut të banesave.