Lajme

“Asnjë vend nuk është i sigurtë”, operacioni izraelit që po boshatis Gazën; bombardimet rrafshojnë çdo ndërtesë

Kushtet e jetesës janë përkeqësuar dhe kërcënimet janë shtuar për rritjen e numrit të vdekjeve në të gjithë territorin e shkatërruar.

Avionët dhe tanket izraelite kanë bombarduar periferitë lindore dhe veriore të qytetit të Gazës, duke shkatërruar ndërtesa dhe shtëpi, ndërsa udhëheqësit izraelitë u zotuan të vijojnë me një ofensivë në shkallë të gjerë ndaj qytetit.

Dëshmitarët raportuan zhurmën e shpërthimeve të vazhdueshme gjatë natës, nga nata e së shtunës deri në mëngjesin e së dielës në zonat e Zeitoun dhe Shejaia. Ndërkohë, tanket bombarduan shtëpitë dhe rrugët në lagjen Sabra aty pranë ndërsa disa ndërtesa u hodhën në erë në zonën veriore të Jabaliya.

Zjarri ndriçoi qiellin nga shpërthimet, duke shkaktuar panik dhe duke bërë që disa familje të largoheshin nga qyteti. Banorë të tjerë thanë se do të preferonin të vdisnin dhe të mos largoheshin.

Rreth 2 milionë banorëve të Gazës jetojnë aktualisht në Qytetin e Gazës. Disa mijëra janë larguar tashmë, duke i transportuar sendet e tyre me automjete.

“Më është dashur të marr gruan dhe tre vajzat e mia dhe të largohem nga shtëpia ime në Qytetin e Gazës. Asnjë vend nuk është i sigurt, por nuk mund të ndërmarr rrezikun. Nëse ata fillojnë papritur pushtimin, do të përdorin sulme të rënda”, tha Mohammad, 40 vjeç, për “Reuters”.

Të tjerë thanë se nuk do të largoheshin, pavarësisht shpërthimeve.

“Ne nuk do të largohemi, le të na bombardojnë në shtëpi. Jemi të uritur, të frikësuar dhe nuk kemi para”, u shpreh Aya, 31 vjeç, e cila kishte një familje me tetë anëtarë, duke shtuar se ata nuk kishin mundësi të blinin një tendë ose të paguanin për transportin, edhe nëse do të përpiqeshin të largoheshin.

Më herët, Izraeli miratoi një plan për një ofensivë të zgjeruar ushtarake për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.

Nuk pritet që forcat të zhvendosen në qendrën e qytetit, kryesisht të shkatërruar, për disa javë, duke i lënë hapësirë ​​ndërmjetësve Egjipt dhe Katar që të përpiqen të rifillojnë bisedimet për armëpushim.

Megjithatë, forcat izraelite kanë bombarduar qytetin dhe zonat përreth dhe thanë se forcat ishin rikthyer për të luftuar në zonën e Jabaliyas ditët e fundit.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz u zotua të vazhdojë ofensivën, e cila ka ngritur alarm jashtë vendit dhe kundërshtime brenda vendit. Të premten, Katz tha se Qyteti i Gazës do të rrafshohet nëse militantët e Hamasit nuk bien dakord të përfundojnë luftën sipas kushteve të Izraelit dhe të lirojnë të gjithë pengjet që mban ende.

Hamasi deklaroi sot se plani i Izraelit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës tregoi se nuk e kishte seriozisht armëpushimin. Ai tha se një marrëveshje armëpushimi ishte “e vetmja mënyrë për të kthyer pengjet”, duke e akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se është përgjegjës për jetën e tyre.

Ekspertët e mbështetur nga OKB-ja deklaruan të premten se një zi buke “krejtësisht e shkaktuar nga njeriu” po ndodh në qytetin më të madh të Gazës dhe zonën përreth saj. Kushtet e jetesës janë përkeqësuar dhe kërcënimet janë shtuar për rritjen e numrit të vdekjeve në të gjithë territorin e shkatërruar.

“Kjo zi buke është tërësisht e shkaktuar nga njeriu, mund të ndalet”, thuhet në raportin e Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC).

“Koha për debat dhe hezitim ka kaluar, uria është e pranishme dhe po përhapet me shpejtësi… Nëse nuk zbatohet një armëpushim për të lejuar që ndihma humanitare të arrijë tek të gjithë në Rripin e Gazës, dhe nëse furnizimet thelbësore ushqimore dhe shërbimet themelore shëndetësore, të ushqyerit dhe kanalizimet dhe ujin, nuk rivendosen menjëherë, vdekjet e shmangshme do të rriten në mënyrë eksponenciale”, thuhet gjithashtu në raport.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se tetë persona të tjerë kishin vdekur nga kequshqyerja dhe uria, duke e çuar numrin e vdekjeve në 289 persona, përfshirë 115 fëmijë, që nga fillimi i luftës.

“Associated Press” raportoi se forcat izraelite kishin vrarë katër persona që kërkonin ndihmë ushqimore të dielën, ndërsa ata udhëtonin nëpër një zonë ushtarake në jug të qytetit të Gazës (një zonë e përdorur rregullisht nga palestinezët që përpiqen të arrijnë në një pikë shpërndarjeje ushqimi).

Spitali Al-Awda dhe dy dëshmitarë i thanë “Associated Press” se katër palestinezët u vranë kur trupat hapën zjarr ndaj një turme që po shkonte drejt një vendi të drejtuar nga kontraktori amerikan i mbështetur nga Izraeli, Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), në zonën e korridorit Netzarim.

Dëshmitarët thanë se ngjarja ndodhi qindra metra larg vendit. “Të shtënat me armë ishin pa dallim”, tha Mohamed Abed, baba i dy fëmijëve nga kampi i refugjatëve Bureij, duke shtuar se ndërsa shumë njerëz kishin ikur, të tjerë ranë përtokë pasi u qëlluan.

Abed dhe Aymed Sayyad, një tjetër palestinez që kërkonte ushqim në mes të turmës, thanë se trupat hapën zjarr kur një grup shkoi drejt një vendi shpërndarjeje ushqimi.

Ushtria izraelite dhe GHF nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif