Lajme

Arteriet e reja të pushtetit: Kabllot nënujore janë shndërruar në armën gjeopolitike kryesore!

Shkruar nga Lynn Kuok

Poshtë dallgëve të oqeaneve po luhet një skenar i rrezikshëm ku sabotimi i infrastrukturës dixhitale, rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe vjetërimi i ligjeve ndërkombëtare kërcënojnë të fikin dritat e qytetërimit tonë modern…

Në vitin 1893, shkrimtari britanik Rudjard Kipling shkroi enkas një poezi për mrekullinë e kabllove nënujore, që po lidhnin botën në një mënyrë të paimagjinueshme deri atëherë. Ai shpresonte se komunikimi i menjëhershëm do t’i bashkonte kombet në një të vetëm.

Më shumë se një shekull më vonë, linjat telegrafike i kanë lënë vendin kabllove me fibra optike, por premtimi i tyre unifikues është zbehur thuajse plotësisht. Përkundrazi, shtrati i detit është bërë një arenë e ashpër e konkurrencës, sabotimit dhe mbikëqyrjes midis fuqive të mëdha.
Këto kabllo bartin 99 për qind të trafikut dixhital transoqeanik, duke përfshirë flukset financiare, komunikimet qeveritare dhe sekretet ushtarake.

Ndërsa besimi midis shteteve po dobësohet, rrjetet globale po ndahen në blloqe gjeopolitike të udhëhequra nga SHBA-të, Kina dhe vendet e paangazhuara, duke bërë që rrugët e të dhënave të pasqyrojnë më shumë ndasitë politike sesa logjikën tregtare.

Dobësitë e infrastrukturës në Evropë dhe Azi

Cënueshmëria e kësaj infrastrukture u bë alarmante në Evropë pas shpërthimeve në tubacionin e gazit “Nord Stream” në vitin 2022. Ky akt tërhoqi vëmendjen globale ndaj faktit se sa lehtë mund të dëmtohen asetet nënujore pa u ndëshkuar askush. Incidentet pasuese në Detin Baltik, ku për dëmet u fajësuan anijet e lidhura me Kinën dhe Rusinë, treguan sesi aktorët shtetërorë mund të rrezikojnë edhe nga distanca sigurinë e një rajoni.

Azia përballet me rreziqe të ngjashme, ku Tajvani raporton çdo vit ndërprerje të shpeshta të kabllove që vijnë si pasojë e fushatës shtrënguese të Pekinit. Në janar 2025, aktivitetet e anijeve ruse pranë brigjeve norvegjeze dhe zbulimi i teknologjisë kineze që mund të presë kabllot në thellësi deri në 4000 metra, e kanë shtuar frikën se kundërshtarët tanë zotërojnë tashmë mjetet për të shkëputur në çdo kohë botën nga ndërlidhja dixhitale.

Zhbllokimi i ngërçit

Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS) e vitit 1982 garanton liri për vendosjen dhe riparimin e kabllove, por po dështon zbatimi i saj në praktikë. Shumë shtete bregdetare si Kina, po përdorin ligjet e tyre për të kërkuar pëlqim për rrugët e kabllove në shelfin e saj kontinental, duke shkelur parimet ndërkombëtare.

Kjo kornizë ligjore vuan gjithashtu nga të meta strukturore sa i përket përgjegjësisë. Në det të hapur, vetëm shteti që përfaqëson një anije ka juridiksion për të hetuar dëmtimet.

Por shumë anije janë të regjistruara në vende që nuk kanë as vullnet dhe as kapacitet për të vepruar.

Përcaktimi i fajtorit mbetet sfida më e madhe. Prova që një akt sabotimi është kryer nën udhëzimet e një shteti specifik është tejet e vështirë për t’u siguruar. Për më tepër, teknologjia po ecën më shpejt se ligji. Platformat pa pilot dhe dronët nënujorë krijojnë paqartësi të reja ligjore, pasi është e paqartë nëse ato duhet të konsiderohen apo jo anije.

Tani shumë kompani private po zgjedhin rrugë më të gjata dhe më të kushtueshme për të shmangur zonat e kontestuara si Deti i Kinës Jugore, vetëm për të shpëtuar nga pengesat burokratike dhe rreziqet e sigurisë që vijnë nga pretendimet territoriale të Pekinit.

Një rrjet mbrojtës

Përgjigjet ndaj këtyre kërcënimeve janë aktualisht të fragmentuara. Shtetet e Bashkuara kanë filluar të zbatojnë rregulla më të rrepta për stacionet e uljes dhe po punojnë me partnerët e QUAD-it për të forcuar qëndrueshmërinë e rrjeteve.

Bashkimi Evropian ka miratuar një plan veprimi që përfshin monitorimin e kabllove përmes sensorëve SMART, ndonëse përdorimi i saj mbetet i kufizuar për shkak të shqetësimeve për sovranitetin dhe përgjimin. Ndërkohë NATO ka krijuar një zyrë koordinimi për infrastrukturën nënujore dhe ka rritur patrullimet në Detet e Veriut dhe Baltik.

Në Azi, bashkëpunimi po zhvillohet më ngadalë. Vendet e ASEAN-it i kanë parë tradicionalisht kabllot vetëm si asete ekonomike, por ky qëndrim po ndryshon. Në tetor 2025, Ministrat e Mbrojtjes të rajonit miratuan parimet e para për mbrojtjen e përbashkët të infrastrukturës nënujore.

Megjithëse këto përpjekje janë të rëndësishme, botës i mungon ende një sistem global i integruar për ndarjen e inteligjencës në kohë reale dhe për protokolle të përbashkëta hetimi që do të bënin të mundur ndëshkimin e shpejtë të sabotatorëve.

Drejt një rendi të ri

Një arkitekturë gjithëpërfshirëse globale është jetike për të forcuar rendin nënujor. Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol udhëheqës strategjik, duke i trajtuar kabllot e komunikimit jo thjesht si biznese private, por si pjesë kritike të sigurisë kombëtare.
Kjo nënkupton harmonizim të diplomacisë, mbrojtjes dhe rregullave tregtare. Këtu thelbi janë partneritetet publik-private, pasi kompanitë teknologjike si Google apo Meta operojnë pjesën dërrmuese të këtyre sistemeve.
Po ashtu, duhen standarde të përbashkëta për sigurinë kibernetike dhe fizike të stacioneve të uljes, të cilat janë pikat ku rrjeti është më i prekshëm nga ndërhyrjet njerëzore. Për më tepër, forcimi i lidhjeve ndërmjet rajoneve, si bashkëpunimi ASEAN-BE, mund të krijojë një mburojë politike kundër pretendimeve arbitrare të fuqive ekspansioniste.
Shtetet duhet të sqarojnë se dronët nënujorë bien nën përgjegjësinë e shtetit që i zotëron dhe të rrisin dënimet për dëmtimin e qëllimshëm të kabllove. Krijimi i një organizate ndërqeveritare që kryen hetime teknike të paanshme do të ndihmonte në zbulimin e përgjegjësive dhe do të krijonte një program certifikimi për “kabllot e besuara”.

Fundi i oqeaneve si “busulla” e fuqisë globale

Progresi në mbrojtjen e këtyre rrjeteve do të zvogëlonte mundësitë e sabotimeve dhe do t’i bënte më të kushtueshme për agresorët aktivitetet në zonën gri. Edhe pse ligji ndërkombëtar shpesh shpërfillet, kornizat e forta institucionale do të ndryshonin analizën kosto-përfitim të shteteve.
Sigurimi i këtyre arterieve nënujore nuk është thjesht një procedurë teknike, por një betejë për lirinë e komunikimit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë globale. Në mungesë të një arkitekture të tillë, rendi nga i cili varemi të gjithë do të vazhdojë të thërrmohet.
Gara përcaktuese e këtij shekulli nuk po zhvillohet vetëm në hapësirë apo në fushëbeteja tokësore, por siç e tha Kipling në poezinë e tij, ajo po vendoset thellë në “brinjët e tokës”, aty ku kalon jeta e botës sonë moderne./ Marrë nga “Foreign Affairs”

3sgIgLJ.png