Fryma e Kalifatit po shtrin rrënjë në Shqipërinë e sotme: nga minberët te panelet e darkës…
Pas rënies së komunizmit në vitet ’90, në Shqipëri shpërthyen nostalgjitë; për mbretin, për elitën e ndaluar, për të përndjekurit politikë, për poetët dhe klerikët që diktatura i kishte zhdukur. Ishin nostalgji për një të shkuar që komunizmi e kishte përndjekur dhe ndaluar me egërsi. Por mes këtyre, nisi të mbinte dhe një nostalgji e re, nostalgjia për Perandorinë Osmane. Në fillim u duk si një valë sentimentale fetare, por shumë shpejt u shndërrua në një platformë të organizuar ideologjike dhe politike. Në këtë kuadër, nuk është më as befasuese dhe as naive, mënyra si është transformuar predikimi në shumë xhami në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nga fjalimi mbi librin e shenjtë, në glorifikim të kalifatit dhe të perandorive islamike.
Ky diskurs nuk është lokal, as i lindur spontanisht. Ai është produkt i një ideologjie të importuar, i një fryme panislame që vjen nga burime të qarta; medresetë e Lindjes së Mesme, fondacionet saudite, rrjetet erdoganiste në Ballkan dhe, së fundmi, platforma të sofistikuara online e media që mbulojnë axhendën neotomane.
Në këtë diskurs, identiteti shqiptar, me thelbin e vet europian dhe iluminist të Rilindjes Kombëtare, përbuzet, sulmohet, degradohet. Skënderbeu, Nënë Tereza, rilindasit përçmohen si “instrumentë të Perëndimit”, ndërsa perandoritë që nënshtruan e masakruan popuj të tërë, glorifikohen si simbol i ndritur i “botës së drejtë islame”.
Në këtë kontekst, nuk është thjesht shqetësues fakti që ka media shqiptare që përdorin një gjuhë të hapur antisemite, duke përçuar gjuhën e urrejtjes që shkon përtej kritikës ndaj Izraelit, por është tragjike mënyra si ky mentalitet po zë vend edhe në shtresa të vetëquajtura “intelektuale” që ligjërojnë në ekranet e mbrëmjes për një “antikolonializëm” që në thelb nuk është gjë tjetër veçse antiperëndorizëm. Një sërë figurash publike të lidhura me ideologji fetare, sot shkruajnë e flasin si të ishin kalemxhinj të ndonjë institute propagandistik të Erdoganit apo të Al Azharit të viteve ’60, jo si bij të një kombi që Rilindja e tij e ndërtoi mbi dritën, shkollën, dijen dhe barazinë.
Asgjë nuk është e rastësishme. Qendra të fuqishme pushteti që janë të shqetësuara nga emancipimi europian i rajonit, po përdorin religjionin dhe sentimentin “antikolonial” për të transplantuar ide të rrezikshme, të cilat synojnë shkëputjen e shqiptarëve nga rryma e tyre natyrore historike, nga Ilirët e Skënderbeu e te Nënë Tereza; drejt një kalifati që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndërgjegjes shqiptare, por vetëm këmisha e robërisë mbi trupin e një kombi që gjithmonë ka synuar të jetë i lirë.
Ata që sot ligjërojnë për “mirësitë” e kalifateve arabe, që glorifikojnë sulltanët dhe mallkojnë rilindasit tanë, që e shohin Perëndimin si “armikun kolonizues”, nuk e bëjnë këtë nga ndonjë bindje e thellë shpirtërore, por si pjesë e një lufte ideologjike të urdhëruar dhe financuar nga jashtë. Ata nuk kanë asnjë problem me kolonizmin, ata thjesht kërkojnë një kolonizim tjetër: atë të shamisë, të mjekrës, të rregullave që ndalojnë artin, muzikën, dashurinë, dhe vendosin mbi gjithçka nënshtrimin dhe frikën.
Shqipëria ka nevojë për besim, për kulturë fetare të pastër, për një Islam të ndriçuar si ai që u mishërua nga figura të mëdha shqiptare, por jo për agjenda të errëta që kërkojnë të ringjallin Kalifatin në emër të një të shkuare që na ka ndëshkuar mjaftueshëm. Dhe më e rëndësishmja: Shqipëria nuk ka nevojë për armiq të rinj, por për miqësi që ndërtohen mbi qytetërim, respekt dhe vlera. Kjo është trashëgimia jonë. Dhe kush flet në emër të shqiptarëve sot, duhet të zgjedhë: me Europën apo me Kalifatin. Me dritën apo me errësirën./Pamfleti