Shkup – Nga 1 janari hyn në fuqi Ligji për Punësimin e Personave, një rregullore e re që synon të formalizojë punësimin sezonal dhe të krijojë kushte më fleksibile për punonjësit dhe punëdhënësit. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, deklaron se ligji është “revolucionar”, pasi për herë të parë vendos një kornizë të qartë për angazhimet sezonale, duke synuar uljen e ekonomisë gri dhe rritjen e transparencës në tregun e punës.
Kush përfiton nga ligji i ri? Ligji u mundëson disa kategorive të qytetarëve të punojnë sezonal pa humbur statusin aktual: pensionistët që nuk humbin pensionin, studentët që ruajnë statusin e studentit, të papunët që nuk humbin të drejtën për ndihmë sociale, personat e punësuar mund të realizojnë të ardhura shtesë, si dhe të vetëpunësuarit mund të kryejnë punë shtesë të ligjshme.
Përfituesit, siç tha Risteski, mund të angazhohen në tre sektorë kryesorë: bujqësi, hoteleri dhe shërbime. “Ky ligj është me rëndësi të madhe. Për herë të parë, u mundëson kategorive të ndryshme të punojnë sezonalisht pa humbur përfitimet që tashmë gëzojnë,” theksoi Risteski. Një risi e ligjit është aplikacioni mobil për regjistrimin dhe çregjistrimin e punëtorëve sezonalë në kohë reale. Punëdhënësit do të mund ta bëjnë regjistrimin brenda pak sekondave, gjë që pritet të reduktojë ndjeshëm punën informale.
“Ligji do të intensifikojë luftën kundër punës së ‘zezë’. Aplikacioni i ri do të sigurojë që çdo punëtor sezonal të jetë i regjistruar dhe i mbrojtur”, tha Risteski.
Sa mund të punojë një person në vit? Ligji përcakton kufizime të qarta: 120-180 ditë angazhim sezonal në vit, varësisht nga sektori, dhe deri në 15 ditë pune në muaj për një punonjës. “Ky model fleksibil synon të ndihmojë bizneset në periudhat e ngarkuara – si sezoni turistik dhe ai i bujqësisë – por edhe individët që kërkojnë të ardhura shtesë pa penguar statusin profesional apo social”, thotë Risteski, ndërsa shton se qëllimet kryesore të ligjit janë formalizimi i punës sezonale, ulja e ekonomisë gri, mbrojtje më e madhe ligjore për punonjësit, fleksibilitet më i madh për punëdhënësit, si dhe rritja e të ardhurave për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Ligji pritet të ketë ndikim të dukshëm në tregun e punës duke ofruar një zgjidhje të ligjshme, praktike dhe të sigurt si për bizneset ashtu edhe për qytetarët. Zbatimi i tij fillon më 1 janar 2026.(koha.mk)

