Shkruar nga Christian Rocca
Nga Minneapolis te korridoret e pushtetit në Uashington, tensionet e ndezura nga Donald Trump po e shtyjnë vendin drejt një përplasjeje të pashmangshme mes dhunës, manipulimit politik dhe frikës kolektive…
Bandat me uniforma kaki të Donald Trump, kanë filluar të qëllojnë qytetarët amerikanë dhe dje vranë një grua 37-vjeçare të bardhë, Renee Nicole Good, me 3 të shtëna të pashpjegueshme në fytyrë, ndërsa ajo po udhëtonte me makinën e saj.
Kjo ndodhi në Mineapolis, jo shumë larg vendit ku një oficer policie vrau Xhorxh Floid thuajse 6 vjet më parë. Dallimi është se ky rast nuk është rezultat i fajit të një oficeri të vetëm apo i një politike tepër shtypëse nga forcat lokale të policisë, por më tepër një mision i qëllimshëm federal për të terrorizuar emigrantët dhe amerikanët hispanikë me metoda të denja për Gestapon naziste apo trupat e Maduros në Karakas, veçanërisht në qytetet e udhëhequra nga kryetarë bashkie dhe guvernatorë demokratë.
Trump dërgoi 2.000 agjentë federalë të ICE (agjencia federale e migracionit dhe doganave, që tani vepron si një grup paraushtarak) gjoja për të mbrojtur Mineapolisin, dhe kundër këshillës së kryetarit të bashkisë Xhejkob Frej dhe guvernatorit Tim Uolc, por me qëllimin e hapur racist dhe autoritar të rrethimit të komunitetit të madh somalezo-amerikan të qytetit dhe shfrytëzimin politik të një mashtrimi me shërbimet sociale në Minesota të organizuar nga një grup qytetarësh amerikanë me origjinë somaleze.
Sekretarja groteske e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e veshur si një kauboj nga një film hollivudian i dorës së dytë, u përpoq menjëherë të trazonte ujërat, duke thënë se agjenti i ICE-së e kishte mbrojtur veten në mënyrë legjitime nga një akt terrorizmi vendas i kryer nga gruaja që drejtonte makinën që për këtë arsye edhe u vra.
Por pamjet video, bien në kundërshtim të qartë me variantin e ofruar nga administrata aktuale. Ndërkohë disa orë më vonë, nxitësi i kësaj dhune, Donald Trump, i përdori mediat sociale për ta akuzuar viktimën si një grua të çmendur, një anëtare të dhunshme të së majtës ekstreme amerikane që kishte tentuar të vriste oficerin federal.
Sërish, imazhet tregojnë se gruaja po ikte nga oficerët për të shmangur ndalimin, përpara se njëri prej tyre ta qëllonte për vdekje. Autoritetet lokale hetimore dhe politike, kanë konfirmuar se gruaja nuk ishte në shënjestër të bastisjes së oficerëve të migracionit.
Sipas pretendimeve të rreme të Trump, oficeri që qëlloi vajzën është shtruar në spital dhe është një mrekulli që ai është ende gjallë, pavarësisht videos që tregon oficerin pasi qëlloi 3 herë duke ecur me qetësi drejt makinës së gruas së vdekur dhe më pas duke u larguar.
Vetë shefi i policisë së Mineapolis, konfirmoi se përveç viktimës, askush nuk u plagos. Guvernatori Uolz, kandidat për zëvendës/president i Kamala Harris në zgjedhjet e vitit 2024, tha se protesta ndaj politikave raciste të Trump është një formë e lavdërueshme patriotizmi, por i nxiti njerëzit ta bënin këtë në mënyrë paqësore.
Prandaj ai njoftoi Gardën Kombëtare të ndërhynte, duke i shpjeguar Trumpit se ushtria duhet të përgjigjet para shtetit të Minesotës dhe jo aparatit federal në Uashington. Midis protestave për vrasjen e një qytetari amerikan në rrugë në mes të ditës, Gardës Kombëtare që mbron protestat, skuadrat e ICE që janë ende në qytet dhe manipulimit radikal politik të Trump bazuar në gënjeshtra të hapura, jemi vetëm një incident larg një lufte civile të re në SHBA dhe me shumë gjasa të pashmangshme, të nisur nga Trump dhe bashkëpunëtorët e tij maniakë nacionalistë.
Ditë, javë dhe muaj kaosi dhe tensioni na presin përpara, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntorin e ardhshëm, të cilat Trump po përpiqet të mos i humbasë, siç sugjerojnë sondazhet, duke e shpërqendruar vendin nga problemet sociale dhe ekonomike (dhe dosjet Epstein) me operacionin në Venezuelë dhe bisedat rreth Grenlandës.
Dy ditë më parë, i vetëdijshëm për atë që ka bërë në muajt e fundit, Trump u tha republikanëve se do t’i duhet që t’i fitojë me çdo kusht zgjedhjet e mesit të mandatit, sepse nëse demokratët do të udhëheqin Kongresin, ata do të nisnin përsëri procedurat për shkarkimin e tij.
Pra Trump do të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar që kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ta marrish sërish demokratët. Kësisoj, duhet të presim çdo gjë sepse ai është një njeri i paskrupullt, një njeri që nuk beson në asgjë dhe që është i aftë për çdo gjë.
Këto ditë përkujtojmë përvjetorin e pestë të sulmit të dhunshëm ndaj Kongres më 6 janar 2021, kur Trump dërgoi një turmë ndjekësish dhe fanatikësh për të ndaluar me dhunë certifikimin e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Në atë rast dhe në ditët që pasuan, 6 persona vdiqën dhe qindra sulmues u gjykuan dhe u dënuan me disa vjet burg për grushtin e shtetit të dështuar (vetë Trump nuk u gjykua, për shkak të faljes nga Gjykata e Lartë e kontrolluar prej tij).
Në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, më 20 janar 2025, Trump i fali agresorët dhe i ngriti zyrtarisht në statusin e heronjve. Pra urimet më të mira Amerikës, e cila më 4 korrik do të shënojë 250 vitet e para dhe ndoshta të fundit të eksperimentit të saj të jashtëzakonshëm shoqëror dhe politik.
