“Tre persona kanë humbur jetët tragjikisht në aksidentin e sotëm në autostradën Tetovë – Shkup, konkretisht në dalje të Tetovës. Në makinën që shihni pas meje të tipit Opel Astra, ku udhëtonin katër persona të së njëjtës familje, iu ka mbijetuar plagëve vetëm një i mitur që është duke u kuruar në spitalin klinik të Tetovës. Deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e përplasjes së makinës me një autobus”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Aksidenti ka ndodhur në orën 15 e 45 minuta, kur sipas Policisë, makina në të cilën udhëtonin katër persona të familjes Ismaili dhe Murati nga Tetova, ka humbur kontrollin. Për pasojë humbën jetën drejtuesi i automjetit, 59 vjeçar dhe bashkëudhëtaret 55 dhe 71 vjeçe, ndërsa 18 vjeçari po trajtohet në Spitalin Klinik të Tetovës, ndërsa gjendja e tij është e rëndë.
“Në autostradën Tetovë-Shkup në kryqëzimin “veri”, ka ndodhur një aksident trafiku mes automjetit “Opel Astra” me targa të Tetovës, i drejtuar nga T.I. nga Tetova dhe një autobusi “Man” me targa të Shkupit, i drejtuar nga Sh.D. nga Tetova. Në aksident humbën jetën shoferi dhe pasagjerët I.I. dhe Z.M. nga Tetova, ndërsa pasagjeri R.I. nga Tetova ka pësuar lëndime trupore dhe do të mbahet nën vëzhgim në Spitalin Klinik të Tetovës”, thonë nga SPB-Tetovë.
Në vendin e aksidentit fatal dolën prokurori publik si dhe një ekip hetues nga Stacioni Policor i Tetovës. Policia ka njoftuar se po punohet në zbardhjen e tërësishme të ngjarjes.
Informacionet e para të Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës thonë se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia dhe mos respektimi i sinjalistikës, me çrast ka ardhur deri tek përplasja, fillimisht më mburojat e autostradës Tetovë-Shkup, ndërsa më pas edhe me autobusin.
Trupat e pa jetë janë dorëzuar në morgun e Tetovës, ndërsa me urdhër të prokurorit, do të kryhet obduksion.