Lajme

A po zgjohet “Gjenerata Z” në Ballkan?

Nga Sofja në Beograd po ndizet zëri i brezit të ri, por ku është rinia shqiptare?

Protestat që kanë shpërthyer në Bullgari në fillim të dhjetorit, të udhëhequra nga Gjenerata Z, janë një sinjal i qartë se fryma e revoltës sociale dhe politike po zgjohet në pjesë të Ballkanit dhe se durimi i brezave të rinj ndaj korrupsionit, papërgjegjshmërisë politike dhe mungesës së perspektivës po arrin një pikë kritike.

Në qendër të reagimit të fortë që ka përfshirë qytetet kryesore bullgare qëndron një buxhet i kritikuar si i padrejtë, i miratuar pa transparencë dhe me një arrogancë që ka revoltuar jo vetëm shoqërinë civile, por sidomos të rinjtë. Por më shumë sesa një revoltë ndaj një vendimi fiskal, protesta është një refuzim total ndaj një sistemi politik që konsiderohet i kapur, i mbyllur dhe pa vizion për brezat që vijnë.

Gjenerata Z bullgare, ajo që nuk ka jetuar komunizmin dhe as krizat ekonomike të viteve ’90 – ka dalë për herë të parë në rrugë në mënyrë masive, duke e shndërruar një protestë të zakonshme në një lëvizje shoqërore me ngarkesë të thellë politike. Motivet janë të qarta: mungesa e shpresës për të ndërtuar një jetë në vendin e tyre, mungesa e mundësive për arsim cilësor, punësim të denjë dhe mbi të gjitha, perceptimi se qeverisja është e mbërthyer nga një elitë e pandryshueshme, e cila qeveris me arrogancë dhe shkel mbi interesin publik. Dy zhvillime që bënë xhiron e rrjeteve, një ligj i kaluar brenda 26 sekondash dhe një tjetër votim i buxhetit i bërë fshehurazi gjatë pushimit të drekës, u bënë katalizatorët e zemërimit dhe simbol i një shteti të kapur, ku ligjet dhe politikat kalojnë pa asnjë debat dhe me përbuzje ndaj qytetarëve.

Ndërkohë që Bullgaria po përballet me këtë valë protestash, fryma e pakënaqësisë po ndihet edhe në vende të tjera të rajonit. Në Serbi, protestat studentore pas akteve të dhunës në shkolla ndezën një lëvizje kombëtare që sfidoi strukturat e qeverisë. Në Bosnjë, të rinjtë po ngrihen kundër ndarjes etnike dhe sistemit të korruptuar politik që po e paralizon shtetin. Në Maqedoninë e Veriut janë shtuar organizimet rinore për të kundërshtuar stanjacionin ekonomik dhe zhgënjimin nga elitat politike. Një gjë është e qartë: brezat e rinj po fillojnë të kuptojnë se heshtja është bashkëfajësi dhe se demokracia nuk funksionon pa presion qytetar.

Por në këtë hartë të zgjimit qytetar në Ballkan, Shqipëria mbetet jashtë. Në një vend ku qeverisja e njëjtë ka vijuar pandërprerë që nga viti 2013, protestat nuk mungojnë, por janë gjithmonë të thirrura nga partitë politike ose individë të lidhur me to. Sali Berisha vazhdon të organizojë protesta çdo të hënë përpara Bashkisë së Tiranës, si pjesë e luftës së tij politike me Edi Ramën. Arlind Qori ka paralajmëruar një tjetër protestë para Kuvendit, ndërsa Adriatik Lapaj është stacionuar përpara Kryeministrisë. Por qytetarët, sidomos të rinjtë, nuk po ngrihen vetë. Mungon një lëvizje qytetare spontane, horizontale, pa ngjyrime politike, që të sfidojë me zë të fortë një sistem që për më shumë se një dekadë është ngurtësuar dhe ka mbyllur çdo kanal të frymëmarrjes demokratike.

Ndërkohë që papunësia, emigrimi masiv, mungesa e perspektivës për një jetë me dinjitet dhe përqendrimi i pushtetit në pak duar janë shqetësime të përditshme për shumë shqiptarë, reagimi nuk po vjen nga shoqëria civile dhe as nga brezat e rinj. Kjo heshtje, në një kohë kur bashkëmoshatarët e tyre në Bullgari apo Serbi po ngrihen në këmbë për të kërkuar më shumë liri, drejtësi dhe të ardhme, është shqetësuese.

Është e paqartë nëse kjo vjen për shkak të frikës, mosbesimit total ndaj çdo lloj organizimi, ose thjesht për shkak të një apatie të rrënjosur nga zhgënjimi i vazhdueshëm. Por është e sigurt që nëse nuk ndodh një zgjim i ngjashëm me atë që po sheh sot Bullgaria, Shqipëria rrezikon të ngelet një ishull pasiviteti në një rajon që, megjithë të gjitha problemet, po fillon të kërkojë llogari.

Fakti që në Shqipëri, as korrupsioni, as krizat ekonomike, as skandalet e përjavshme, as ndërtimet pa kriter, as shpopullimi dhe as kapja e institucioneve nuk kanë prodhuar ende një lëvizje të vërtetë qytetare nga poshtë, tregon për një boshllëk të madh shprese dhe besimi. Një brez që nuk beson se mund ta ndryshojë gjendjen, nuk përpiqet ta ndryshojë. Por historia ka treguar se gjithçka fillon me një “jo” kolektive. Bullgaria e nisi me buxhetin – por në fakt po kërkon një vend tjetër. Një vend ku të rinjtë të kenë vend.

Pyetja është: a do të ndodhë ndonjëherë e njëjta gjë edhe në Shqipëri? /Pamfleti

3sgIgLJ.png