Lajme

A jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore?

Shkruar nga Dan Grazier

Pse sulmi ndaj Iranit mund të jetë shkëndija e një konflikti që i ngjan vitit 1914. Në një botë të ndërlidhur e me armë bërthamore, një keqllogaritje e vetme rrezikon të shndërrojë krizat rajonale në një luftë asgjësuese botërore.

Fill pas breshërisë së bombave dhe raketave amerikane e izraelite që nisën të godisnin Teheranin, Irani u kundërpërgjigj duke nisur sulme në të gjitha drejtimet drejt bazave strategjike të SHBA-së në Kuvajt, Oman, Katar, Arabi Saudite, Turqi dhe rajone të tjera. Popullsia e këtyre vendeve u tmerrua me të drejtë nga kjo situatë, pasi u kthye në një objektiv të tërthortë të atyre udhëheqësve iranianë që i mbijetuan goditjeve të para. Strategjia e Teheranit, duket se synon të detyrojë aleatët rajonalë të Amerikës që të rishikojnë rrënjësisht paktet e tyre të sigurisë.

Në vitin 2010, opinioni publik mbeti i habitur kur u bë publike një hartë sot famëkeqe e interesave komplekse shoqërore, qeveritare dhe fisnore në Afganistan. Ky grafik, i njohur shkurtimisht si COIN, ishte shumë i ndërlikuar dhe pothuajse i pamundur për t’u menaxhuar.

Një diapozitiv i thjeshtë PowerPoint dëshmon se sa sfiduese është të kuptosh se si një stimul në një cep të largët mund të prodhojë një reagim zinxhir në një sektor krejtësisht periferik. Dhe ky kompleksitet i përket vetëm një shteti të vetëm.

Imagjinoni tani një tabelë që pasqyron aleancat, traktatet, marrëveshjet tregtare, si dhe lidhjet kulturore e fetare të botës së sotme. Ajo do të ishte aq e ndërlikuar, saqë askush nuk do të mund të deshifronte plotësisht mënyrën se si çdo element ndërvepron me tjetrin.

Nëse një aktor zgjedh të përshkallëzojë një konflikt, pasojat se kush tjetër mund të përfshihet janë krejtësisht të paparashikueshme. Në këtë epokë të armëve bërthamore me gatishmëri të lartë, ngjarjet mund të dalin jashtë kontrollit përpara se fuqitë kryesore të kenë mundësinë të racionalizojnë situatën.

Qytetërimi ynë mund të asgjësohet brenda pak minutash, dhe do të ishte thjesht çështje fati nëse ndonjë qenie njerëzore do të arrinte të mbijetonte. Edhe nëse dikush ia del, ka të ngjarë që të mos e mësojë kurrë me saktësi se si nisi fundi i botës.

Situata aktuale globale ngjason frikshëm me atë të vitit 1913. Gjatë viteve që i paraprinë Luftës së Parë Botërore, udhëheqësit evropianë thurrën një rrjet të ndërlikuar aleancash. Franca dhe Rusia nënshkruan një pakt mbrojtjeje reciproke. Gjermania dhe Austro-Hungaria kishin një marrëveshje të ngjashme.

Ndërkohë, rusët ruanin një lidhje të fortë kulturore me bashkëkombësit e tyre sllavë në Serbi. Prandaj, kur Franz Ferdinandi dhe bashkëshortja e tij u vranë nga një nacionalist serb në qershor të vitit 1914, kriza diplomatike pasuese dhe shpallja e luftës nga Austro-Hungaria kundër Serbisë e përfshiu pashmangshmërisht Rusinë në konflikt.

Mobilizimi rus nxiti reagimin e menjëhershëm gjerman. Me një shpejtësi marramendëse, Gjermania i shpalli luftë Rusisë, Francës dhe Belgjikës. Kur trupat gjermane shkelën në Luksemburg dhe Belgjikë, Britania e Madhe iu kundërpërgjigj Gjermanisë dhe kështu nisi zyrtarisht Lufta e Parë Botërore.

Rrjeti ndërkombëtar i ndërtuar nga udhëheqësit e fillimit të shekullit XX ishte aq i pasigurt, saqë mjaftoi një shkëndijë relativisht e vogël në një cep të harruar të Evropës për të shembur të gjithë sistemin. Dhe mos harroni: sot bota është shumë herë më komplekse.

Në vitin 1913 ekzistonin rreth 61 shtete sovrane, por aktorët kryesorë ishin perandoritë e mëdha evropiane. Sot numërohen 195 vende, ku secili lufton për pozicionin e vet në skenën botërore ndërsa ndjek me ngulm interesat kombëtare.

Është e pamundur të llogaritet numri i mundshëm i “mjellmave të zeza”, që mund ta godasin rrjetin gjeostrategjik deri në shembjen e tij totale. Merrni në konsideratë edhe këtë fakt: mund të jemi tashmë në fazat embrionale të një lufte globale.

Historiani i njohur amerikan Victor Davis Hanson ka argumentuar se Lufta e Dytë Botërore u identifikua si e tillë vetëm përmes lentes së retrospektivës. Për ata që e përjetuan, veçanërisht në fillim, ajo dukej si një seri konfliktesh kufitare dhe pushtimesh territoriale konvencionale. Japonezët pushtuan Mançurinë në vitin 1931 dhe zgjeruan agresionin ndaj Kinës në 1937. Italia pushtoi Etiopinë në vitin 1935. Gjermania rimilitarizoi Rinin në vitin 1936, aneksoi Austrinë në vitin 1938 dhe pushtoi Sudetet 6 muaj më vonë.

Sot, Rusia mbetet e angazhuar në luftën në Ukrainë, ndërsa Gaza vazhdon të jetë një “plagëe hapur”. Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm ushtarak të guximshëm duke kapur presidentin e Venezuelës. Tani, regjimit iranian i është “prerë koka” strategjikisht.

Por zyrtarët e mbetur duken të vendosur të provokojnë një konflikt më të gjerë, duke sulmuar çdo vend rajonal që ofron strehë për objektet ushtarake amerikane. Kjo shtron pyetjen e pashmangshme: a jemi aktualisht në prag të një “Pearl Harbor-i” të ri?

Me kapjen e presidentit Maduro në Venezuelë, Shtetet e Bashkuara e ndërprenë fluksin e naftës drejt Kinës. Tani, me destabilizimin e Republikës Islamike të Iranit, Kina rrezikon të humbasë një tjetër burim jetik energjie. A i kujtohet dikujt se çfarë i shtyu japonezët të sulmonin Flotën Amerikane të Paqësorit dhe të shpallnin luftë?

Ata që identifikojnë humbjen e qasjes në burimet kyçe, veçanërisht në naftë, si pasojë e sanksioneve dhe veprimeve amerikane, kanë të drejtë. Të njëjtët liderë që ndërtuan sistemin ndërkombëtar para Luftës së Parë Botërore i kaluan vitet para atentatit të Sarajevës në një garë armatimi rraskapitëse.

Shumica prej tyre u frymëzuan nga shkrimet e Alfred Thayer Mahan mbi rëndësinë e fuqisë detare, duke investuar kapitale gjigante në ndërtimin e anijeve të blinduara. Hiram Maxim nxiti një gjeneratë projektuesish për të krijuar mitralozë vdekjeprurës, ndërsa aviatorët nisën të imagjinonin potencialin e avionit si mjet lufte.

Në vitin 1913, askush nuk e kuptoi plotësisht se si epoka industriale e kishte transformuar natyrën e luftimit. Udhëheqësit vepronin ende sipas kodeve të vjetra ndërkombëtare, të cilat ishin funksionale kur ushtritë përballeshin në rreshta të thjeshtë dhe në fusha beteje të kufizuara.

Nëse ata udhëheqës do të kishin parashikuar tmerrin e llogoreve dhe gazit helmues, vështirë se do ta kishin festuar fillimin e luftës. Shumë nga aktorët kryesorë nuk kishin përvojë të drejtpërdrejtë luftarake, gjë që shpesh nxit pamaturinë.

Konflikti i fundit i madh evropian ishte Lufta Franko-Prusiane e vitit 1871, ndërsa përpara saj, beteja e fundit vërtet përcaktuese kishte qenë Waterloo në vitin 1815. Sot, asnjë udhëheqës botëror nuk zotëron përvojë në luftëra të përmasave globale.

Lufta e Dytë Botërore përfundoi mbi 80 vjet më parë. Veteranët e paktë që kanë mbetur janë tashmë mbi njëqind vjeç. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi se si do të zhvillohej një luftë e re botërore. Edhe nëse do të shmangej përdorimi i armëve bërthamore, mbetet e panjohur se si do të vazhdonte një përplasje konvencionale midis superfuqive moderne. Politikëbërësit anembanë globit duhet të reflektojnë mbi situatën aktuale.

Mund të jemi duke përjetuar ditët e para të asaj që historianët e ardhshëm do ta etiketojnë si Lufta e Tretë Botërore – sigurisht, nëse do të mbeten historianë për ta bërë këtë. Pas çdo bombe, rakete apo silurimi, ngjarjet konvergojnë drejt “Sarajevës së shekullit XXI” që do të rrëzojë të gjithë sistemin.

Mjafton një gabim i vetëm në llogaritje, një bombë që godet gabimisht një ambasadë, apo një avion i rrëzuar aksidentalisht, për të shkaktuar një përshkallëzim që çon në një katastrofë bërthamore totale. Ndoshta ka ende kohë për të parandaluar këtë skenar.

Administrata dhe ushtria amerikane meritojnë vlerësim për ekzekutimin e dy operacioneve spektakolare ushtarake në më pak se dy javë. Megjithatë, ata duhet të kuptojnë se fitorja nuk është asnjëherë e garantuar.

Fati, rastësia dhe kundërshtari luajnë rol në çdo konflikt. Është e lehtë të besohet se teknologjia ka eliminuar “mjegullën e luftës”, por lufta do të mbetet gjithmonë një sipërmarrje njerëzore, që i shërben qëllimeve njerëzore.

Administrata Trump duhet të mbyllë sa më parë operacionin aktual me Iranin. Ajo mund t’i gëzohet sukseseve të saj, por nuk duhet të sfidojë më tej fatin. Në fund të fundit, çdo operacion ushtarak mbetet një version gjeostrategjik i “ruletës ruse”.

Shënim: Dan Grazier, drejtor programi në “Stimson Center” dhe ish-kapiten i Korpusit të Marinës së SHBA-së, ku ka shërbyer në Irak dhe Afganistan.

3sgIgLJ.png