Parakalimi i simboleve paramilitare serbe dhe këngëve shoviniste në karnavalet e Vevçanit vendos një komunë periferike të Maqedonisë së Veriut në fokusin e ndikimit ruso-serb në Ballkan.
Karnavalet e Vevçanit, të promovuara si traditë satirike lokale, u shndërruan në një skenë me ngarkesë politike dhe gjeopolitike pas shfaqjes së simboleve paramilitare serbe dhe këngëve të përdorura gjatë luftërave të viteve ’90. Ngjarja ndodh në një zonë strategjike pranë kufirit me Shqipërinë dhe Gollobordën, në një moment kur raporte ndërkombëtare flasin për rikthimin e Ballkanit në axhendat e negociatave ruso-amerikane. Pa qenë provë e një strategjie shtetërore maqedonase, Vevçani shfaqet si indikator i depërtimit të narrativave ekspansioniste dhe si vatër potenciale ndikimi në një rajon të ndjeshëm gjeopolitikisht.
Karnavalet e Vevçanit janë një shfaqje provinciale në fshatin Vevçan, në Maqedonia e Veriut, një zonë e banuar nga më pak se 2500 banorë, e shtrirë mes Strugës dhe Dibrës, pranë kufirit me Shqipërinë.
Bëhet fjalë për një kufi jo shumë të frekuentuar, por që për Maqedoninë e Veriut ka rëndësi strategjike, pasi lidhet me zonën e Gollobordës, ku përdoret gjerësisht një e folme e vjetër bullgare dhe ku një pjesë e banorëve kanë shtetësi bullgare ose maqedonase.
Vevçani ndodhet pranë malësisë së Jabllanicës, një territor ku prej shekujsh, gjatë sundimit bullgar në mesjetën e hershme, u ndërtuan manastire dhe kisha ortodokse me lidhje historike me Sofjen.
Gjatë shekujve XIX dhe XX, në periudhën e zhvendosjeve të shqiptarëve nga trojet e tyre në Ballkan, Serbia e përdori këtë territor për të krijuar një ishull me “rrënjë të vjetra sllave”. Ky ishull ekziston edhe sot, megjithëse ekonomikisht dhe demografikisht nuk ka peshë të veçantë.
Në Vevçan ekziston një traditë karnavalesh, e cila është shndërruar në një trampolinë identiteti kombëtar për qarqe maqedonase që kanë pasiguri për rrënjët e tyre gjuhësore dhe etnike. Kështu është ndërtuar narrativa e një tradite gjoja 1400-vjeçare të karnavaleve satirike, ku parodizohen figura politike.
Është e pabesueshme të mendohet se prej 1400 vjetësh banorët e malësisë së Jabllanicës merreshin me parodi të tipit “Saturday Night Live”. Megjithatë, para disa ditësh atje u zhvillua karnavali vjetor, i cili mori jehonë të gjerë mediatike.
Kjo ndodhi sepse, përveç talljes me “Diellën” e Edi Ramës të rrethuar nga policë, në parodizim të hetimeve për AKSH-in në Shqipëri; në karnaval parakaluan edhe persona të veshur si paramilitarët famëkeq të Željko Ražnatović, i njohur si Arkani, autorë të masakrave në Bosnjë dhe Kosovë gjatë luftërave të viteve ’90.
Njëri prej karnavalistëve mbante edhe një tigër pellushi, siç bënte Arkani në daljet publike, me ndryshimin se në rastin e tij tigri ishte real.
Mediat dhe politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me pak përjashtime, nuk u morën seriozisht me këtë rast, duke e trajtuar si shfaqje të mendësive nacionaliste dhe shoviniste.
Por dy ditë më pas, dokumente dhe raporte ndërkombëtare sollën në vëmendje zërat për një pakt të mundshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, ku në të ashtuquajturin “Rend i Ri Botëror” do të përfshihej edhe Ballkani.
Radio Europa e Lirë raportoi se Sergey Lavrov ka gati një plan negociatash për Ballkanin, çka ka shqetësuar vendet që kanë marrëdhënie problematike me Moskën.
Një raport gjerman, i hartuar prej kohësh, e sheh pikërisht Maqedoninë e Veriut si një zonë potencialisht të rrezikshme për rihapjen e diskutimeve mbi ndarjen e territoreve. Ky ishte edhe shkaku pse Angela Merkel kundërshtoi ashpër planin e shkëmbimit të territoreve gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Vevçani është një komunë me shumicë maqedonase ortodokse, e ndarë administrativisht nga Struga në vitin 2004, dhe ndodhet rreth 8–10 km nga kufiri me Shqipërinë, me lidhje të drejtpërdrejta me Pogradecin dhe Tiranën.
Në shtator 1991, më pak se dy javë pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë nga Jugosllavia, Vevçani shpalli simbolikisht pavarësinë përmes një referendumi lokal. Ky akt nuk u njoh, por mbetet tregues i një tradite lokale rebelizmi simbolik.
Zhvillimet e fundit e vendosin Vevçanin në një kontekst të ri. Gjatë 13 dhe 14 janarit, në kuadër të karnavalit të Shën Vasilit, ritual i lidhur me Vitin e Ri sipas kalendarit Julian, u dëgjua kënga nacional-shoviniste serbe “Ko to kaže, ko to laže, Srbija je mala”.
Gjatë viteve ’90, kjo këngë është përdorur nga ushtria, policia dhe formacionet paramilitare serbe në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Prania e saj në një festival tradicional nuk provon një strategji shtetërore maqedonase, por tregon depërtimin e narrativave ekspansioniste në zona të pakontrolluara.
Në këtë zonë, ku pothuajse nuk ka popullsi shqiptare, ndikimi rus është i dukshëm përmes pankartave dhe grafiteve. Edhe pse është territor i vogël, ai konsiderohet potencialisht si vatër ndikimi, e përdorshme nga Rusia si zonë tampon në një rikonfigurim gjeopolitik.
Jo rastësisht, në vitin 1991 Vevçani shpalli simbolikisht pavarësinë, duke u paraqitur si një hapësirë ruso-serbe në afërsi të Shqipërisë, konkretisht me krahinën e Gollobordës, ku zhvillohen shpesh aktivitete të përbashkëta “folklorike”, dhe ku përveç banorëve vërehen edhe prani zyrtarësh dhe oficerësh të shërbimeve sekrete./Pamfleti
