Shkruar nga Anatol Lieven
Trump po sulmon ashpër aleatët, ndërsa partnerët evropianë po i kthejnë gjithnjë e më shumë shpinën luftës së tij. Që të gjitha këto janë shenja se kjo është më shumë se thjesht një ndarje momentale…
Presidenti legjendar francez, gjenerali Charles de Gaulle, thoshte dikur me ironi: “Traktatet janë si vajzat e reja dhe trëndafilat; zgjasin aq sa zgjasin…”. Sipas këtij standardi, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut duket se po vyshket shumë shpejt.
Lufta izraelito-amerikane ndaj Iranit ka hapur (ose ka zbuluar) ndarje që mund të rezultojnë fatale. Në deklaratën e parë nga e djathta evropiane këtë javë, Tino Chrupalla, zëdhënësi federal i partisë gjermane “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), deklaroi: “Le të fillojmë të zbatojmë atë që thotë manifesti i partisë sonë: tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Gjermania”.
Ai tha se Gjermania nuk mund ta quajë veten një vend vërtet sovran, për sa kohë që strehon baza të huaja mbi të cilat nuk ka kontroll real. Chrupalla lëvdoi veprimin e qeverisë spanjolle për mbylljen e bazave amerikane dhe hapësirës ajrore spanjolle ndaj pjesëmarresve në luftën e Iranit.
“Anijet me flamur spanjoll lejohen të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Pse spanjollët lejohen të kalojnë? Sepse Spanja ka mbyllur bazat e saj për luftën në Iran. Dhe kjo është plotësisht e drejtë”, theksoi ai.
Kjo është një kundërpërgjigje e qartë ndaj deklaratës së fundit të presidentit amerikan Trump se “vendet si Britania e Madhe”, që refuzuan të përfshiheshin në luftën e Iranit, duhet “të shkojnë dhe të gjejnë naftën e tyre”.
Në fakt, Irani ka lejuar të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit anijet me naftë të destinuar për vendet neutrale. Megjithatë, kuptohet që Teherani nuk i konsideron si vërtet “neutrale” vendet evropiane që strehojnë baza, nga të cilat SHBA-ja po sulmon Iranin.
Nëse lufta vazhdon dhe përkeqësohet mungesa e energjisë në Europë, do të shtohen thirrjet që vendet e tjera evropiane të ndjekin shembullin e Spanjës. Fati i shteteve arabe të Gjirit në këtë luftë ka nënvizuar rreziqet e strehimit të forcave ushtarake të huaja që nuk i kontrollon dot. Franca dhe Italia po fillojnë vërtet të drejtohen drejt këtij kursi.
Italia i ka mohuar lejen avionëve amerikanë që të shkojnë në luftë duke u rifurnizuar me karburant në territorin e saj. Franca ka mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet amerikane të lidhura me luftën.
Reagimi i Trump ka qenë parashikueshëm shumë i keq, duke shkruar në një postim se “SHBA-ja do ta mbajë mend” mungesën e ndihmës së Francës dhe duke paralajmëruar Britaninë dhe Francën: “Do t’ju duhet të mësoni si të luftoni për veten tuaj; SHBA-ja nuk do të jetë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç ju nuk ishit aty për ne”.
Kjo pavarësisht faktit se Britania e ka lejuar SHBA-në të përdorë bazat e saj për sulme ndaj Iranit, zyrtarisht, vetëm për ato që “mbrojnë” Ngushticën e Hormuzit.
Por kush po e kontrollon këtë? Në një mënyrë më të matur, por ndoshta edhe më kërcënuese, Sekretari i Shtetit Marco Rubio është shprehur: “Nëse NATO shërben vetëm që ne të mbrojmë Europën nëse ata sulmohen, por më pas na mohohen të drejtat e bazave kur ne kemi nevojë për to, kjo nuk është një marrëveshje shumë e mirë. Është e vështirë të mbetesh i angazhuar dhe të thuash se kjo është mirë për Shtetet e Bashkuara. Pra, e gjithë kjo do të duhet të rishikohet.”
Natyrisht, NATO ka kaluar kriza edhe më parë. Presidenti Eisenhower i dha fund kontrollit anglo-francez të Kanalit të Suezit në vitin 1956 përmes presionit ekonomik. Presidenti Johnson u tërbua nga inati me refuzimin britanik për të dërguar trupa në Vietnam. SHBA-ja kundërshtoi ashpër në vitet 1970 ndërtimin e rrjetit të gazsjellësve nga Siberia në Europë. Franca dhe Gjermania nxitën një zemërim të madh nga administrata Bush kur refuzuan të merrnin pjesë në sulmin ndaj Irakut në vitin 2003.
Megjithatë, kjo krizë duket dukshëm më e rëndë. Me përjashtim të Suezit (ku ishte SHBA-ja ajo që i dha fund luftës), asnjë nga këto raste nuk preku interesat jetike të Europës apo SHBA-së. Po ashtu, Uashingtoni ishte i vetëdijshëm se pjesëmarrja evropiane në luftërat në Vietnam dhe Irak do të kishte qenë pothuajse tërësisht simbolike. Ndërkohë, një lëvizje e bashkuar evropiane për të mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet amerikane do të dëmtonte seriozisht fushatën e SHBA-së kundër Iranit.
Nga ana evropiane, asnjë nga përplasjet e mëparshme me SHBA-në nuk pati pasoja të drejtpërdrejta dhe të dukshme për ekonomitë dhe sistemet politike evropiane. Lufta e Iranit rrezikon të krijojë një krizë të rëndë ekonomike, që nga ana tjetër do të çojë në rritjen e radikalizimit dhe polarizimit në Europë. Së fundi, në rastin e luftës në Irak pati të paktën një fasadë konsultimi dhe arsyetimi nga administrata Bush. Ndërkaq, administrata Trump nisi sulmin e fundit ndaj Iranit pa asnjë konsultim me aleatët e NATO-s, dhe mbi bazën e arsyetimeve që janë sa jokoherente, aq edhe haptazi të rreme.
Në refuzimin e tyre për të marrë pjesë në luftën e Iranit, qeveritë e Europës Perëndimore kanë mbështetje solide nga popullatat e tyre, ku shumica e madhe në çdo vend kundërshton fushatën izraelito-amerikane. Kundërshtimi i publikut europian ndaj luftës është rritur ndjeshëm nga antipatia e madhe ndaj Trumpit në Europë dhe fyerjet e tij të rënda kundër vendeve evropiane. Ky ka qenë një faktor kyç në zhvendosjen e lëvizjeve populiste të djathta si AfD drejt distancimit ose kundërshtimit të luftës.
Si lëvizje të vetëdeklaruara patriotike, ato nuk mund të shihen sikur mbajnë anën e sulmeve ndaj kombeve të tyre. Në rastin e Britanisë, vendi më instinktivisht pro-amerikan nga të gjitha vendet e NATO-s, Trump shkaktoi shumë zemërim me fyerjet e tij ndaj forcave të armatosura britanike, duke detyruar madje edhe partitë opozitare të dalin në mbrojtje të kryeministrit Keir Starmer kur Trump e fyeu atë personalisht.
Pothuajse 60 për qind e britanikëve të pyetur në një sondazh, e kundërshtojnë përdorimin e bazave britanike nga SHBA-ja për luftën. Në sfondin e këtyre reagimeve evropiane qëndron edhe mungesa në rritje e popullaritetit të Izraelit në popullatat evropiane, veçanërisht te brezi i ri.
Edhe para sulmit ndaj Iranit, mizoritë izraelite në Gaza kishin bërë që 63-70 për qind e evropianëve të pyetur të mbanin një qëndrim të pafavorshëm ndaj Izraelit. Me një rëndësi të dukshme për të ardhmen e politikës evropiane, këto shifra janë konsiderueshëm më të larta te brezi i ri.
Një pengesë e madhe për distancimin evropian nga Uashingtoni ka qenë lufta në Ukrainë, frika evropiane nga një sulm i Rusisë dhe dëshira pasuese për mbështetje të vazhdueshme ushtarake të SHBA-së. Megjithatë, siç po e tregojnë interesat ruse dhe përparimi tmerrësisht i ngadaltë dhe me kosto të jashtëzakonshme i luftës tokësore ruse kundër Ukrainës, ky kërcënim i supozuar rus është sa hipotetik, aq edhe i ekzagjeruar.
Ndërsa kërcënimi i luftës së Iranit ndaj ekonomive evropiane është krejtësisht real dhe i pashmangshëm. Sa më gjatë të vazhdojë lufta në Iran, aq më i madh do të jetë presioni në Europë për të arritur një marrëveshje me Iranin, sidomos nëse estabilishmentet evropiane kanë arritur në përfundimin se nuk ia vlen më garancia e NATO-s për mbrojtje ushtarake nga SHBA-ja.
Së fundi, mbetet pyetja se çfarë do të bëjë Trump pas luftës në Iran. Është sugjeruar – le të shpresojmë gabimisht – se një mënyrë se si ai mund të largojë vëmendjen nga dështimi në Iran dhe të fitojë njëfarë kompensimi, mund të jetë pushtimi i Grenlandës.
Kjo do t’i jepte fund NATO-s, sepse asnjë aleancë nuk mund t’i mbijetojë një sulmi të hapur nga anëtari i saj kryesor ndaj një tjetri. Pastaj mbetet fakti se Rusia nuk ka pretenduar asnjë centimetër të vetëm të territorit të NATO-s.
Nëse SHBA-ja nuk e mbron më, por përkundrazi e sulmon Europën, dhe nëse Evropa nuk shërben më si një pistë ajrore për projektimin e forcës amerikane gjetkë në botë, atëherë do të jenë zhdukur arsyet bazë për ekzistencën e NATO-s./Përshtati “Pamfleti” nga “Responsible Statecraft”

