Pas dy vitesh me sanksione nga Bashkimi Evropian, Kosova vazhdon të përballet me pasoja të rënda në ekonomi dhe zhvillim. BE vendosi masat ndëshkuese në vitin 2023, pas tensioneve të forta në veri të vendit midis komunitetit serb dhe autoriteteve të Kosovës. Këto tensione nisën pas zgjedhjeve lokale, ku serbët bojkotuan procesin, dhe më pas pati përplasje të dhunshme me policinë.
Sipas një raporti të Institutit GAP, Kosova ka humbur deri tani rreth 7.1 milionë euro, ndërsa mbi 600 milionë euro në projekte të ndryshme janë bllokuar. Këto projekte përfshijnë fusha të rëndësishme si mjedisi, turizmi, energjia dhe digjitalizimi pra fusha që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.
BE tani ka sinjalizuar se mund të fillojë heqjen graduale të sanksioneve. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se kjo do të ndodhë nëse Kosova tregon përmirësim në uljen e tensioneve në veri dhe në angazhimin për reforma demokratike.
Por situata në veri mbetet e vështirë dhe vendi është aktualisht pa qeveri pas zgjedhjeve të fundit, çka e bën procesin edhe më të ndërlikuar.
Ndërkohë, shumë ekspertë pohojnë se sanksionet kanë ndikuar më shumë te qytetarët e zakonshëm dhe po e dëmtojnë përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Ato kanë ulur investimet dhe kanë përkeqësuar varësinë e vendit nga qymyri për energji, duke ndalur projekte të rëndësishme për ujin, kanalizimet dhe mbrojtjen nga përmbytjet.