Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti
Martin Luther King Jr. e përmblodhi një nga thirrjet më të fuqishme morale të kohës me fjalinë: “Ne, si komb, duhet të përjetojmë një revolucion rrënjësor të vlerave.” Për të, ndryshimi i vërtetë nuk mund të kufizohej vetëm te ligjet, zgjedhjet apo institucionet. Revolucioni duhej të prekte ndërgjegjen e shoqërisë, mënyrën se si njerëzit e kuptojnë drejtësinë, përgjegjësinë, lirinë dhe të mirën e përbashkët. Sepse një shoqëri mund të ndërtojë institucione moderne, por nëse vazhdon të udhëhiqet nga korrupsioni, egoizmi, urrejtja dhe indiferenca, ajo mbetet e varfër në vlera.
King paralajmëronte gjithashtu se “vjen një moment kur heshtja është tradhti.” Kjo nuk do të thotë se çdo njeri duhet të flasë për çdo çështje apo të marrë pjesë në çdo konflikt. Nuk do të thotë që postimet çdo një orë e për gjithçka në rrjete sociale me fjalë kundërshtimi, përqeshje e cinizmi e ndërtojnë shoqërinë dhe justifikojnë aktivizmin e autorit. Do të thotë se, përballë padrejtësive të dukshme dhe zhvillimeve që kërcënojnë lirinë, dinjitetin dhe rendin shoqëror, indiferenca nuk mund të paraqitet gjithmonë si maturi. Ka momente kur heshtja bëhet bashkëpunim pasiv me të keqen.
E gjithë bota është infektuar nga sëmundja e anti-vlerës por edhe Shqipëria ka nevojë për një revolucion të vlerave. Jo për një revolucion të dhunshëm, shkatërrues apo anarkik, por për një ndryshim të thellë moral në mënyrën se si mendojmë, qeverisim dhe bashkëjetojmë. Ky revolucion duhet të nisë me një qëndrim të prerë kundër korrupsionit, klientelizmit dhe abuzimit me pushtetin si për ata që janë në krye ashtu edhe për individët e thjeshtë. Duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: korrupsioni nuk matet vetëm me shumën e parave që kalojnë nga një dorë në tjetrën. Ai duhet të vlerësohet edhe, madje mbi të gjitha, nga dëmi që shkakton.
Korrupsioni në nivelet e larta të shtetit mund të përfshijë tenderë të manipuluar, koncesione abuzive, favore politike dhe shpërdorim të pasurisë publike. Pasojat e tij mund të prekin mijëra apo miliona qytetarë. Por kjo nuk do të thotë se korrupsioni i vogël është moralisht i parëndësishëm. Një shitës që shet akullore të skaduara dhe helmon një fëmijë, një tregtar që vjedh në peshë pensionistin, një mësues apo pedagog që merr ryshfet për një notë, apo një oficer i organeve ligjzbatuese që, kundrejt parave, lë pandëshkuar një shofer të dehur, i cili më pas mund të shtypë një kalimtar, nuk janë thjesht raste të “korrupsionit të vogël”. Ato janë veprime që mund të cenojnë shëndetin, dinjitetin, të ardhmen dhe madje jetën e njerëzve. Janë këto veprime që e standardizojnë korrupsionin në shoqëri.
Një shoqëri që toleron shkeljen e vogël krijon terrenin për abuzimin e madh. Kur qytetari thotë “nuk ka gjë se është vetëm një peshë më pak”, “nuk ka gjë se është vetëm një notë”, “nuk ka gjë se është vetëm një gjobë e falur”, ai nuk po toleron thjesht një veprim individual. Ai po ndihmon në normalizimin e një kulture ku rregulli vlen vetëm për të dobëtin dhe ku morali negociohet sipas interesit.
Kush e standardizon korrupsionin: drejtuesit apo individi? Përgjigjja është: të dyja palët, por në nivele të ndryshme. Drejtuesit dhe institucionet vendosin standardet përmes ligjeve, kontrollit, ndëshkimit dhe shembullit publik. Kur një zyrtar i lartë shpëton nga përgjegjësia, ai dërgon një mesazh të rrezikshëm te shoqëria: se pushteti mund të blejë imunitet. Por edhe individi ka përgjegjësinë e vet. Shoqëria nuk mund të presë që morali të vijë vetëm nga lart. Çdo qytetar e standardizon korrupsionin sa herë që e justifikon, e paguan, e kërkon ose hesht përballë tij.
Revolucioni i vlerave duhet të rikthejë bindjen se shërbimi publik është përgjegjësi, jo privilegj; se posti shtetëror është detyrë, jo pasuri personale; dhe se suksesi i një individi nuk duhet të ndërtohet mbi dëmin e tjetrit. Ai duhet të shoqërohet me dashuri për të mirën e përbashkët, respekt për ligjin, ruajtje të traditës dhe vlerave kombëtare, si dhe me përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, revolucioni i vlerave kërkon një qëndrim aktiv kundër frymërave përçarëse dhe agjendave radikale që synojnë ta copëtojnë shoqërinë në identitete armiqësore. Shqipëria ka nevojë për debat, por jo për urrejtje; për protesta, por jo për shkatërrim; për opozitë, por jo për delegjitimimin e çdo institucioni; për ndryshim, por jo për rrënimin e rendit kushtetues.
Protesta është një e drejtë themelore demokratike. Por ajo humbet karakterin e saj demokratik kur shndërrohet në dhunë, kërcënim, intimidim apo përpjekje për të zëvendësuar vullnetin qytetar me kaosin e rrugës. Një protestë që nuk kërkon drejtësi, por fsheh një agjendë anarkie dhe radikalizmi, nuk duhet të legjitimohet vetëm sepse përdor gjuhën e pakënaqësisë qytetare. Një protestë që mbart në gjirin e vet elementë kërcënues për Republikën dhe rrugëtimin e vendit në BE, që lufton institucionin e familjes dhe synon të prishë marrëdhëniet e ngushta të vendit me aleatët strategjikë perëndimorë, është mjet agjendash e jo më rreze shprese.
Pikërisht këtu heshtja bëhet e rrezikshme. Nëse qytetarët heshtin përballë korrupsionit, gjuhës së urrejtjes, dhunës, përçarjes dhe sulmeve ndaj rendit kushtetues, hapësira publike u lihet atyre që nuk besojnë te dialogu, ligji dhe institucionet. Të mos reagosh ndaj këtyre dukurive nuk është gjithmonë neutralitet. Në momente të caktuara, është dorëzim.
Shqipëria nuk ka nevojë për një revolucion që shkatërron gjithçka, por për një revolucion që pastron ndërgjegjen publike. Ai fillon kur refuzojmë ta pranojmë të keqen si normalitet. Fillon kur kuptojmë se liria pa përgjegjësi bëhet kaos, demokracia pa ligj bëhet populizëm dhe patriotizmi pa moral bëhet propagandë.
Shqiptarët, e kryesisht analistët, blogerët, individët e pasionuar pas postimeve në rrjete sociale duhet të tregohen tejet të matur në raport me të vërtetën. Historia na mëson se gënjeshtrat më të rrezikshme nuk janë ato që janë 100% të rreme. Ato dallohen lehtësisht. Gënjeshtrat më të rrezikshme janë ato që janë 99% të vërteta. Ai 1% shtrembërues ka çuar gjithmonë në shkatërrim. Dhe dallohet dukshëm sot në Shqipëri tsunami i pandalshëm i të pavërtetave që ushqejnë rrjetet sociale, tragjikisht me autorësi edhe të individëve me status intelektuali. Shtrembërime që në vend të promovojnë drejtësinë e çojnë opinionin publik drejt një perceptimi të shtrembërt e shkatërrimtar.
Nëse duam një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më evropiane, duhet të zgjohemi nga indiferenca. Duhet të shmangim shtrembërimet e të flasim me përgjegjësi e me arsyetim të vërtetë kur korrupsioni dëmton shoqërinë, kur përçarja kërcënon bashkëjetesën, kur radikalizmi, si ai politik ashtu edhe fetar, që ka arritur sot nivele tejet të larta në shoqërinë tonë, sulmon institucionet dhe kur dhuna përpiqet të maskohet si demokraci. Sepse heshtja përballë padrejtësisë mund të shndërrohet në tradhti. Dhe një komb që dëshiron të ecë përpara nuk duhet të flejë ndërsa vlerat e tij vihen në rrezik.
Historia është plot me njerëz që besonin se po shpëtonin atdheun e tyre. Robespierre mendonte se po mbronte virtytin e revolucionit, duke dëshmuar se lufta kundër padrejtësisë kthehet në terror dhe radikalizëm. Gorbaçovi mendoi se po shpëtonte Bashkimin Sovjetik, ndërkohë tregoi se reformat me qëllim shpëtimi çojnë në shpërbërje për shkak të mungesës së kontrollit dhe parashikimit, ndërsa ndërhyrësit në Libi kujtuan se po mbronin civilët, ndërkohë rezultoi se një kauzë e paraqitur si humanitare përfundon në destabilizim sepse rrëzimi i rendit nuk shoqërohet me një rend të ri.
Por historia nuk i gjykon vetëm qëllimet; ajo i gjykon edhe pasojat. Një zemër e mirë, kur nuk shoqërohet me urtësi, përgjegjësi dhe parashikim, mund të hapë rrugën drejt një katastrofe.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë: ndryshimi duhet të jetë i thellë, por jo shkatërrues; protestat duhet të jenë të forta, por demokratike; lufta kundër korrupsionit duhet të mbrojë shtetin e së drejtës, jo të përdoret si justifikim për anarki; dhe revolucioni i vlerave duhet të ndërtojë institucione më të mira, jo t’i rrëzojë ato pa një alternativë të përgjegjshme.

