Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se beson se lufta me Iranin do të përfundojë “menjëherë pas” zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit.
Duke folur me gazetarët në bazën ajrore Andrews, pranë Uashingtonit, Trump pretendoi se Teherani po përpiqet të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve dhe të rezistojë deri në përfundimin e tyre.
“Ata nuk mund të rezistojnë më. Po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të mbështeten te zgjedhjet”, deklaroi Trump, duke iu referuar iranianëve.
Presidenti amerikan parashikoi gjithashtu se pas zgjedhjeve do të bien edhe çmimet e karburanteve.
Trump la të hapur mundësinë e negociatave me Teheranin, por në të njëjtën kohë tha se nuk është i interesuar për një marrëveshje, pasi, sipas tij, administrata amerikane po bën “shumë më tepër sesa një marrëveshje për armët bërthamore”.

