Operacioni me pager-a e kapi Hezbollahun në befasi, habiti Uashingtonin dhe zbuloi vite përgatitjesh izraelite pas një prej operacioneve më të guximshme të inteligjencës në historinë modern…
Në orën 15:30 të 17 shtatorit 2024, pager-at nisën të sinjalizonin në Bejrut dhe në pjesë të tjera të Libanit, duke njoftuar operativët e Hezbollahut për një mesazh që dukej sikur vinte nga drejtuesit e tyre. Por mesazhi nuk vinte nga Hassan Nasrallah apo nga ndonjë drejtues tjetër i organizatës. Brenda më pak se dhjetë sekondash, pajisjet nisën të shpërthenin.
Shpërthimet goditën operativë të Hezbollahut në vende të ndryshme, përfshirë rrugë dhe supermarkete. Shpejt u bë e qartë se bëhej fjalë për një operacion sabotimi në shkallë të gjerë.
Sipas The Jerusalem Post, shpërthimet e pager-ave vranë ose plagosën rreth 3.500 operativë të Hezbollahut. Mes viktimave ishin edhe fëmijë, ndërsa u plagosën gjithashtu civilë të tjerë. Media izraelite e paraqet shkallën e goditjes ndaj anëtarëve të Hezbollahut si një nga karakteristikat kryesore të operacionit.
“Ky ishte operacioni më mbresëlënës ndaj një zinxhiri furnizimi në historinë moderne të inteligjencës, dhe ndoshta i të gjitha kohërave”, thanë autorët se u deklaroi gjenerali David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu argumentoi se personat që pajiseshin me pager-a zakonisht kishin role të rëndësishme në strukturat e komandimit dhe kontrollit të Hezbollahut.
Një ditë më vonë, ndërsa Hezbollahu përpiqej të ndryshonte mënyrat e komunikimit, një valë tjetër shpërthimesh përfshiu radio dore, telefona dhe pajisje të tjera. Sipas raportimit, rreth 500 operativë të tjerë u plagosën.
Operacioni ndryshoi ndjeshëm situatën për Hezbollahun, i cili deri atëherë e konsideronte arsenalin e tij të madh të raketave si një element të rëndësishëm frenues ndaj Izraelit.
Në selinë e Mossadit në Tel Aviv, situata ishte e tensionuar edhe vetëm dhjetë minuta përpara aktivizimit të pager-ave. Në sallën operative të agjencisë, ekipet prisnin informacionet nga terreni. Pas viteve përgatitjeje dhe investimeve të konsiderueshme, një dështim do të kishte pasoja serioze për operacionin dhe për besueshmërinë e shërbimit izraelit të inteligjencës.
Edhe në minutat e para pas shpërthimeve, Mossadi nuk e kishte të qartë shkallën e suksesit, pasi nuk kishte një sistem gjurmimi në distancë që të tregonte menjëherë rezultatet.
Vetëm pasi mediat nisën të raportonin shpërthime jo vetëm në Bejrut, por edhe në zona të tjera të Libanit, përfshirë Luginën Bekaa, një bastion i Hezbollahut, drejtuesit e operacionit kuptuan përmasat e goditjes. “Kishim përgatitur një surprizë”, tha Netanyahu për autorët e raportimit. “Ata nuk e dinin se çfarë i goditi.”
Izraeli e njoftoi Shtëpinë e Bardhë, por pa dhënë hollësi
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden u kap gjithashtu në befasi.
Dan Shapiro, atëherë zëvendësndihmëssekretar amerikan i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe ish-ambasador i SHBA-së në Izrael, kujtoi se mëngjesin e 17 shtatorit Uashingtoni mori një kërkesë për një telefonatë urgjente.
Sipas tij, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, i tha sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, se Izraeli kishte një “kapacitet të posaçëm” që ishte gati ta përdorte në Liban. Gallant nuk shpjegoi konkretisht se çfarë ishte ky kapacitet ose si funksiononte, por donte që Austin të kishte një paralajmërim paraprak.
Një zyrtar i lartë izraelit pranë Netanyahut u tha autorëve të raportimit në atë kohë se objektivat e dy vendeve ndryshonin: Uashingtoni kërkonte uljen e tensioneve, ndërsa qeveria izraelite synonte fitoren në luftë.
“Kur telefonata përfundoi, ende nuk e kishim shumë të qartë se çfarë po përshkruante”, tha Shapiro. “Por brenda më pak se 30 minutash nisëm të shihnim raportimet në CNN dhe rrjete të tjera televizive për shpërthime në Liban.”
Në këtë mënyrë, zyrtarët amerikanë mësuan për natyrën e “kapacitetit të posaçëm” pothuajse në të njëjtën kohë me publikun.
Shapiro tha se operacioni ishte i pazakontë dhe, në disa aspekte, mbresëlënës. Sipas tij, administrata Biden ishte seriozisht e shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit, por njëkohësisht zyrtarët amerikanë vlerësuan kreativitetin, fshehtësinë dhe mënyrën e shënjestrimit të anëtarëve të Hezbollahut.
Ndryshimi i strategjisë në frontin verior
Sipas raportimit të The Jerusalem Post, një moment kyç kishte ardhur më 25 gusht 2024, rreth tri javë përpara operacionit me pager-a.
Hezbollahu kishte planifikuar atë ditë të lëshonte disa qindra, ndoshta deri në një mijë raketa, përfshirë ndaj objekteve të inteligjencës izraelite në veri të Tel Avivit. Ushtria izraelite ndërhyri paraprakisht dhe, sipas versionit izraelit të ngjarjeve, shkatërroi shumicën e raketave dhe dronëve që Hezbollahu synonte të përdorte, si dhe mijëra mjete të tjera, përpara lëshimit të tyre.
Ky rezultat ndikoi në mënyrën se si Netanyahu e shihte frontin verior. Pyetja strategjike për qeverinë izraelite ishte nëse Izraeli mund të shkatërronte paraprakisht një pjesë të mjaftueshme të raketave dhe sistemeve të lëshimit të Hezbollahut për të zvogëluar ndjeshëm viktimat e mundshme izraelite në rast të një lufte të përgjithshme.
Sipas autorëve, ky vlerësim ndryshoi qasjen izraelite ndaj frontit me Libanin.

Një operacion i përgatitur prej vitesh
Historia e pajisjeve të manipuluara, sipas raportimit, kishte nisur pothuajse dy dekada më herët.
Themelet e para u vendosën nga Yossi Cohen gjatë periudhës 2002-2006, kur Meir Dagan drejtonte Mossadin. Dagan qëndroi në krye të agjencisë nga viti 2002 deri më 2011, ndërsa Cohen më vonë do ta drejtonte Mossadin nga viti 2016 deri më 2021.
Në vitin 2014, Mossadi dhe inteligjenca ushtarake izraelite nisën të zgjeronin përpjekjet për mbikëqyrje dhe sabotim, duke u përqendruar edhe te radiot e komunikimit të Hezbollahut. Në atë periudhë, Tamir Pardo drejtonte Mossadin dhe Herzi Halevi inteligjencën ushtarake.
Plani synonte që shërbimet izraelite t’i përdornin radiot njëkohësisht si mjete mbikëqyrjeje dhe si armë që mund të aktivizoheshin në rast të një lufte të përgjithshme.
“Radioja ishte një armë, njësoj si një plumb, raketë apo predhë mortaje”, deklaroi për emisionin 60 Minutes të CBS një ish-agjent i Mossadit, i identifikuar me pseudonimin Michael.
Sipas tij, brenda radios ndodhej një bateri e prodhuar në Izrael, në një strukturë të Mossadit, e cila përmbante edhe një mekanizëm shpërthyes. Pajisjet ishin projektuar në mënyrë që luftëtarët e Hezbollahut t’i mbanin në xhepin e kraharorit të jelekut taktik. Sipas raportimit, Hezbollahu bleu më shumë se 15 mijë të tilla.
Megjithatë, radiot kishin një kufizim të rëndësishëm për Mossadin: luftëtarët e Hezbollahut pritej t’i përdornin kryesisht gjatë luftës ose stërvitjeve ushtarake. Në pjesën tjetër të kohës ato qëndronin në objektet ushtarake.
Për këtë arsye, Mossadi kërkonte një pajisje që operativët e Hezbollahut ta mbanin vazhdimisht me vete.
Telefonat celularë nuk ishin zgjidhja. Nasrallah kishte paralajmëruar prej kohësh anëtarët e Hezbollahut se Izraeli mund t’i përdorte rrjetet celulare për t’i gjurmuar dhe u kërkonte të kalonin te teknologji më të thjeshta.
“Ju më pyesni ku është agjenti. Unë ju them se telefoni në duart tuaja është agjenti”, kishte deklaruar Nasrallah, duke u kërkuar mbështetësve të tij t’i hiqnin telefonat nga përdorimi.
Nasrallah preferonte pager-at, sepse ata mund të merrnin mesazhe pa transmetuar vazhdimisht vendndodhjen e përdoruesit. Sipas raportimit të The Jerusalem Post, pikërisht kjo bindje krijoi mundësinë që Mossadi kërkonte për të depërtuar në sistemin e komunikimit të Hezbollahut. /Përshtati Pamfleti nga Jerusalem Post/

