Në pamje të parë ishte një tërheqje e qartë e Minskut: Volodymyr Zelensky i dha Alexander Lukashenkos një javë për të çaktivizuar sistemet ruse në Bjellorusi që ndihmonin në drejtimin e dronëve drejt Ukrainës dhe, vetëm tri ditë pas ultimatumit, ato u çaktivizuan. Por analisti Boris Ginzburg argumenton në një analizë për Center for European Policy Analysis (CEPA) se historia është më e ndërlikuar. Sipas tij, Zelensky arriti atë që kërkonte, ndërsa Lukashenko e përdori tërheqjen për interesat e veta: të shmangë një përplasje me Ukrainën, të distancohet nga Vladimir Putin dhe t'i dërgojë Moskës mesazhin se nuk mund të përfshijë trupat bjelloruse në luftë. Problemi është se kjo lojë mund të mos funksionojë për herë të dytë.
Që nga fillimi i këtij viti, Ukraina kishte ashpërsuar dukshëm gjuhën publike ndaj Bjellorusisë. Tensioni arriti kulmin më 19 qershor, kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dha Minsk-ut një ultimatum.
Kërkesa ishte konkrete: Bjellorusia kishte një javë kohë për të çaktivizuar përforcuesit rusë të sinjalit të vendosur në territorin e saj, të cilët përdoreshin për kontrollin e dronëve që fluturonin drejt Ukrainës.
Mesazhi i Zelenskyt ishte se, nëse Lukashenko nuk do të vepronte, Ukraina do ta zgjidhte vetë problemin.
Fillimisht, Lukashenko reagoi me kërcënime ushtarake dhe sulme personale ndaj presidentit ukrainas. Por përplasja verbale nuk zgjati shumë.
Sipas informacioneve të inteligjencës ukrainase të cituara nga analisti Boris Ginzburg, më 22 qershor, vetëm tri ditë pas ultimatumit publik të Zelenskyt, Minsku çaktivizoi sistemet e kontrollit të dronëve.
Në pamje të parë, rezultati ishte i qartë: Kievi kërcënoi dhe Lukashenko u tërhoq.
Por Ginzburg argumenton se pikërisht këtu fillon pjesa më interesante e historisë.
Ndryshimi real i qëndrimit të Lukashenkos kishte ndodhur përpara ultimatumit publik.
Më 15 qershor, katër ditë përpara deklaratës së Zelenskyt, Lukashenko dha një intervistë për Al Arabiya. Gjatë saj ai jo vetëm ndryshoi ndjeshëm tonin ndaj Kievit, por i kërkoi personalisht falje Zelenskyt për fyerjet e mëparshme.
Më e rëndësishme ishte arsyeja që dha.
Lukashenko pranoi publikisht se Bjellorusia është ushtarakisht shumë e ekspozuar ndaj Ukrainës dhe se një konflikt i drejtpërdrejtë do ta vendoste infrastrukturën jetike të vendit në rrezik.
Ai argumentoi se, nëse Ukraina do ta godiste Bjellorusinë në të njëjtën mënyrë siç godet objektivat brenda Rusisë, infrastruktura kryesore prodhuese dhe logjistike bjelloruse do të ishte e cenueshme.
Pikërisht kronologjia e ngjarjeve e shtyn Ginzburgun drejt një hipoteze të rëndësishme: është e mundur që Kievi t’ia kishte komunikuar privatisht kërkesën Lukashenkos përpara se Zelensky ta shpallte publikisht ultimatumin më 19 qershor.
Kjo do të shpjegonte pse udhëheqësi bjellorus kishte filluar të ndryshonte qëndrim që më 15 qershor.
Mediat ndërkombëtare dhe opozita bjelloruse në mërgim e interpretuan tërheqjen si një humbje të Lukashenkos. Në analogjinë që përdor Ginzburg, ishte si momenti përpara një ndeshjeje boksi kur dy kundërshtarët shikojnë njëri-tjetrin në sy dhe njëri prej tyre pulit sytë i pari.
Lukashenko kishte pulitur i pari.
Por autori ngre një pyetje tjetër: Po sikur tërheqja të mos ketë qenë politikisht aq e dëmshme për Lukashenkon sa dukej?
Sipas Ginzburgut, përveç Zelenskyt, nga kjo përballje mund të ketë përfituar edhe vetë udhëheqësi bjellorus.
Arsyeja e parë lidhet me politikën e brendshme.
Studimet mbi sinjalizimin politik tregojnë se një udhëheqës nuk humbet domosdoshmërisht mbështetje kur tërhiqet nga një kërcënim. Nëse arrin ta paraqesë ndryshimin e qëndrimit si një vendim racional për të shmangur luftën dhe për të mbrojtur interesin kombëtar, tërheqja mund të kthehet në avantazh politik.
Sipas analizës, Lukashenko mund ta përdorë pikërisht këtë mekanizëm.
Për shumë vite ai ka ndërtuar mes mbështetësve imazhin e “Bat’ka”, ose “babait”, drejtuesit që garanton stabilitetin dhe sigurinë e Bjellorusisë.
Në këtë interpretim, ai mund t’u thotë qytetarëve se ishte i gatshëm të linte mënjanë egon dhe konfliktin personal me Zelenskyn për të mos futur vendin në një luftë që mund të shkatërronte infrastrukturën bjelloruse.
Kjo përputhet me atë që Ginzburg e quan kontrata sociale autoritare e regjimit: stabilitet dhe siguri në këmbim të kufizimit të lirive politike.
Por ekziston edhe një përfitim i dytë, ndoshta më i rëndësishëm: Putini.
Duke zgjedhur të mos përplaset me Ukrainën, Lukashenko mund të ndërtojë një dallim mes vetes dhe presidentit rus.
Putini zgjedh luftën me Ukrainën; Lukashenko mund të paraqitet si njeriu që zgjedh “paqen”.
Sipas Ginzburgut, Lukashenko po përpiqet prej kohësh ta distancojë imazhin e tij nga Kremlini në sytë e Perëndimit. Objektivi është të krijojë hapësirë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Minskut dhe vendeve perëndimore.
Kjo nuk ndryshon faktin se Bjellorusia i ka dhënë Rusisë mbështetje të rëndësishme gjatë luftës kundër Ukrainës. Por Lukashenko kërkon të tregojë se interesat e Minskut dhe Moskës nuk janë gjithmonë identike.
Ekziston edhe një përfitim i tretë.
Tërheqja përballë Ukrainës mund të shërbejë si mesazh për vetë Kremlinin.
Nëse Rusia do t’i kërkonte Lukashenkos të dërgonte trupa bjelloruse për të luftuar drejtpërdrejt në Ukrainë, ai tashmë mund të argumentojë se një veprim i tillë do ta ekspozonte Bjellorusinë ndaj goditjeve ukrainase.
Me fjalë të tjera, Lukashenko mund t’i thotë Moskës se i ka “duart e lidhura”.
Kështu, një ultimatum që në pamje të parë e poshtëroi udhëheqësin bjellorus mund t’i ketë dhënë atij tri përfitime: një argument për publikun e brendshëm, një mundësi për t’u distancuar nga Putini dhe një justifikim për të mos futur ushtrinë bjelloruse drejtpërdrejt në Ukrainë.
Por këtu Ginzburg vendos edhe kufirin e kësaj strategjie.
Loja mund të funksionojë një herë. Nuk është e sigurt se mund të funksionojë përsëri.
Nëse Zelensky do t’i paraqiste së shpejti një tjetër ultimatum Lukashenkos, udhëheqësi bjellorus do ta kishte shumë më të vështirë të tërhiqej sërish dhe njëkohësisht të ruante imazhin e një drejtuesi të fortë.
Një tërheqje e dytë mund ta dobësonte politikisht brenda vendit.
Por alternativa mund të ishte edhe më problematike për Perëndimin.
Presioni i vazhdueshëm ukrainas mund ta shtyjë Lukashenkon të rikthehet edhe më fort nën mbrojtjen e Moskës.
Dhe këtu çështja nuk do të kishte më të bënte vetëm me Ukrainën dhe Bjellorusinë.
Pozicioni gjeografik i Bjellorusisë e bën vendin jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë e NATO-s. Territori bjellorus ndodhet pranë Korridorit të Suwałkit, brezi strategjik mes Polonisë dhe Lituanisë që lidh shtetet baltike me pjesën tjetër të territorit të NATO-s dhe që konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme të mbrojtjes së Aleancës.
Nëse përplasja me Kievin do ta shtynte Lukashenkon edhe më afër Moskës, paralajmëron analiza, territori bjellorus mund të përdorej për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj NATO-s.
Kjo është arsyeja pse përfundimi i Ginzburgut është disi paradoksal.
Zelensky fitoi përballjen e parë. Ukraina kërkoi çaktivizimin e sistemeve ruse dhe Minsku u tërhoq. Por pikërisht sepse strategjia funksionoi, Kievi duhet të jetë i kujdesshëm që të mos përpiqet ta përsërisë.
Sipas autorit, aleatët perëndimorë të Ukrainës duhet t’ia bëjnë të qartë Kievit se ultimatumet e tjera publike ndaj Minskut duhen shmangur.
Zelensky mund të fitojë pikë politike duke treguar se Ukraina është në gjendje ta detyrojë Lukashenkon të tërhiqet. Por në një përballje të ardhshme, udhëheqësi bjellorus mund të arrijë në përfundimin se nuk mund të tërhiqet përsëri.
Dhe atëherë rezultati mund të jetë krejt tjetër: jo një Lukashenko më i pavarur nga Putini, por një Bjellorusi e shtyrë edhe më thellë në orbitën e Moskës, pikërisht në një nga zonat më të ndjeshme të kufirit lindor të NATO-s.

