Inteligjenca artificiale po përqendron një fuqi të jashtëzakonshme në duart e një grupi të vogël drejtuesish të kompanive më të mëdha të teknologjisë, ndërsa qeveritë po u ofrojnë akses gjithnjë e më të madh në të dhënat publike dhe institucionale. Një analizë e publikuar nga Corriere della Sera ngre pikëpyetje mbi kontrollin e këtyre kompanive, marrëdhëniet e tyre me shtetet dhe rrezikun që zhvillimi i AI të shoqërohet me një përqendrim të paprecedentë pushteti. Në qendër të debatit janë kompani si OpenAI, Anthropic, SpaceX, Meta dhe Alphabet, ndërsa ekonomisti nobelist Daron Acemoglu paralajmëron për pasojat që një model i tillë mund të ketë mbi ekonominë, tregun e punës dhe shoqërinë.
Një detaj më prishi qetësinë gjatë pushimeve të verës. Më tërhoqi vëmendjen një lajm i raportuar nga Reuters: në prag të daljes së saj në bursë, me shumë gjasa brenda pak javësh, Anthropic po përgatit një sistem aksionesh me dy kategori.
“Çfarë rëndësie ka?”, mendova. Rusia bombardon çdo ditë civilët në Ukrainë, Lindja e Mesme është zhytur në një luftë që duket pa rrugëdalje. Benzina dhe gazi kushtojnë shtrenjtë. Të drejtat e votës në asamblenë e aksionarëve të një kompanie dixhitale kaliforniane nuk do të më prishnin gjumin, jo më shumë se temperaturat e larta të verës.
Monarkitë absolute të kapitalizimit
Por më pas mendova për kontekstin. Anthropic sot është një nga kompanitë kryesore në një teknologji që po ndryshon mënyrën se si jetojmë. Dhe mjafton të shohësh konkurrentët e saj për të kuptuar se ku po shkojmë.
Elon Musk ka nxjerrë së fundmi në bursë SpaceX, kompania që përfshin edhe aktivitetet e inteligjencës artificiale, me një sistem të ngjashëm me atë të Anthropic: themeluesi, presidenti, administratori dhe drejtori teknik zotëron një pakicë relative të kapitalit të kompanisë, por kontrollon 84% të të drejtave të votës.
Vetëm Musk mund ta shkarkojë Musk-un. Ai kontrollon të gjitha emërimet në organet mbikëqyrëse dhe për një aksionar, kërcënimi me padi apo kundërshtimi i një vendimi është praktikisht i pamundur.
SpaceX sot është ekuivalenti korporativ i një monarkie absolute me një kapitalizim prej dy trilionë dollarësh.
Mendova gjithashtu për Mark Zuckerberg, i cili zotëron vetëm 13% të kapitalit të Meta, kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, por kontrollon 61% të të drejtave të votës.
Ndërsa Sergey Brin dhe Larry Page zotërojnë 11% të Alphabet, kompania mëmë e Google dhe Gemini, por kontrollojnë 52% të të drejtave të votës.
Sovranët e inteligjencës artificiale
Themeluesit dhe drejtuesit e kompanive më të mëdha të botës në fushën e inteligjencës artificiale, të njëjtët njerëz që predikojnë lirinë e fjalës dhe të veprimit në çdo formë e kanë strukturuar drejtimin e kompanive të tyre si sovranë të epokave të para.
Ata u kërkojnë investitorëve të vendosin paratë e tyre dhe të heshtin, me argumentin se përndryshe ata nuk do të mund të ndjekin vizionet e tyre afatgjata.
Nuk ka këshilltarë të pavarur, organe mbikëqyrëse apo asamble aksionarësh që mund t’i ndalojnë. Sovranët e AI-së përgjigjen vetëm para vetes, ndërsa zhvillojnë dhe aplikojnë në botë një ndryshim teknologjik – dhe për rrjedhojë ushtarak, industrial, financiar, social e kulturor – të një përmase që historia e ka parë rrallë.
Prirja drejt përqendrimit të pushtetit po përshpejtohet madje.
Kompanitë tradicionale të Big Tech, si Google apo Meta, u japin themeluesve të tyre fuqi të shtuara votimi, por historia e kapitalizmit nuk kishte parë më parë një kontroll kaq ekstrem sa ai që Elon Musk ushtron mbi SpaceX.
Ndërkohë, Dario Amodei pritet të ketë kontrollin faktik të vetëm mbi Anthropic, së bashku me motrën e tij dhe një numër shumë të vogël aleatësh, edhe pse zotëron vetëm rreth 2% të kapitalit të një kompanie që në Wall Street mund të vlerësohet me rreth dy trilionë dollarë.
Çfarë do të thotë për pjesën tjetër të botës kjo përqendrim i jashtëzakonshëm pushteti?
Vendet që “shesin shpirtin” te AI
Këtë pyetje duhet t’ua bëjmë qeverive të Maltës, Greqisë dhe Estonisë. Ato janë rastet e para, kaviet e laboratorit.
Po, të treja janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në të trija zbatohen rregullat për privatësinë të parashikuara nga AI Act. Por as ky paketim rregullash të rrepta të miratuara në Bruksel nuk i ka penguar këto tri vende të lidhin marrëveshje me OpenAI, kompaninë e Sam Altman, e cila me shumë gjasa do të dalë në bursë vitin e ardhshëm.
Marrëveshja e Maltës, e njoftuar disi në heshtje në maj, u jep banorëve të ishullit akses falas për një vit në ChatGPT Plus, versioni profesional i OpenAI, si dhe kurse falas për mënyrën se si mund të përdoret sa më mirë inteligjenca artificiale.
Në këmbim, qeveria vë në dispozicion të kompanisë së Sam Altman të dhënat institucionale dhe të dhënat e qytetarëve që nuk kundërshtojnë shprehimisht një gjë të tillë.
Marrëveshjet me Greqinë dhe Estoninë janë vetëm pak më të kufizuara, por të ngjashme. Qeveritë e Athinës dhe Tallinnit vënë në dispozicion të dhënat mbi aktivitetet e tyre dhe të dhënat e qytetarëve, të përpunuara dhe të anonimizuara për të respektuar rregullat evropiane. Në këmbim, ato marrin akses të privilegjuar në shërbimet e ChatGPT, për shembull në sektorin e arsimit.
Diçka të ngjashme po bëjnë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe me projektin Stargate.
Kemi të bëjmë me një kompani që negocion me një sërë shtetesh sovrane dhe merr prej tyre atë që këto shtete nuk do t’ia jepnin kurrë një shteti tjetër sovran: sekretet e tyre të grumbulluara ndër vite, në këmbim të aksesit falas ose të subvencionuar në shërbimet e inteligjencës artificiale për një periudhë të caktuar.
Kjo është vetë përkufizimi i pushtetit në shekullin XXI.
Nevoja për të dhëna të reja
Ndoshta tashmë e keni kuptuar arsyen e këtij shkëmbimi.Gjigantët e inteligjencës artificiale, hyperscalers, tashmë i kanë trajnuar modelet e tyre mbi të gjitha të dhënat që ishin normalisht të disponueshme në internet. Ata tashmë janë ushqyer me burimet dixhitale publike të botës.
Tani kanë nevojë për gjithnjë e më shumë të dhëna të reja për ta bërë teknologjinë e tyre më të fuqishme.
Sa herë që ngarkojmë në Gemini analizat e gjakut për të kuptuar çfarë nënkuptojnë, e bëjmë Google-in më të fuqishëm.Sa herë që kërkojmë në Claude simptomat e një sëmundjeje apo një analizë për një aksion ku kemi investuar, e bëjmë Anthropic më të fuqishme.
Ndërkohë, po krijojmë edhe vende pune, zakonisht të lodhshme, të paguara dobët dhe shpesh të huaja për dinjitetin njerëzor, për mijëra njerëz të punësuar nga hyperscalers përmes kompanive të shërbimit – si Sama, Alignerr, Outlier AI dhe OpenTrain AI – të cilët verifikojnë përmbajtjet dhe filtrojnë ato fyese, të dhunshme, pornografike apo të diskutueshme përpara se të dhënat të përdoren për trajnimin e modeleve.
Këta “moderatorë” jetojnë të zhytur në llumin e internetit, të cilin e pastrojnë nga oqeanet dixhitale me të cilat ushqehen algoritmet e kompanive që i punësojnë.
Ata përfaqësojnë një nga profesionet me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara. Janë të përqendruar kryesisht në vende me kosto të ulët dhe me aftësi në gjuhën angleze, si vendet e Afrikës Lindore, India, Filipinet apo edhe kampet e refugjatëve në Liban. Por ata janë të pranishëm, në mënyrë të padukshme dhe të fshehur, edhe në Itali.
Përfshirja romantike
Nëse ky ishte këndvështrimi nga ana e ofertës, le ta shohim tani inteligjencën artificiale nga ana e kërkesës. Të paktën disa prej përdorimeve të saj që po shfaqen.Siç shkroi dje në “Corriere” Danilo Taino, AI po hyn me shpejtësi në jetën personale dhe emocionale të njerëzve.
Një në pesë gjimnazistë amerikanë ka pasur një marrëdhënie sentimentale me një chatbot të AI-së ose njeh dikë që e ka pasur një të tillë. 42% e të rinjve nga 18 deri në 29 vjeç e kanë përdorur AI-në për shoqëri, ndërsa 15% e të rinjve amerikanë që janë në një marrëdhënie me një person real mbajnë fshehurazi edhe një marrëdhënie romantike me një chatbot të inteligjencës artificiale, duke thënë se me të “është më e lehtë të jesh vetvetja”.
Një libër i shkëlqyer i botuar në Itali nga Serena Mazzini, “Vetmia jote është biznesi ynë” (La tua solitudine è il nostro business), hyn në thellësi në mekanizmat e përhapjes së aplikacioneve të inteligjencës artificiale që ofrojnë një lloj miqësie, terapi psikologjike, ndihmë për përballimin e humbjes, dashuri apo erotizëm.
Replika, një model që mund të riprodhojë profilin e një personi nëse ushqehet me mesazhet ose përmbajtjet e tij, kishte më shumë se 30 milionë përdorues në fillim të këtij viti.
Në fillim komunikon si një mik apo mike, shkruan Mazzini, por nëse përdoruesi përpiqet ta çojë marrëdhënien më tej, për shembull duke flirtuar, algoritmi bllokohet ose përgjigjet në mënyrë të paqartë dhe kujton se për atë lloj marrëdhënieje duhet kaluar në një nivel më të lartë.
Për të aktivizuar statusin e “partnerit romantik”, telefonatat zanore apo lojën erotike me role, nevojitet një abonim profesional që kushton 70 dollarë në vit.
Kur në vitin 2023 Replika bllokoi për arsye rregullatore opsionin romantik, miliona njerëz mbetën të braktisur. “Përdoruesit flisnin për zi, tradhti dhe një marrëdhënie të përfunduar pa mundësi apelimi.”
Sulmet ndaj Acemoglu
Por këtu nuk dua të flas për psikikën e njerëzve. Dua të flas për pushtetin.Prandaj duhet të prezantoj edhe një personazh të fundit, këtë herë prej mishi e gjaku, Daron Acemoglu.
Fitues i Çmimit Nobel për Ekonominë, pavarësisht moshës relativisht të re, profesor në Massachusetts Institute of Technology në Boston dhe autor i bestsellerëve të mëdhenj mbi marrëdhënien mes shoqërisë dhe teknologjisë, Acemoglu së fundmi është bërë objekt i një sulmi të befasishëm në “The Economist”.
Titulli ishte “Ekonomisti më me ndikim në botë është çuditërisht jo bindës”.
Artikulli ishte sigurisht problematik, i mbështetur në masë të madhe te burime anonime dhe i strukturuar dobët. Por një pikë dilte qartë, sulmi ndaj besueshmërisë së Acemoglut lidhet ngushtë me kritikën e tij ndaj modelit të qeverisjes së inteligjencës artificiale që po konsolidohet në Shtetet e Bashkuara.
Ekonomisti me origjinë turko-armene mendon se një AI e lënë plotësisht në duart e “sovranëve absolutë” të Bay Area-s në San Francisko rrezikon të shkaktojë dëme serioze në tregun e punës dhe në shoqëri.
Një kritikë kaq radikale përbën një kërcënim, sepse nuk vjen nga një intelektual marksist i parëndësishëm apo nga një filozof i shkëputur nga realiteti i kapitalizmit.
Acemoglu ndodhet në majën e piramidës akademike amerikane. Është një ekonomist rigoroz neoklasik, jashtëzakonisht i fortë në analizën sasiore.
Ai është një prej tyre.Por nuk pajtohet me ta.Dhe pikërisht kjo përbën rrezikun.
Luigi Zingales nga Universiteti i Çikagos e ka komentuar se “artikulli nuk ka të bëjë vërtet me Daronin. Është një e shtënë paralajmëruese. Nëse The Economist mund ta poshtërojë ekonomistin kryesor të brezit tim, imagjinoni çfarë mund t’i bëjë kujtdo tjetër që kritikon AI-në.”
Ndërsa Henry Farrell, politolog në Johns Hopkins University në Uashington, ka shtuar se vala e papritur e armiqësisë ndaj Acemoglut lidhet me momentin historik në të cilin ndodhemi.
Sipas tij, zgjedhja reale nuk është mes një rruge të paqartë drejt “progresit teknologjik” dhe kundërshtarëve të tij të këqij, ziliqarë apo të keqorientuar. Zgjedhja është mes rrugëve të ndryshme drejt progresit.
Shpenzimet që rriten
Ju siguroj se edhe unë kam përdorur inteligjencën artificiale, duke kontrolluar përgjigjet e saj, gjatë kërkimit për këtë artikull.Dhe jo, nuk do të isha i gatshëm të hiqja dorë prej saj.Por kjo nuk është çështje filozofike.
Vlerësimi i Anthropic arrin në rreth dy trilionë dollarë. OpenAI, e cila pritet të ndjekë menjëherë pas saj, vlerësohet në të paktën një trilion dollarë.
Shtatë kompanitë më të mëdha të Wall Street-it të lidhura me AI-në po shpenzojnë, gjithnjë e më shpesh duke përdorur borxh, të paktën 500 miliardë dollarë në vit për të financuar investimet në këtë revolucion.Vetëm këto kompani vlejnë rreth 23 trilionë dollarë, një kapitalizim bursier që për momentin pasqyron kryesisht një hipotezë mbi vlerën e ardhshme të këtij revolucioni teknologjik.
Të gjitha kompanitë e lidhura me AI-në përfshirë industrinë e mikroçipave dhe kompanitë që përdorin modelet e AI-së, si Palantir e Peter Thiel, përbëjnë rreth 45% të vlerës prej 69 trilionë dollarësh të indeksit kryesor të bursës amerikane.
Një dështim edhe i pjesshëm i premtimeve të këtij revolucioni mund të shkaktojë pasoja që do ta bënin krizën e Lehman Brothers në vitin 2008 të dukej e vogël.
Dhe përballë një perspektive të tillë, shumë njerëz preferojnë të mbajnë në pushtet “sovranët mesjetarë” të Bay Area-s dhe ta çojnë Acemoglun në turrën e druve.

