Lajme

Maqedonia lidhet me Serbinë përmes gazit, 29 milionë euro për interkonektorin

Maqedonia e Veriut po e forcon gjithnjë e më shumë boshtin e saj të bashkëpunimit me Serbinë, këtë herë përmes një projekti strategjik energjetik. Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e interkonektorit të gazit Maqedoni–Serbi hap rrugën për një lidhje të re infrastrukturore mes dy vendeve, ndërsa Qeveria e sheh projektin si pjesë të një rrjeti më të gjerë që do ta ndryshojë pozitën energjetike dhe gjeostrategjike të vendit.

Interkonektori, me gjatësi prej 22.4 kilometrash në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të kushtojë 29.4 milionë euro dhe pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2028. Marrëveshja për projektimin dhe ndërtimin u nënshkrua mes drejtorit të SHA NOMAGAS, Nedim Rama, dhe kompanisë ndërtuese “Rapid Bild”, e cila u përzgjodh si ofertuesi me ofertën më të favorshme.

Rama bëri të ditur se tubacioni do të ketë diametër prej 500 milimetrash dhe do të shtrihet nga zona pranë bllok-stacionit “Kleçevc” deri në kufirin me Serbinë, pranë fshatit Sopot. Në kuadër të projektit parashikohet edhe ndërtimi i pesë objekteve shoqëruese, përfshirë stacionin kryesor matës, stacionin reduktues, bllok-stacionin dhe dy stacione për pranimin dhe dërgimin e pajisjeve për pastrimin e tubacionit. “Pjesa jonë e interkonektorit do të jetë me gjatësi prej 22.4 km dhe me diametër prej 500 milimetër. Pika fillestare do të jetë pranë bllok stacionit ‘Kleçevc’, ndërsa pika e fundit do të jetë në kufirin me Serbinë pranë fshatit Sopot”, deklaroi Nedim Rama, drejtor i SHA NOMAGAS.

Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm në forcimin e pozitës energjetike dhe gjeostrategjike të vendit. Sipas tij, lidhja me Serbinë, së bashku me interkonektorin me Greqinë, do t’i japë Maqedonisë së Veriut një lidhje vertikale energjetike përgjatë Korridorit 10.

“Pas përfundimit të këtij projekti dhe përfundimit të interkonektorit që do të na lidhë me fqinjin tonë jugor, me Greqinë, do të marrim një lidhje plotësisht vertikale që është pjesë e Korridorit 10 dhe pozicioni gjeostrategjik i vendit bëhet në mënyrë dramatike më i rëndësishëm”, deklaroi Mickoski.

3sgIgLJ.png