Të paktën 901 persona janë ekzekutuar në Iran nga janari deri në korrik të vitit 2026, ndërsa të dhënat tregojnë një përdorim të gjerë të dënimit me vdekje për çështje që variojnë nga veprat e lidhura me drogën deri te akuzat politike dhe ato për sigurinë kombëtare.
Shifrat bëhen të ditura në një raport të Qendrës Abdorrahman Boroumand për të Drejtat e Njeriut në Iran, me seli në Uashington, e cila ka dokumentuar ekzekutimet e kryera gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti.
Sipas raportit, 56 nga 901 personat e ekzekutuar ishin dënuar për akuza politike ose të lidhura me sigurinë kombëtare. Prej tyre, 29 raste lidhen me protesta, 13 persona ishin akuzuar për spiunazh dhe 14 të tjerë për vepra të ndryshme që autoritetet iraniane i klasifikojnë si kërcënime ndaj sigurisë.
Kategoria më e madhe e identifikuar në raport lidhet me drogën. Të paktën 268 persona u ekzekutuan për trafikim ose vepra të tjera penale të lidhura me narkotikët, duke përbërë një pjesë të konsiderueshme të rasteve të dokumentuara.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se dënimi me vdekje ka prekur në mënyrë të konsiderueshme pjesëtarët e pakicave etnike. Gjatë periudhës janar-korrik janë dokumentuar 98 ekzekutime të personave që u përkisnin pakicave, mes tyre 40 balukë, 29 kurdë, 21 afganë, gjashtë arabë, një turk dhe një turkman.
Raporti dokumenton gjithashtu ekzekutimin e 16 grave, ndërsa dy nga personat e ekzekutuar ishin nën moshën 18-vjeçare në kohën kur dyshohet se kishin kryer veprat për të cilat u dënuan. Pesë ekzekutime janë kryer në publik.
Rritja e numrit të ekzekutimeve dhe përdorimi i dënimit me vdekje në çështje të lidhura me protestat dhe sigurinë kombëtare po vendosin sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare politikat penale të Teheranit dhe trajtimin e kundërshtarëve politikë e të pakicave në vend.

