Politikani i Jabloko-s u dënua pasi kishte shpërndarë një postim me fotografinë e një gruaje të plagosur gjatë bombardimeve të para në Kiev. Gjykata e Lartë ruse përjashtoi ndërkohë partinë e tij nga zgjedhjet për Dumën e Shtetit.
“Vladimir Putin nuk e pranon realitetin. Ky është rreziku më i madh me të cilin po përballemi, të gjithë ne”. Kështu fliste në tetor të vitit 2022 Lev Shlosberg, në një bisedë telefonike nga Pskovi, qyteti i tij i lindjes.
Edhe atëherë ai ndodhej në një situatë të vështirë. Disident prej vitesh dhe një nga të paktët politikanë kundërshtarë të Kremlinit që refuzoi të largohej nga Rusia, Shlosberg sapo ishte zgjedhur nënkryetar i partisë pacifiste Jabloko. Ai dhe bashkëshortja e tij ishin vënë nën hetim në bazë të ligjit të ri që u jepte autoriteteve hapësirë të gjerë për të përcaktuar se çfarë konsiderohej “diskreditim i ushtrisë”. Por ky ishte vetëm fillimi, shkruan Corriere della Sera.
Kolonia penale
Realiteti është se në Rusi shumë më tepër njerëz nga sa mendohet në Perëndim dëshirojnë paqe. Jo domosdoshmërisht paqen sipas kushteve të Kremlinit, por një formë paqeje.
Shlosberg është dënuar me 11 vjet në koloni penale, pasi kishte shpërndarë një postim të Echo of Moscow me kopertinën e gazetës britanike Daily Mirror. Në të shfaqej fotografia tashmë e njohur e një gruaje të plagosur, me fashë në kokë, gjatë ditës së parë të bombardimeve në Kiev.
Në të njëjtën kohë, Gjykata e Lartë e Rusisë përjashtoi përfundimisht partinë Jabloko nga zgjedhjet për Dumën e Shtetit, të parashikuara për 18-20 shtator, duke konfirmuar vendimin e marrë disa ditë më parë.
“Po shkatërroni shtetin e së drejtës, po shkatërroni themelet e këtij vendi”, deklaroi në sallën e gjyqit Nikolaj Rybakov, presidenti i Jabloko-s dhe njeriu që ka orientuar partinë drejt një qëndrimi të qartë pacifist.
Sipas Corriere della Sera, kjo linjë kishte rritur ndjeshëm mbështetjen për partinë, duke e çuar atë në nivele dyshifrore në sondazhe, diçka që drejtuesit e mëparshëm nuk e kishin arritur.
Përpara Rybakovit foli përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë, i cili renditi shkeljet që, sipas autoriteteve, çuan në përjashtimin e Jabloko-s. Mes tyre përmendi përdorimin e paautorizuar të fotografisë së një tanku në një fushë me luledielli pranë Kurskut dhe përdorimin, po sipas tij të paligjshëm, të imazhit të një pëllumbi.
Vendimi i gjykatës konfirmoi përjashtimin e partisë, ndërsa jashtë sallës autoritetet ndaluan rreth 90 protestues.
Jabloko mund të vendosë të kandidojë në zonat zgjedhore njëemërore, por nuk do të mund të paraqesë një listë federale në sistemin proporcional. Kjo do ta bëjë të pamundur matjen në nivel kombëtar të përqindjes së mbështetjes së saj përmes votës proporcionale.
Shlosberg u largua i prangosur në praninë e babait të tij 90-vjeçar, një hebre ashkenazi, familja e të cilit pësoi humbje të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shlosberg ishte shpallur “agjent i huaj” në vitin 2022 dhe ndodhej në arrest shtëpie që prej qershorit 2025. Pas një seance me dyer të mbyllura, të zhvilluar me kërkesë të prokurorisë, ai ishte shpallur fajtor për “diskreditim të përsëritur të ushtrisë”.
Akuza lidhej me publikimin, në një faqe të rrjeteve sociale që sipas artikullit nuk administrohej prej tij, të një debati ku argumentohej nevoja për një armëpushim “për të gjithë”.
Fjala që shkakton frikë
Sipas analizës së Corriere della Sera, këto vendime tregojnë se fjala “paqe” ka gjithnjë e më pak hapësirë në Rusinë e sotme.
Media italiane argumenton se Kremlini, nga njëra anë, kërkon të projektojë imazhin e një vendi të mobilizuar dhe të bashkuar pas udhëheqjes së tij, ndërsa nga ana tjetër druhet se edhe një forcë relativisht e vogël si Jabloko mund të krijojë një çarje në këtë unitet.
Lev Shlosberg, 63 vjeç, është gazetar, historian dhe aktivist për të drejtat civile. Në fund të fjalës së tij para gjykatës, pavarësisht ndërprerjeve të gjyqtares, ai deklaroi: “Një jetë dinjitoze për njeriun është një jetë pa luftë, pa kërcënimin e vazhdueshëm të një vdekjeje të papritur. Një jetë dinjitoze ndërtohet mbi dialogun civil dhe tolerancën e ndërsjellë në vend. Një jetë dinjitoze është e mundur vetëm në kushte paqeje”.

