Lajme

Kush po e kontrollon Ngushticën e Hormuzit?

Shkruar nga Gjergj Zefi

Trump shpall “kontroll total”, Irani pretendon se i vendos ende rregullat e lojës. Por në Hormuz ka një arbitër më të besueshëm se propaganda: anijet. Dhe ato nuk po sillen sikur Uashingtoni e ka fituar betejën…

Donald Trump ka një dobësi të njohur për superlativat. Fitore totale, dominim total dhe tani, sipas presidentit amerikan, edhe “kontroll total” mbi Ngushticën e Hormuzit.

Vetëm se Hormuzi nuk është një podium elektoral. Është një nga arteriet më të rëndësishme energjetike të planetit dhe aty kontrollin nuk e përcakton ai që flet me zë të lartë, por ai që vendos në praktikë kush kalon, kur kalon dhe me çfarë rreziku.

Sot me 13 gusht, Al Jazeera raportoi dy versione krejtësisht të kundërta të realitetit: Trump pretendon se SHBA-ja kontrollon Hormuzin, ndërsa Teherani këmbëngul se ngushtica mbetet nën kontrollin iranian. Kjo nuk është thjesht një përplasje propagandistike. Është beteja për të përcaktuar se kush ka fuqinë reale mbi korridorin detar më të ndjeshëm të Lindjes së Mesme.

Dhe këtu nis problemi për Donaldin.

Sipas të dhënave të raportuara nga The Wall Street Journal, trafiku mbetet shumë larg normalitetit. Në një ditë u regjistruan vetëm 14 kalime, krahasuar me mbi 130 para shpërthimit të luftës në shkurt. Akoma më domethënëse: vetëm dy nga 166 kalimet e regjistruara gjatë gushtit kishin përdorur korridorin e mbrojtur nga SHBA-ja përgjatë Omanit.

Pra pyetja është elementare: nëse Amerika ka “kontroll total”, pse anijet nuk sillen sikur Amerika ka kontroll total?

Sepse kontrolli ushtarak dhe kontrolli efektiv janë dy gjëra të ndryshme.

SHBA-ja ka fuqinë detare për të hyrë në Hormuz, për të patrulluar, konstatuar dhe goditur. Por një tanker tregtar nuk është destrojer amerikan. Kompanitë e transportit dhe siguruesit nuk luftojnë për prestigjin e Shtëpisë së Bardhë. Ata bëjnë një llogari shumë më të ftohtë: sa është mundësia që anija, ekuipazhi dhe ngarkesa të përfundojnë nën goditjen e një rakete apo droni iranian?

Nëse përgjigjja është “mjaftueshëm e lartë”, anija nuk kalon.

Dhe këtu qëndron paradoksi: Irani nuk ka nevojë ta pushtojë Hormuzin për ta kontrolluar pjesërisht atë. Mjafton ta bëjë kalimin të rrezikshëm.

Frika bëhet instrument strategjik.

Madje Bashkimi Evropian, kur vendosi në qershor sanksione lidhur me cenimin e lirisë së navigimit, përshkroi një sistem ku forcat iraniane kërkonin të dhëna mbi identitetin, ngarkesën dhe destinacionin e anijeve dhe përcaktonin kushtet e kalimit. Kjo nuk i jep Iranit sovranitet mbi Hormuzin dhe as nuk provon se Teherani mund ta mbrojë ngushticën përballë fuqisë amerikane. Por dëshmon diçka politikisht shumë më të pakëndshme për Uashingtonin: Irani ruan aftësinë për të ndikuar konkretisht mbi atë që ndodh në det.

Prandaj përgjigjja serioze për pyetjen “kush e kontrollon Hormuzin?” nuk është as ajo e Trump dhe as ajo e Teheranit.

Askush nuk e kontrollon plotësisht.

Amerika ka epërsinë ushtarake. Irani ka avantazhin gjeografik dhe aftësinë për ta shndërruar rrezikun në armë. Uashingtoni mund të kontrollojë hapësirën ushtarake, ndërsa Teherani mund të ndikojë mbi kalkulimin ekonomik të atyre që duhet ta përshkojnë atë.

Dhe këtu fjala “total” fillon të tingëllojë pothuajse komike.

Sepse nëse ke kontroll total, anijet kalojnë. Nëse ke kontroll total, kompanitë e sigurimit besojnë se rruga është e sigurt. Nëse ke kontroll total, kundërshtari nuk mund të ndryshojë sjelljen e tregut vetëm duke kërcënuar se do të godasë.

Mbi të gjitha, nëse ke vërtet kontroll total, zakonisht nuk ke nevojë t’ia përsërisësh botës çdo ditë se e ke.

Trump mund të kontrollojë narrativën në Uashington. Pentagoni mund të ketë fuqinë më të madhe ushtarake në zonë. Irani mund të vazhdojë të pretendojë se Hormuzi është në duart e tij.

Por deti ka një kriter shumë më brutal për të matur pushtetin: a kalojnë anijet normalisht?

Për momentin, jo.

Dhe derisa tankerët të lundrojnë përsëri pa frikën se një raketë, një dron apo një urdhër nga bregu iranian mund t’ua ndryshojë kursin, “kontrolli total” i Trump mbetet më shumë slogan politik sesa realitet strategjik.

Në fund, kapitenët e anijeve dhe tregjet po japin verdiktin më cinik të kësaj lufte:

Në Hormuz, kontrollin nuk e ka domosdoshmërisht ai që ka flotën më të madhe. E ka ai që mund t’i bindë anijet të mos kalojnë.

Dhe sot, kjo është një fjali shumë më e pakëndshme për Donald Trump sesa për Teheranin.

3sgIgLJ.png