Lehtësimi i kalimit të migrantëve drejt Ceutës ishte një sinjal politik i Rabatit për Spanjën, në sfondin e tensioneve mbi Saharanë Perëndimore dhe marrëdhënieve me Algjerinë.
Historiani francez Pierre Vermeren, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin Sorbonë dhe një nga njohësit më të mirë të Marokut, beson se autoritetet marokene lejuan me vetëdije kalimin masiv të migrantëve drejt enklavës spanjolle të Ceutës, si një sinjal politik ndaj Spanjës.
Në një intervistë, ai shprehet se pezullimi i kontrolleve kufitare nuk ishte rastësi dhe se ekziston mundësia që transporti i shumë të rinjve deri në kufi të jetë organizuar.
Çfarë ndodhi në Ceuta?
“Papritur kontrollet policore në kufi u ndërprenë dhe dhjetëra mijëra të rinj e kaluan kufirin. Ceuta është një enklavë e izoluar, rreth 60 kilometra larg qyteteve më të afërta. Këta të rinj nuk mund të kishin mbërritur aty vetë. Ata janë transportuar me kamionë. Gjithçka dukej e organizuar”, thotë Vermeren.
A qëndron pas kësaj shteti maroken?
“Nuk ka prova përfundimtare, por kjo mbetet shumë e mundshme”, përgjigjet ai.
Pse do ta bënte Rabati këtë?
Sipas Vermerenit, qëllimi ishte t’i dërgohej një mesazh qeverisë spanjolle.
“Spanja është afruar sërish me Algjerinë, rivalin kryesor të Marokut. Në vitin 2022 Madridi njohu sovranitetin maroken mbi Saharanë Perëndimore dhe u rreshtua me Rabatin. Megjithatë, më 20 gusht, kryeministri Pedro Sánchez vizitoi Algjerin me një delegacion të madh, duke krijuar përshtypjen se po ndryshonte kurs. Maroku deshi t’u tregonte autoriteteve spanjolle se, nëse vazhdojnë në këtë drejtim, mund të përballen me pasoja të tilla”, deklaroi ai.
Historiani shton se mesazhi lidhet edhe me statusin e Ceutës dhe Melillës.
“Rabati dëshironte të kujtonte se i konsideron këto dy enklava spanjolle si mbetje të kolonializmit dhe se pozicioni i tyre është i brishtë. Mjafton që policia marokene të ndërpresë kontrollet dhe bëhet e qartë se sa të ekspozuara janë”, tha ai.
A mund të jetë marrë vendimi pa dijeninë e mbretit Mohammed VI?
Vermeren e konsideron këtë pak të besueshme.
“Policia zë një rol kyç në shtetin maroken. Ajo është shumë e organizuar dhe ndjek një zinxhir komandimi që, sidomos në çështje kaq të ndjeshme, arrin deri te mbreti. Alternativa do të ishte të besohej se dikush ka vepruar në mënyrë të pavarur, por kjo më duket shumë e pamundur”, u shpreh ai.
A ishte ky edhe një favor për Donald Trumpin?
“Nuk besoj. Shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Marokut kanë qenë gjithmonë dy: Sahara Perëndimore, të cilën Rabati e konsideron pjesë të pandashme të territorit të tij, dhe Algjeria, që shihet si kundërshtari më i madh rajonal. Çështjet e tjera janë dytësore”, thotë historiani.
Kush janë të rinjtë që mbërritën në Ceuta?
Sipas Vermerenit, shumica vijnë nga rajoni i Rifit, në veri të Marokut.
“Rifi ka qenë historikisht një zonë e varfër. Në kohën e Algjerisë koloniale banorët e tij emigronin për të punuar në vreshta. Më pas u shpërngulën drejt veriut të Francës, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe Italisë. Sot në Rif jetojnë rreth tre milionë njerëz, ndërsa afro tre milionë të tjerë jetojnë në Evropë. Megjithatë, emigrimi është bërë shumë më i vështirë, pasi Bashkimi Evropian nuk jep më viza me të njëjtin ritëm dhe kalimet e paligjshme detare drejt Spanjës janë pothuajse të bllokuara”, vijoi ai.
Pse vazhdon pakënaqësia?
Vermeren pranon se Maroku ka bërë investime në veri të vendit, por thotë se ato nuk kanë zgjidhur problemin kryesor.
“Mbreti Mohammed VI thekson zhvillimin dhe investimet në Rif, por ato nuk mjaftojnë për të kompensuar papunësinë. Në veri vazhdojnë të jetojnë qindra mijëra të rinj pa punë, pa perspektivë dhe pa mundësi për të ndërtuar një jetë të pavarur. Edhe ata që kanë përfunduar studime të larta shpesh nuk arrijnë të gjejnë një të ardhme për veten”, përfundon historiani.
Shënim: Pikëpamjet e mësipërme janë vlerësime të historianit Pierre Vermeren. Ai deklaron se nuk ekzistojnë prova përfundimtare që autoritetet marokene organizuan kalimin masiv të migrantëve drejt Ceutës, por e konsideron këtë skenar “shumë të mundshëm”./ “La Repubblica”.

