Tump tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por theksoi se administrata e tij është në gatishmëri…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrton seriozisht rifillimin e operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e një sulmi që, sipas tij, do të ishte më i madh se ai i zhvilluar gjatë “Operacionit Epic Fury”.
Në një intervistë për Axios, Trump tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por theksoi se administrata e tij është në gatishmëri.
“Po shqyrtoj një sulm masiv. Më të madh se kurrë më parë. Jam afër marrjes së një vendimi. Jemi të gjithë gati për të”, u shpreh presidenti amerikan.
Dy zyrtarë amerikanë, të cituar nga Axios, konfirmuan se deri më tani nuk është dhënë asnjë urdhër i ri për ushtrinë dhe nuk është marrë një vendim zyrtar për përshkallëzimin e operacioneve.
Trump deklaroi gjithashtu se Izraeli do t’i bashkohej menjëherë një operacioni të ri ushtarak nëse Uashingtoni do ta kërkonte këtë, por shtoi se Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të veprojnë edhe pa mbështetjen e aleatëve.
“Izraeli do të bashkohej brenda dy minutash nëse unë i kërkoj, por ne nuk kemi nevojë për askënd”, tha ai.
Presidenti paralajmëroi se përfshirja e Izraelit mund të sillte pasoja të mëtejshme në rajon, duke lënë të kuptohet se Teherani mund të ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj shtetit izraelit.
Trump u shpreh se Irani vazhdon të kërkojë negociata, por sipas tij nuk është ende i gatshëm të arrijë një marrëveshje.
“Ata nuk kanë përjetuar ende dhimbje të mjaftueshme”, deklaroi ai.
Sipas dy burimeve rajonale të përfshira në përpjekjet diplomatike, udhëheqja iraniane ka refuzuar propozimin më të fundit të paraqitur gjatë negociatave.
“Po përpiqemi, por iranianët nuk po ndihmojnë“, tha një prej burimeve për Axios.
Gjatë 12 ditëve të fundit, SHBA-ja ka intensifikuar operacionet ushtarake me synimin për të ndalur sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për furnizimin global me naftë.
Ndërkohë, sipas raportimeve, Irani ka vazhduar të shtojë aktivitetet ushtarake në rajon. Rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Teherani, kanë nisur sulme ndaj anijeve saudite në Detin e Kuq, duke rritur tensionet në një tjetër rrugë strategjike të transportit detar dhe duke ushtruar presion mbi tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit, çmimi i naftës ka kaluar kufirin e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa perspektiva e një konflikti më të gjerë ushtarak mbetet jopopullore në opinionin publik amerikan.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump paralajmëroi se çdo sulm i ri i Huthive ndaj anijeve në Detin e Kuq do të konsiderohet përgjegjësi e Iranit.
“Huthit janë një përfaqësues i Iranit. Nëse sulmojnë sërish, Irani do të përballet me pasoja të mëdha ushtarake, ashtu si edhe vetë Huthit”, shkroi ai.

