Lajme

Krimi, korrupsioni, oligarkët dhe zemërimi i një brezi!

Shkruar nga Caterina Maggi

Nga akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe ndikimin e oligarkëve në sektorin e ndërtimit, te emigrimi masiv i të rinjve dhe protesta kundër qeverisë, reportazhi analizon shkaqet që ushqejnë pakënaqësinë sociale në Shqipëri.

E kupton se kjo është një revolucion i lindur nga të rinjtë, nga pankartat që valëviten në mbrëmjet përvëluese të Tiranës. Një oqean memesh dhe batutash sarkastike, gjuha ndërkombëtare e brezit Gen Z dhe Millennials, që përmes imazheve qesharake ose ironike çmitizon pushtetin dhe e redukton atë në batuta për “Instagram Stories”. Është brezi shqiptar i rrjeteve sociale, që nga një plazh në bregdetin e Adriatikut e ka zgjeruar frontin e përplasjes me Edi Ramën, në mandatin e tij të tretë qeverisës, duke e sjellë atë në rrugët e kryeqytetit. Një brez të rinjsh të lodhur nga detyrimi për të jetuar në varfëri ose për të emigruar nga nevoja, ndërsa vendi bëhet objekt marrëveshjesh private mes institucioneve dhe oligarkive globale.

Distanca marramendëse

Një nga arsyet kryesore të protestës, që po kontribuon edhe në vazhdimësinë e saj, është se tashmë të gjithë në Shqipëri vërejnë një distancë të jashtëzakonshme mes atyre që qeverisin dhe qytetarëve“, më shpjegon Gentiola Madhi, analiste e Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa, me origjinë nga Shqipëria.

Një përpjekje për ta zbutur situatën erdhi nga Evropa. Më 14 korrik, Shqipëria mbylli diskutimet për tre nga 33 kapitujt e hapur në negociatat për anëtarësimin e Tiranës në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për kapituj që konsiderohen përgjithësisht më pak problematikë – Shkenca dhe Kërkimi (25), Arsimi dhe Kultura (26) dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare (30). Megjithatë, ajo që pati rëndësi ishte deklarata e Marta Kos, komisionere evropiane për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, e cila gjatë një konference për shtyp tha se kryeministri Rama i kishte premtuar Brukselit rishikimin e ligjit për investimet strategjike, Ligjit nr. 55/2015 (i zgjeruar më pas në vitin 2024), që garanton një sërë lehtësish dhe procedurash të përshpejtuara për investitorët e huaj që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Kos deklaroi gjithashtu se ky vendim kishte qenë “në tryezë prej disa muajsh”.

Nga sheshi te kutitë e votimit?

Kur lindin lëvizje të tilla nga poshtë, pyetja që shtrohet zakonisht është: po pastaj? Kur fjalët të kthehen në veprime, nëse vërtet Rama, pasi kaloi muaj të tërë duke fyer protestuesit, duke i quajtur “budallenj” dhe “çamarrokë”, madje duke i dërguar fjalë për fjalë “të shkojnë…” – çfarë do të ndodhë kur të vijë momenti i zgjedhjeve?

Këtu hyn në skenë propozimi i dytë i protestuesve: një qeveri teknike, e ngarkuar të drejtojë vendin për një vit dhe, mbi të gjitha, të ndryshojë kuadrin institucional të Shqipërisë, përmes një ligji të ri zgjedhor që do t’u mundësonte edhe partive të vogla të fitonin më lehtë qasje në 140 vendet e Parlamentit në Tiranë.

Një revolucion, në një vend të qeverisur prej vitesh nga dy parti gjigante: Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, e qendrës së djathtë. Një ndryshim që mund t’u hapte rrugën edhe partive të vogla, të lindura si lëvizje të majta nga baza, për t’u ulur krah forcave të tjera në Parlament.

Lëvizja Bashkë ka lindur si një lëvizje politike e majtë dhe socialdemokrate dhe ekziston që nga viti 2011. Më pas u shndërruam në parti në vitin 2022. Në qendër të programit tonë janë taksat për super të pasurit, një shtet i mirëqenies reale që promovon sektorët strategjikë, si bujqësia, dhe në përgjithësi forcimi i shtetit të së drejtës në mbrojtje të shtresave më të varfra“, më shpjegon Alfred Bushi, kandidat i kësaj force politike.

Dhe këta, në Shqipëri, përbëjnë një shumicë të konsiderueshme. Pensionet, në veçanti, janë ndër më të ulëtat në Evropë.

Duke mos qenë ende anëtare e Bashkimit Evropian, Shqipëria nuk përfiton nga fondet e kohezionit dhe as nga mekanizmat e kontrollit që do të mund të adresonin paradoksin e tregut imobiliar: pavarësisht investimeve të mëdha në beton dhe ndërtime, mungojnë banesat me çmime të përballueshme për familjet shqiptare.

Një paradoks që mund të shpjegohet vetëm nëse këto ndërtesa, në të vërtetë, shërbejnë për të fshehur diçka tjetër.

Pikërisht në këtë pikë Bushi dhe Madhi bien dakord: në përgjithësi, sektori i ndërtimit në Shqipëri është një makineri e madhe e pastrimit të parave, ku, siç është theksuar edhe nga disa hetime gazetareske, përfshirë emisionin italian Report, kanë rol edhe organizatat e mëdha të krimit të organizuar italian, nga ‘Ndrangheta deri te Camorra.

Hapin një kantier, marrin financimet dhe më pas, çuditërisht, kantieri ‘falimenton’ dhe mbyllet pa u vendosur asnjë tullë. Ndërkohë paratë janë përvetësuar. Sigurisht, kur nga projekti nuk ekziston asgjë përveç renderit“, shpjegon Alfred Bushi.

Ndërsa Gentiola Madhi, në një intervistë tjetër, vëren: “Kohët e fundit u promovua libri Albanian Files, i botuar nga një shtëpi botuese në Cyrih. Ai përmban 60 kapituj kushtuar veprave arkitekturore në Shqipëri, të projektuara nga po aq arkitektë të njohur ndërkombëtarisht, madje me një parathënie të vetë Edi Ramës. Duhej të ishte një promovim, por pati efektin e kundërt. Problemi është se pas ndërtimit të shumë prej këtyre veprave qëndronin grupe imobiliare oligarkësh, të cilët, ndër të tjera, zotërojnë edhe disa televizione.”

Një teknikë tjetër, sipas saj, është shpronësimi i tokave private duke përdorur boshllëqe apo manovra në dokumentacionin kadastral, për t’i shitur më pas si prona publike strategjike, shpesh pa dijeninë e pronarëve.

Kohët e fundit një investitor shqiptar në SHBA u përpoq t’i kalonte një fondi sirian investimesh toka private të paraqitura si pronë shtetërore. U bllokuan 120 milionë euro. Banorët nuk dinin asgjë.”

Një nga arsyet pse skandali i Sazanit, përpara se të bëhej viral, ishte mbajtur nën kontroll në Shqipëri ishte ekzistenca e një sistemi mediatik të dominuar nga magnatë të ndërtimit dhe oligarkë të lidhur me institucionet.

“Dhe ndërkohë mungojnë shërbimet bazë. Rama thotë se po ndërton për përparimin e Shqipërisë, ndërsa nga sheshi i përgjigjen: ‘Po, ndërsa ti po e shet vendin, në urgjenca mungojnë ilaçet'”, ankohet Bushi.

Një slogan që, në fakt, është përhapur gjerësisht edhe në rrjetet sociale, sidomos pasi Rama, gjithnjë e më i shkëputur nga kërkesat e vendit, vendosi të investojë 4 milionë euro subvencione shtetërore për organizimin e një koncerti të Kanye West.

Një vendim që, përtej figurës kontroverse të “Ye” (i akuzuar për antisemitizëm, homofobi, deklarata raciste dhe mbështetje për MAGA), hedh një hije tjetër mbi aftësinë e Ramës për të kuptuar klimën e protestave.

Zemërime të vjetra, sfida të reja

Por kush është shteti social shqiptar? Janë ata që kanë marrë avionin ose kanë organizuar udhëtime me makina nga Italia drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestave: diaspora.

Që nga viti 2021, rreth 130 mijë persona janë larguar nga Shqipëria. Jo vetëm punëtorë krahu dhe teknikë, por edhe akademikë, intelektualë dhe studiues. Një ikje e trurit drejt mundësive evropiane, që ushqen flakën e pakënaqësisë në rrugët e Tiranës.

Më lind natyrshëm pyetja: protesta të të rinjve në Serbi, protesta të të rinjve në Shqipëri… mos vallë rinia e Ballkanit mund të shndërrohet në një lëvizje të përbashkët, duke kapërcyer të kaluarën e luftërave etnike dhe gjenocideve në rajon?

Në afat të shkurtër nuk besoj se kjo është e mundur. Të rinjtë e Beogradit nuk e kanë përfshirë kurrë në program një rishikim të qëndrimeve serbe për Kosovën. Është një çështje kombëtare shumë e ndjeshme dhe, derisa të pranohet se disa gjëra nuk mund të ndryshohen, dyshoj se lëvizjet do të mund të bashkohen, edhe pse ndajnë disa parime“, më korrigjon Madhi.

Ndërkohë, të paktën deri tani, protesta mbetet jo e dhunshme, me përjashtim të disa episodeve sporadike, si përplasjet jashtë stadiumit ku zhvillohej ndeshja Izrael-Shqipëri (të lidhura më shumë me masat e sigurisë për kombëtaren izraelite sesa me vetë protestat).

Një tjetër zë që qarkullon është se resorti në Sazan do të shërbente si mbulim për ta kthyer ishullin në një bazë ushtarake amerikane, e cila do të kontrollonte kështu Adriatikun.

A është e mundur?

Madhi buzëqesh. “Nuk besoj se Trump do të përdorte shumë fjalë për të kërkuar ndërtimin e një baze ushtarake; thjesht do ta kërkonte. Për më tepër“, shton ajo, “është e vërtetë që, sipas informacioneve që kanë qarkulluar, edhe pse nuk janë konfirmuar kurrë, në Sazan ka bunkerë, sepse në të kaluarën ishte një bazë ushtarake. Por është po aq e vërtetë se ai tashmë ka baza të tjera, edhe më të përshtatshme, si ajo e Kuçovës, 80 kilometra larg Tiranës.”

Sidoqoftë, protesta të tilla “nuk janë parë që nga rënia e regjimit. Shqipëria zakonisht përfundon në media në mënyrë sipërfaqësore, për përplasje të dhunshme, fatkeqësi natyrore ose çështje të migracionit.”

Këtë herë, ajo është protagoniste e një revolucioni të të rinjve. Atij brezi të cilit Rama i tha “Vafsh në djall” (“Si mund të mos duket i çekuilibruar një kryeministër që reagon kështu?”, komenton Bushi), që kryeministri i ka etiketuar si “dembelë kafenesh”, dhe që ka mbushur rrugët në një valë të gjatë protestash të nisur nga një plazh rozë me flamingo në brigjet e Adriatikut. /Përshtatur nga “Gli Stati Generali”

3sgIgLJ.png