Profesori amerikan Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins ndau përshtypjet e tij nga vizita e fundit në Kosovë, duke thënë se qytetarët vendas ishin më të fokusuar në vlerësimin e tij për vendin sesa në zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara, shkruan Gazeta Metro.
Në analizën e tij, Serwer ngriti mundësinë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të zgjedhë rrugën e zgjedhjeve të reja nëse nuk arrihet kompromis për formimin e institucioneve.
“Vendit iu desh të mbante tri zgjedhje në më pak se 16 muaj. Ai ende nuk ka një president të ri apo një qeveri me kompetenca të plota. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti – në pushtet që nga viti 2020 – ka mjaftueshëm ulëse, së bashku me përfaqësuesit e pakicave, për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend. Por për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave. Opozita e fragmentuar nuk është e gatshme t’i mbështesë kandidatët e propozuar nga Kurti. Nuk është e qartë nëse opozita mund të bjerë dakord për një kandidat të sajin. Po ashtu, nuk dihet nëse kryeministri do ta mbështeste një kandidat të opozitës nëse kjo do të ndodhte. Ai mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta”, shkroi ai në web-faqen e tij. Kjo, thotë Serwer, “do të rrezikonte zemërimin e elektoratit”.
Sipas tij, pjesëmarrja në proceset e fundit zgjedhore ka shënuar rënie, njëjtë si edhe mbështetja për kryeministrin Kurti, ndërsa qytetarët kërkojnë më shumë fokus në qeverisje sesa në cikle të vazhdueshme votimesh.
“Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte më e ulët, ashtu si edhe mbështetja për Kurtin. Popullsia dëshiron që politikanët të vazhdojnë me kryerjen e punës së tyre. Polarizimi po e bën këtë të vështirë”, shkruan ai.
Serwer theksoi gjithashtu se opozita ka shqetësime për qëndrimet e Kurtit ndaj ndryshimeve kushtetuese dhe të drejtave të komuniteteve pakicë.
“Ajo gjithashtu mendon se ai ka vepruar në mënyrë arrogante dhe madje antiamerikane ose autoritare në trajtimin e disa çështjeve. Kjo e bën kompromisin të vështirë”, shkruan Serwer.

