Kosova vijon të jetë pa një president të zgjedhur, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të presidentes Vjosa Osmani. Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, detyra e kreut të shtetit po ushtrohet përkohësisht nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Ndërsa skena politike në Prishtinë mbetet në kërkim të një zgjidhjeje që do të siguronte votat e nevojshme në Kuvend, burime pranë zhvillimeve politike në Kosovë bëjnë me dije për Shqip.com se në diskutimet informale po lakohet emri i juristit të njohur Përparim Kalo si një kandidat i mundshëm konsensual për postin e Presidentit të Republikës.
Sipas të njëjtave burime, profili i Kalos shihet si një figurë mbi palët politike, me integritet profesional dhe përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë, çka mund ta bënte një alternativë të pranueshme për forcat politike që deri më tani nuk kanë arritur të bien dakord për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Një element që, sipas burimeve, e favorizon emrin e tij është fakti se Përparim Kalo zotëron edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, përveç asaj shqiptare, duke përmbushur kështu një nga kushtet për ushtrimin e funksionit të Presidentit të Kosovës.
Përparim Kalo është një prej juristëve më të njohur shqiptarë. Ai ka shërbyer për disa vite si anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, ndërsa përgjatë karrierës së tij është angazhuar në çështje të rëndësishme të së drejtës kushtetuese, arbitrazhit dhe legjislacionit tregtar. Kalo njihet gjithashtu si një nga themeluesit e studios ligjore “Kalo & Associates”, një prej zyrave më prestigjioze të avokatisë në Shqipëri.
Burimet theksojnë se deri në këtë fazë bëhet fjalë për diskutime jozyrtare dhe se emri i Kalos ende nuk është propozuar zyrtarisht nga asnjë subjekt politik. Megjithatë, ai konsiderohet si një nga figurat që mund të shërbejë për ndërtimin e një konsensusi politik në një moment kur Kosova po përballet me një ngërç institucional për zgjedhjen e presidentit të ri./Shqip.com

