Lajme

“Sistemi po shembet”, si u zhdukën darkat sekrete ku caktoheshin vijat e kuqe

Takimet mujore dikur ishin një element i rëndësishëm i ndikimit amerikan në kryeqytetin e BE-së. Tani ai kanal kyç i diplomacisë informale pothuajse është zhdukur…

Për vite me radhë, ambasadorët amerikanë përdornin darka sekrete për të mbledhur aleatët evropianë, për të krahasuar qëndrimet dhe për të ndërtuar konsensus në Bruksel, një traditë që diplomatët thonë se është zhdukur kryesisht që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.

Darkat e rregullta, të organizuara zakonisht në rezidencën e ambasadorit amerikan në periferinë e pasur të Uccle-s, mblidhnin një grup të përzgjedhur ambasadorësh nga vendet e BE-së, partnerë të afërt si Mbretëria e Bashkuar apo Japonia, si dhe zyrtarë të lartë evropianë për biseda jozyrtare mbi tregtinë, sigurinë dhe politikën e jashtme.

Sipas 9 diplomatëve aktualë dhe ish-diplomatëve nga vende të BE-së dhe jashtë saj, të cilëve u është garantuar anonimiteti për të folur mbi këto takime konfidenciale, këto mbrëmje ishin ndër forumet diplomatike më të dobishme në qytet. Darkat e “mendje-ngjashmëve”, siç i quanin diplomatët amerikanë, zhvilloheshin afërsisht një herë në muaj dhe zakonisht merrnin pjesë më pak se një duzinë personash.

Lista e të ftuarve përfshinte zakonisht ambasadorë nga disa vende të BE-së, si dhe përfaqësues të partnerëve strategjikë jashtë bllokut. Sipas një ish-diplomati amerikan, në disa raste merrte pjesë edhe Bjoern Seibert, shefi me ndikim i kabinetit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Mes gotave me Cabernet Sauvignon dhe Chardonnay nga Napa Valley dhe pjatave me biftek e peshk të përgatitura në një kuzhinë profesionale të rinovuar së fundmi, pjesëmarrësit shkëmbenin mendime të sinqerta për të kuptuar pozicionet e qeverive dhe institucioneve evropiane përpara fillimit të negociatave zyrtare.

“Kjo është gjaku që qarkullon në venat e sistemit diplomatik,” tha ish-diplomati amerikan, duke shtuar “është si të thuash: ‘nuk mund ta them këtë zyrtarisht, por jozyrtarisht këto janë vijat tona të kuqe, këto janë konsideratat tona, këto janë realitetet politike në vendin tim dhe nuk e kuptoj pse ju nuk mund të bëni X, Y dhe Z.’”

Zhdukja e këtyre darkave konsiderohet simbol i një tërheqjeje më të gjerë të SHBA-së nga Brukseli, në një kohë kur Trump ka shtuar presionin ndaj Bashkimit Evropian. Që nga rikthimi në pushtet, Trump ka vendosur tarifa ndaj mallrave evropiane, ka kërcënuar me tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s, është zotuar të marrë Groenlandën dhe e ka paraqitur vazhdimisht Evropën si kundërshtare dhe jo si partnere strategjike.

Në këtë sfond, sipas dy diplomatëve evropianë, misioni amerikan është fokusuar më pak te ndërtimi i marrëdhënieve që dikur përbënin bazën e ndikimit amerikan në Bruksel dhe është larguar nga diplomacia informale që për dekada ndihmoi Uashingtonin të ndikonte debatet dhe të siguronte mbështetje mes aleatëve evropianë.

Miq me përfitime

Misioni amerikan nuk e ka braktisur plotësisht diplomacinë në formate të vogla gjatë presidencës Trump. Dy diplomatë nga vende jashtë BE-së thanë se janë organizuar herë pas here dreka dhe darka, por më rrallë dhe në një format të ndryshëm.

Darkat e “mendje-ngjashmëve” ishin një shenjë dalluese e mandatit të ish-ambasadorit amerikan Mark Gitenstein, megjithëse edhe paraardhësit e tij organizonin takime të ngjashme. Ajo që i bënte të veçanta ishte intimiteti i tyre, tha një diplomat i BE-së.

“Kur ke 10 ose 12 veta rreth tavolinës, mund të zhvillosh vërtet biseda,” tha ai, duke shtuar “mund të flasësh me të gjithë. Në fund largohesh duke mësuar diçka.”

Ambasadori aktual amerikan, Andrew Puzder, priret të organizojë pritje më të mëdha dhe më luksoze, shtoi diplomati.

“Ato janë të këndshme. Por kur ke njëqind njerëz në një sallë, e kalon mbrëmjen duke përshëndetur njerëz dhe jo duke zhvilluar biseda kuptimplota.”

Një diplomat tjetër i BE-së u shpreh se “Gitenstein organizonte pritje si diplomat, ndërsa Puzder organizon pritje si biznesmen.” Gitenstein refuzoi të komentojë.

Misioni i SHBA-së pranë BE-së tha se pretendimi se Puzder ka reduktuar takimet informale është “plotësisht i pavërtetë”.

“Ai takohet rregullisht me ambasadorë të vendeve të BE-së dhe jashtë saj për një gamë të gjerë çështjesh,” thuhet në deklaratën e misionit, duke shtuar se “ambasadori Puzder ka organizuar dhe ka marrë pjesë në disa darka dhe takime me partnerë që ndajnë interesa të përbashkëta, duke bashkuar grupe me synime të ngjashme për të siguruar që politikat e BE-së të mbështesin sigurinë dhe prosperitetin evropian dhe amerikan.”

Një diplomat tha se vazhdojnë të organizohen takime periodike të aleancës së inteligjencës “Five Eyes” (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re) ose të grupit “Quad”, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Japonia, India dhe Australia.

Një tjetër ambasador kujtoi një drekë të organizuar gjatë vizitës së Përfaqësuesit Amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, në Bruksel në nëntor të vitit të kaluar, për një ceremoni simbolike që shënoi fillimin e ndërtimit të një tempulli të ri mormon në kryeqytetin belg.

Megjithatë, diplomatët e BE-së dhe të vendeve partnere që folën për POLITICO thanë se këto aktivitete nuk e zëvendësojnë rrjetin e takimeve të “mendje-ngjashmëve” që dikur bashkonte ambasadorët evropianë dhe partnerët e tyre me zyrtarët më të lartë të BE-së.

“Ishte krijuar një ekosistem i tërë rreth këtyre takimeve,” tha një diplomat evropian. Sipas tij, “Marku organizonte një takim. Pastaj dikush tjetër. Pastaj një tjetër.”

Ish-diplomati amerikan shtoi se ekzistonte edhe një rivalitet miqësor mbi cilësinë e ushqimit dhe verës.

“Ambasadorët, përmes shefave të tyre të kuzhinës, përpiqeshin të tejkalonin njëri-tjetrin. Kishte edhe një element egoje për atë se kush kishte kuzhinierin më të mirë.”

Shkëmbimi i informacionit

Këto darka ofronin gjithashtu diçka që po bëhet gjithnjë e më e rrallë në Bruksel: mundësinë për të folur lirshëm pa frikën e rrjedhjes së informacionit.

“Në Coreper i ke të 27 vendet rreth tavolinës”, tha një ish-diplomat i BE-së, duke iu referuar komitetit ku takohen ambasadorët e vendeve anëtare, duke theksuar “këtu zhvillonim biseda shumë më të sinqerta.”

Humbja e këtyre darkave ka sjellë edhe pasoja praktike. Një diplomat nga një vend jashtë BE-së kujtoi se më parë merrte rregullisht telefonata nga kryeqyteti i vendit të tij për të marrë informacion mbi klimën politike në Bruksel dhe pozicionet e qeverive për çështje të ndjeshme.

“Kur ministri më pyeste se çfarë mendonte dikush për një çështje të caktuar, mund t’i përgjigjesha. Tani nuk mundem”, tha ai.

Një ish-diplomat tjetër amerikan argumentoi se ndryshimi ka edhe arsye praktike.

“Puzder ka bërë një punë të mirë në përgjithësi, aq sa ka qenë e mundur. Është shumë e vështirë të jesh ambasador i Trump. Trump nuk po ia lehtëson aspak punën Puzderit”, tha ai.

Megjithatë, diplomatët e shohin këtë ndryshim si simbol të diçkaje më të madhe: një zbehje graduale të ndikimit amerikan. Për dekada, SHBA-ja është parë si një aktor diplomatik i pazëvendësueshëm në Bruksel, i aftë të mbledhë aleatët, të ndikojë debatet dhe të sigurojë informacion përmes një rrjeti të gjerë marrëdhëniesh formale dhe joformale. Sipas diplomatëve, kjo perceptim po ndryshon.

“Erozioni i besimit është i dukshëm nga niveli i presionit që ushtrohet mbi BE-në lidhur me legjislacionin tonë dhe nga pasiguria mbi tarifat dhe praninë ushtarake,” tha Sergey Lagodinsky, eurodeputeti kryesor i grupit të të Gjelbërve për marrëdhëniet me SHBA-në në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.

“Kështu e ushtronte SHBA-ja lidershipin global,” tha ish-diplomati i parë amerikan, duke shtuar “ndërton marrëdhënie, afron njerëzit rreth objektivave të përbashkëta dhe kupton se ku ndodhen vijat e kuqe të secilit. Kjo është arsyeja pse SHBA-ja arriti ta bëjë këtë për 70 vjet, përpara se sistemi të fillonte të shpërbëhej nën Trump.” / Politico/

3sgIgLJ.png