Media dhe platforma me ndikim të gjerë në Greqi kanë ndërmarrë fushatë të ashpër mediatike kundër projektit madhor turistik në Zvërnec, i cili konsiderohet një prej <span;>projekteve më ambicioze të Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Brenda pak orësh, portale si Greek City Times, Neos Kosmos, Greek Reporter, si dhe faqe të tjera, kanë publikuar një seri të pandërprerë artikujsh dhe postimesh të shumta në rrjete sociale. Në këto shkrime, investimi portretizohet si kërcënim i drejtpërdrejtë për minoritetin grek, pronat lokale dhe mjedisin.
Në këto raportime, vëmendja devijohet nga potenciali ekonomik u projektit, duke u përqendruar te pretendimet mbi të drejtat pronësore të banorëve, mbrojtjen e mjedisit dhe statusin e komuniteteve greke në jug të Shqipërisë.
Neos Kosmos e kornizon situatën si konflikt mes komuniteteve minoritare dhe këtij zhvillimi masiv turistik. Ndërkaq, Greek Reporter e ndërlidh këtë ngjarje me tensionet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos pas lëndimit të një shtetasi grek gjatë protestave të fundit.
Nga ana tjetër, mediat shqiptare raportuan së fundmi procedimin penal të 15 personave pas protestës. Ata dyshohen për akte dhune dhe tentativa për të shkatërruar rrethimin e kantierit të ndërtimit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka cilësuar këto zhvillime si pjesë e një fushate dezinformimi dhe sulmesh me prapavijë politike ndaj investimeve strategjike në turizëm. Ai hodhi poshtë me forcë aludimet se toka “u është shitur izraelitëve” apo që projekti po avancon jashtë kontrollit institucional.
Rama ka deklaruar se debati mbi Zvërnecin nuk buron ekskluzivisht nga pakënaqësitë lokale, por po orkestrohet edhe nga interesa jashtë kufijve shtetërorë, duke lënë të nënkuptohet raportimin e mediave fqinje.
“Si mund të jenë gazetat greke më në mbrojtje tuajën? Shikoni si janë mbushur gazetat greke me kauzën tuaj”, ka deklaruar Rama, duke shtuarse investitorët prapa këtij projekti nuk janë as izraelitë e as rusë, siç spekulohet, por përfaqësojnë një prej kompanive më prestigjioze nga Katari.
“Mbarë bota flet për këtë investim falë profilit të promovuesit të tij, Jared Kushner. Ka ardhur edhe ajo zonja, jo thjesht për pushime apo për të bërë fotografi”, citohet të ketë thënë Rama.
Kushner, siç kishte media prestigjioze amerikane “The Washington Post” në një artikull kushtuar projektit, po kërkon të shndërrojë këtë pjesë të Shqipërisë në një lloj resorti luksoz për të cilin ish-presidenti Donald Trump do të mburrej.
Ky do të ishte projekti më i madh i Kushner deri tani, duke përdorur një pjesë të fondit të tij privat të kapitalit prej rreth 3 miliardë dollarë, i financuar kryesisht nga investitorë në Arabinë Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit, për të sjellë turizmin ndërkombëtar në një zonë që ngeci sa i takon zhvillimit për shkak komunizmit. (Nacionale.com)

