Gazetari shqiptar në Zvicër, Enver Robelli, ka reaguar lidhur me debatin për organizimin e provimit të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që studentët shqiptarë ta japin provimin plotësisht në gjuhën shqipe.
Në një postim publik, Robelli kundërshton çdo kompromis që parashikon zhvillimin e një pjese të provimit në gjuhën shqipe dhe pjesës tjetër në gjuhën maqedonase, duke i cilësuar si përpjekje për të mashtruar opinionin publik.
“Krejt, pra komplet, provimi i jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut duhet të jepet në gjuhën shqipe nga studentët shqiptarë. Përpjekjet për të ofruar zgjidhje të tipit ‘teoria shqip, praktika maqedonisht’ duhet të refuzohen me përçmim”, shkruan Robelli.
Reagimi i plotë i Enver Robellit:
Krejt, pra KOMPLET, provimi i jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut duhet të jepet në gjuhën shqipe nga studentet dhe studentët shqiptarë! Përpjekjet e eksponentëve të grupacionit politik VLEN për të mashtruar opinionin dhe për të gjetur “zgjidhje” të tjera (“teoria shqip, praktika maqedonisht” e broçkulla të ngjashme) duhet të refuzohen me përçmim.
Kush bën kompromise në këtë çështje nuk është as më shumë e as më pak se shërbëtor i një kryeministri maqedonas, i cili hakmarrjen ndaj shqiptarëve, pra një të tretës së popullsisë së shtetit maqedonas, e ka shndërruar në “program nacional”.
Që kjo qasje pafundësisht problematike i përshtatet nacionalizmit ekspansionist serbomadh të regjimit aktual në Beograd, nuk është fare befasi.
Pushtetarët e Kosovës duhet ta kapin veten për hunde dhe të mos merren me parada populliste herë nëpër kafehane të Shkupit, herë nëpër sheshe të Tetovës. Por edhe ata të tjerët nga korpusi politik shqiptar – BDI me satelitë – që ishin në pushtet gati një çerekshekull në Maqedoni duhet të përgjigjen në një pyetje të thjeshtë: pse kjo çështje nuk është rregulluar deri më tani, ndonëse, sipas tyre, gjuha shqipe është zyrtare?

