Lajme

Skandali që trondit CIA-n, miliona dollarë ar të fshehura në një shtëpi në Virxhinia

Një ish-zyrtar i CIA-s vodhi shufra ari me vlerë 40 milionë dollarë nga agjencia. Ish-zyrtari i lartë, i cili e mbante arin në shtëpinë e tij në Virxhinia, akuzohet gjithashtu se ka gënjyer për të kaluarën e tij ushtarake dhe arsimore.

Një ish-zyrtar i CIA-s akuzohet se ka vjedhur 303 shufra ari me vlerë mbi 40 milionë dollarë nga agjencia amerikane e spiunazhit dhe i ka ruajtur ato në banesën e tij në Virxhinia, sipas autoriteteve amerikane. Prokurorët thonë se David Rush nga Virxhinia, i përshkruar në një kallëzim penal si ish-zyrtar i lartë me autorizim sigurie tepër sekret, ka mashtruar gjithashtu eprorët e tij lidhur me arsimin dhe shërbimin ushtarak.

Rush u arrestua javën e kaluar dhe u akuzua për vjedhje të parave publike. Avokatja e tij, Jessica Carmichael, refuzoi të komentojë.

Ndërsa shumë detaje të çështjes mbeten ende të paqarta, po ngrihen pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve të së kaluarës së Rush nga qeveria amerikane, si dhe mbi mënyrën se si ai dyshohet se arriti të bindte eprorët për t’i besuar dhjetëra miliona dollarë në ar dhe shuma të mëdha valutash të huaja.

Sipas një deklarate nën betim të paraqitur në Gjykatën Federale të Distriktit Lindor të Virxhinias, Rush kishte deklaruar se fondet ishin të destinuara për “shpenzime të lidhura me punën”. Një ish-zyrtar amerikan që ka dijeni për çështjen, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të hetimeve në vazhdim, tha se Rush punonte në Drejtorinë e Shkencës dhe Teknologjisë të CIA-s, e cila zhvillon mjete të teknologjisë së lartë për misionet e spiunazhit të agjencisë.

Përfaqësues të CIA-s dhe FBI-së deklaruan në një komunikatë të përbashkët se më 19 maj FBI “arrestoi një person pas një referimi nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës. Pasi një hetim i brendshëm i CIA-s identifikoi shkelje të mundshme të ligjit, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ia referoi informacionin FBI-së për hetim penal”.

“FBI po bashkëpunon ngushtë me partnerët tanë në CIA dhe Departamentin e Drejtësisë ndërsa vazhdojmë ta hetojmë plotësisht këtë çështje”, thuhet në deklaratë.

Deklarata nën betim e një agjenti special të FBI-së thotë se Rush paraqiti disa kërkesa për ar dhe para cash mes muajve nëntor dhe mars. Një kontroll i mëvonshëm në zyrën e tij qeveritare zbuloi se vetëm një pjesë e shumës ndodhej aty. CIA nuk arriti të gjente shufrat e arit ose valutën e mbetur. FBI ekzekutoi një urdhër kontrolli në shtëpinë e Rush më 18 maj.

“Gjatë kontrollit, agjentët e FBI-së sekuestruan rreth 303 shufra ari, secila me peshë afërsisht një kilogram. Bazuar në çmimin aktual të arit, vlera e përllogaritur e arit tejkalon 40 milionë dollarë”, thuhet në deklaratën nën betim. FBI sekuestroi gjithashtu rreth 2 milionë dollarë cash.

“Në total, agjentët e FBI-së sekuestruan gjithashtu rreth 35 ora luksoze, shumë prej të cilave të markës Rolex”, thuhet më tej.

Rush hoqi dorë nga e drejta për një seancë paraprake. Ai mbahet në paraburgim nga Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së. Seanca për masën e sigurisë është caktuar për 5 qershor.

Punonjësit e shërbimeve amerikane të inteligjencës zakonisht i nënshtrohen kontrolleve të rrepta të së kaluarës, përfshirë arsimin, punësimin e mëparshëm, udhëtimet dhe marrëdhëniet personale.

Rush dyshohet se ka mashtruar CIA-n, ku duket se ishte punësuar rreth vitit 2009, edhe për diplomat universitare dhe statusin ushtarak. Sipas dokumentit, Rush pretendonte se kishte diplomë nga Universiteti Clemson dhe master nga Instituti Politeknik Rensselaer. Një hetim i FBI-së nuk gjeti asnjë provë që Rush kishte studiuar ndonjëherë në këto institucione, as prova që mbështesnin pretendimin e tij se kishte qenë pilot i Marinës Amerikane.

Megjithëse Rush ishte liruar me nder nga Marina në vitin 2015, ai vazhdoi të pretendonte se ishte pjesë e rezervës së Marinës, thuhet në deklaratën nën betim.

“Që nga lirimi i tij me nder në shkurt 2015, Rush ka kërkuar 744 orë leje ushtarake në regjistrin zyrtar të orarit të punës, që përfaqësojnë rreth 77 mijë dollarë kompensim”, thuhet në dokument.

3sgIgLJ.png