Ballkani Perëndimor ende në “sallën e pritjes” të Bashkimit Europian
Në vitin 2003, Bashkimi Europian u premtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor se një ditë do të bëheshin pjesë e unionit.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe ato ende mbeten jashtë.
Pse vazhdojnë të presin? Dhe a do të vijë ndonjëherë ajo ditë?
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, këto janë të ashtuquajturat “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”. Të gjitha janë vende kandidate për anëtarësim në BE.
Megjithatë, që prej anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, “salla e pritjes” nuk është zbrazur.
Dhe që nga viti 2022, debati për zgjerimin është dominuar kryesisht nga çështja e Ukrainës.
Kjo ndodh pavarësisht faktit se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë qenë shumë më të avancuara në procesin e anëtarësimit sesa Ukraina.
Pra, cilat vende kanë më shumë gjasa të anëtarësohen të parat?
Për momentin, Mali i Zi duket më pranë anëtarësimit, i ndjekur nga Shqipëria.
Por edhe për këto vende, që konsiderohen më të avancuarat në proces, mbeten pengesa të rëndësishme.
Problemi më i vazhdueshëm në rajon është regresi demokratik, përfshirë korrupsionin sistemik dhe mungesën e transparencës.
Bisedimet e zhvilluara në Mal të Zi në muajin mars treguan se, megjithëse vendi ndodhet në “fazën finale” të procesit, Brukseli ende pret përshpejtim të reformave dhe ndërtim institucionesh të forta që mund të garantojnë demokracinë.
Rasti i Shqipërisë e pasqyron edhe më qartë këtë sfidë. Megjithëse kryeministri Edi Rama shpesh shihet si një figurë që përshtatet natyrshëm në tryezën e liderëve europianë, në realitet vendi i tij është zhvendosur drejt një shteti de facto njëpartiak që prej ardhjes së tij në pushtet trembëdhjetë vite më parë.
Sipas Transparency International, Shqipëria vijon të regjistrojë nivele të larta korrupsioni.
Regresi demokratik është përhapur në të gjithë rajonin. Të paktën kështu tregon Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025.
A mban BE-ja një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë?
Disa ekspertë mendojnë se po. Ata argumentojnë se disa aspekte të politikës së zgjerimit të BE-së kanë favorizuar prej kohësh stabilitetin e regjimeve më shumë sesa demokracinë.
Procesi funksionon kështu: BE-ja u ofron vendeve kandidate asistencë financiare dhe teknike, në mënyrë që ato të përshtasin të ashtuquajturin acquis communautaire, pra, legjislacionin dhe rregullat e Bashkimit Europian.
Por për shumë studiues, kjo sjell vetëm adoptim sipërfaqësor të normave dhe nuk arrin të ndryshojë realitetin politik të rajonit.
Së dyti, ritmi i ngadaltë i integrimit është vetë pjesë e problemit. Kur elitat në pushtet shohin se anëtarësimi nuk ka gjasa të realizohet gjatë karrierës së tyre politike, ato kanë pak motivim për të shtyrë përpara reforma të vështira.
Megjithatë, për Bashkimin Europian ka shumë në lojë.
Zvarritja e zgjerimit sjell edhe rreziqe gjeopolitike në rritje për Europën në tërësi, pasi fuqi të jashtme po përpiqen të forcojnë ndikimin e tyre në rajon.
Mjafton të shihet Serbia. Pavarësisht se është vend kandidat, mbështetja për anëtarësimin në BE atje është më e ulëta në rajon, vetëm 33 për qind.
Nën drejtimin e presidentit Aleksandar Vučić, vendi vazhdon të mbështetet te gazi rus dhe të thellojë bashkëpunimin me Kinën.
E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë dhe Hercegovinën, ku lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, mbështet hapur afrimin me Moskën.
Edhe Kina ka krijuar një prani të konsiderueshme në rajon, duke investuar 32 miliardë euro që nga viti 2014, kryesisht në projekte infrastrukture dhe energjetike.
Për të thyer ngërçin, po fitojnë terren qasje alternative.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë promovon atë që e quan “integrim operacional”, përfshirjen e institucioneve të Ballkanit Perëndimor në procese dhe agjenci të caktuara të BE-së pa u dhënë anëtarësim të plotë.
Vetëm pak ditë më parë, kancelari gjerman Friedrich Merz hodhi idenë e “vendeve të asociuara”, të cilat mund të marrin pjesërisht pjesë në negociatat e BE-së. Ai i referohej kryesisht Ukrainës.
Por ideja e anëtarësimit gradual diskutohet prej kohësh dhe mund të marrë më shumë mbështetje nëse ekziston vullnet politik brenda unionit.
Por duke u rikthyer te pyetja fillestare: kur mund t’i bashkohet Ballkani Perëndimor Bashkimit Europian?
Mali i Zi kishte shpresuar të bëhej anëtar që në vitin 2028, pra, pas vetëm dy vitesh. Por ky afat mund të rezultojë i vështirë për t’u arritur, për të gjitha arsyet që përmendëm.
Prandaj, fillimi i viteve 2030 duket më realist, megjithëse nuk ka absolutisht asnjë garanci.
Edhe vetë Bashkimi Europian duhet të zgjidhë disa çështje të brendshme përpara se të pranojë anëtarë të rinj, përfshirë çështjen e vendimmarrjes me unanimitet në fusha të caktuara./Euobserver

