Lajme

Sinjali fatal i Trumpit për Putinin

Presidenti amerikan po tërheq trupa nga Gjermania dhe po i zhvendos në Poloni. Arsyetimi i tij i jep Kremlinit një mesazh problematik…

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thotë se riorganizimi i trupave amerikane në Europë “nuk është ndëshkim”. Kjo dukshëm nuk është plotësisht e vërtetë. Presidenti Donald Trump njoftoi tërheqjen e 5000 ushtarëve nga Gjermania vetëm pasi u zemërua me deklaratat e kancelarit gjerman për strategjinë e tij ndaj Iranit. Dhe tani Trump e ka justifikuar zhvendosjen e po aq ushtarëve drejt Polonisë me faktin se atje fitoi zgjedhjet presidenciale Karol Nawrocki, kandidati që ai mbështeti.

Kjo nuk është “thjesht një proces i vazhdueshëm” për rishikimin e pranisë globale të trupave amerikane, siç thotë Rubio.

Është politikë e jashtme sipas mënyrës së Trumpit: kush më përkëdhel, fiton mbështetjen time; kush më kritikon, ndien zemërimin tim.

Shumë larg Nenit 5

Në Europë tashmë është bërë zakon që këto kthesa shpesh të çrregullta të Trumpit të injorohen ose të minimizohen. Edhe në këtë rast mund të veprohet kështu. Shumë gjëra mbeten ende të paqarta, por në parim do të ishte një lajm i mirë nëse kontingjenti amerikan në Poloni nuk do të zvogëlohej, siç dukej e mundshme vetëm pak ditë më parë. Sot Polonia është një nga shtetet e vijës së parë të NATO-s, dhe jo më Gjermania si gjatë Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, pjesë e suksesit të parandalimit ushtarak është edhe komunikimi strategjik. Edhe një herë Trump po i dërgon Moskës një sinjal fatal: një përfundim që Putini mund të nxjerrë nga lëvizjet kontradiktore të javëve të fundit është se vullneti i Trumpit për të mbrojtur një aleat varet, në fund të fundit, nga fakti nëse atij i pëlqen apo jo udhëheqja politike e atij vendi. Kjo është shumë larg Nenit 5 të NATO-s, i cili e lidh detyrimin për ndihmë vetëm me një sulm të armatosur.

Dhe kjo vjen pas tensioneve të fundit që, edhe më vete, kanë qenë të mjaftueshme për të tronditur kohezionin e aleancës: afrimi i Trumpit me Putinin, çështja e Grenlandës dhe Irani.

Mesazhi për Europën është i qartë: në rastin më të mirë, bëhet fjalë ende për krijimin e një ndarje të re përgjegjësish brenda NATO-s, ku europianët marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë konvencionale të kontinentit të tyre.

Europa duhet të bëhet ushtarakisht e pavarur nga Amerika, sa më shpejt dhe sa më plotësisht të jetë e mundur. /Përshtatur nga FAZ/

3sgIgLJ.png