Lajme

Si pastrohen paratë në Shqipëri?

AIF referoi 269 raste në vitin 2025 te Policia, Prokuroria dhe Tatimet; raportimet për transaksione të dyshimta u rritën me 8%, ndërsa skemat më të përdorura lidhen me ndërtimin, bizneset fiktive, transfertat ndërkombëtare dhe evazionin fiskal.

Agjencia e Inteligjencës Financiare ka zbardhur në raportin vjetor për vitin 2025 mënyrat kryesore se si dyshohet se pastrohen para në Shqipëri, duke evidentuar një panoramë të gjerë skemash që përfshijnë pasuri të paluajtshme, kompani të regjistruara përkohësisht, blerje luksi, vepra arti, transaksione me POS, transferta ndërkombëtare dhe përdorim të llogarive personale për aktivitet tregtar të padeklaruar.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 në AIF janë dërguar 1,759 raporte për aktivitet të dyshimtë nga subjektet raportuese. Krahasuar me vitin 2024, numri i raportimeve është rritur me rreth 8%.

Burimi kryesor i raportimeve mbeten bankat, noterët dhe shoqëritë e transfertave. Rritje të ndjeshme kanë pasur raportimet nga bankat me 4.5%, nga noterët me 17.7%, nga zyrat kadastrale pothuajse trefishim, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pothuajse pesëfishim dhe nga subjektet e mikrokredisë me 62%.

Nga ana tjetër, raportimet nga shoqëritë e transfertave kanë rënë me 9.3%, por ato vijojnë të mbeten një nga burimet kryesore të sinjalizimeve për transaksione të dyshimta.

269 raste u dërguan për hetim

Gjatë vitit 2025, AIF ka dërguar 269 raste pranë institucioneve ligjzbatuese dhe tatimore. Nga këto, 133 raste janë dërguar në Policinë e Shtetit, 56 në Prokurori dhe 80 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas raportit, 225 nga këto raste kanë pasur si indicie fillestare raportimet për aktivitet të dyshimtë. Kjo do të thotë se rreth 83% e rasteve të referuara kanë nisur nga sinjalizimet e subjekteve të ligjit, kryesisht bankave, noterëve dhe institucioneve të tjera financiare.

Si pastrohen paratë në Shqipëri? Nga vilat luksoze, te

Pjesa tjetër është gjeneruar nga analiza strategjike, burime të hapura, kërkesa nga institucionet ose bashkëpunimi me njësi partnere të inteligjencës financiare.

AIF ka dërguar gjithashtu 57 informacione në SHISH për çështje të dyshuara si objekt i përbashkët interesi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Narkotikët, evazioni dhe mashtrimet dominojnë dosjet

Në klasifikimin e veprave të origjinës për vitin 2025, vendin e parë e zënë rastet ku vepra penale nuk është përcaktuar ende. Kategoria “nuk dihet” përfshin 83 raste, çka tregon se në një pjesë të madhe dosjesh AIF ka konstatuar anomali financiare, por ende nuk është identifikuar krimi që ka gjeneruar fondet.

Pas kësaj kategorie, numrin më të lartë e kanë rastet që lidhen me prodhimin, shitjen ose trafikimin e lëndëve narkotike, me 41 raste.

Evazioni fiskal dhe fshehja e të ardhurave zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm. Për vitin 2025 janë identifikuar 85 raste që lidhen me vepra penale në fushën e tatim-taksave ose dyshime për evazion fiskal.

Mashtrimi, mashtrimi financiar dhe mashtrimi kompjuterik figurojnë në 12 raste. Ndërsa 10 raste lidhen me persona me precedentë të mëparshëm kriminalë ose procedime të mëparshme.

Raste të tjera lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, ndikimin e paligjshëm, trafikimin e qenieve njerëzore, falsifikimin, vjedhjet, kontrabandën dhe veprimet financiare nga organizata kriminale.

Pastrimi i parave përmes pasurive të paluajtshme

Një nga tipologjitë më të forta të evidentuara nga AIF është investimi në pasuri të paluajtshme me burime fondesh të panjohura ose të pajustifikuara.

Në një rast konkret, një shtetas rezulton se nga viti 2021 deri në vitin 2025 ka blerë pasuri të paluajtshme në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kavajës. Fillimisht ai ka blerë në Kavajë 7,500 metra katrorë truall për 260 mijë euro dhe ka përfituar edhe 1,500 metra katrorë përmes dhurimit.

Më pas, në vitin 2022, ka blerë në Prezë 8,400 metra katrorë me çmim 520 lekë për metër katror. Gjatë viteve 2023-2025, ai ka kryer investime të shumta në zonën e Dajtit, ku ka përfituar 56 mijë metra katrorë tokë arë me çmime që varionin nga 4 deri në 21 euro për metër katror.

Sipas AIF, anomalia kryesore është se një pjesë e këtyre pronave janë blerë me çmime shumë më të ulëta se tregu dhe më pas janë rishitur brenda një kohe të shkurtër me vlera shumë herë më të larta.

Në një rast, një tokë arë prej 6,200 metra katrorësh është blerë për 30 mijë euro dhe më pas është shitur për 423 mijë euro. Në një rast tjetër, një tokë prej 1,850 metra katrorësh është blerë për 15 mijë euro dhe më pas është shitur për 180 mijë euro.

AIF ngre dyshime se këto lëvizje mund të jenë përdorur për të justifikuar fonde të panjohura, duke krijuar në letër fitime të mëdha nga shitblerja e pronave.

Shoqëri ndërtimi, toka dhe makineri të pajustifikuara

Në të njëjtin rast, shtetasi kishte regjistruar edhe një shoqëri ndërtimi dhe gërmimi, përmes së cilës kishte përfituar rreth 52 mijë metra katrorë pasuri në Petrelë dhe 16 mijë metra katrorë në Mullet.

Edhe këtu, sipas AIF, pronat ishin përfituar me çmime shumë të ulëta për metër katror. Shoqëria, ndonëse e krijuar rishtazi, kishte raportuar fitime deri në 1.7 milionë euro dhe kishte një numër të konsiderueshëm makinerish të regjistruara që në vitin e parë të aktivitetit.

Kjo ka ngritur dyshime mbi burimin e financimit të makinerive, origjinën reale të fondeve dhe përdorimin e shoqërisë si instrument për qarkullimin e parave.

Llogaritë personale si biznes i fshehtë online

Një tjetër skemë e evidentuar nga AIF lidhet me përdorimin e llogarive personale për aktivitet tregtar të paregjistruar.

Në një rast, një shtetas shqiptar kishte hapur llogari bankare ku gjatë periudhës 2024-2025 ishin konstatuar depozitime prej rreth 300 mijë eurosh nga ai vetë dhe nga persona të tjerë.

Nga verifikimet doli se një pjesë e personave ishin familjarë ose të afërm. Më pas, nga kontrolli në bankat e tjera, u zbulua se në total ishin depozituar rreth 1.9 milionë euro.

Sipas AIF, skema funksiononte përmes kartave të parapaguara, që përdoreshin për blerje produktesh luksi në shtete të ndryshme. Fondet kalonin në llogari personale, transferoheshin në karta Mastercard dhe më pas përdoreshin për blerje online.

Një element tjetër i dyshimtë ishte përfitimi i rreth 350 mijë eurove si rimbursim TVSH-je nga kompani si “Planet Tax Free” dhe “Global Blue Tax Free”.

Nga verifikimet rezultoi se personi kishte regjistruar një subjekt me objekt “shitje veshjesh online”, por për vitin 2024 kishte deklaruar zero të ardhura dhe në fillim të vitit 2025 e kishte çregjistruar aktivitetin.

AIF dyshon se kemi të bëjmë me një aktivitet tregtar të paregjistruar, me qarkullim të madh parash, pa deklarim të ardhurash dhe me përfitim të dyshimtë të rimbursimeve të TVSH-së.

Vila në bregdet, vepra arti dhe para nga juridiksione offshore

Raporti evidenton edhe një rast ku pastrimi i parave dyshohet të jetë kryer përmes blerjes së pasurive të paluajtshme dhe veprave të artit me fonde ndërkombëtare.

Dy shtetase, me shtetësi shqiptare dhe kombësi të huaj, kanë kryer gjatë vitit 2025 blerje me vlera të larta në Shqipëri. Njëra prej tyre, vetëm 18 vjeç, ka blerë një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milionë euro.

Financimi për blerjen ishte siguruar nga motra e saj, 40 vjeç, rezidente në një vend me lehtësira fiskale. Fondet kishin ardhur nga një llogari bankare në një shtet të Afrikës Jugore, i konsideruar me risk të shtuar për korrupsion dhe ekonomi informale.

Më pas, vetë motra ka blerë një tjetër vilë në bregdet me vlerë 1.7 milionë euro, të financuar nga një llogari në një tjetër vend me lehtësira fiskale.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ajo rezulton të ketë investuar edhe rreth 700 mijë euro në vepra arti në Shqipëri.

Sipas AIF, fondet vinin nga kompani të lidhura me lojërat online në Seychelles dhe në një tjetër juridiksion me lehtësira fiskale. Nga bashkëpunimi me njësi partnere të inteligjencës financiare rezultoi se një prej kompanive ishte çregjistruar që në vitin 2023, ndërsa bashkëshorti i njërës prej shtetaseve rezultonte i përfshirë në aktivitete të paligjshme të lidhura me krimin e organizuar.

AIF e ka dërguar rastin për hetim, duke ngritur dyshime për përdorimin e kompanive offshore, qarkullim fondesh përmes disa juridiksioneve dhe investim të parave në prona luksi e vepra arti.

Kompanitë e marketingut online si kanal për fonde ndërkombëtare

Një tjetër tipologji e rëndësishme lidhet me përdorimin e shoqërive të lidhura për qarkullimin e fondeve ndërkombëtare në sektorin e marketingut online.

Sipas raportit, 11 shoqëri të regjistruara në Shqipëri kanë përfituar transferta në vlerë totale 3.74 milionë euro nga shtete të ndryshme të Europës dhe Azisë.

Analiza tregoi se këto kompani kishin lidhje mes tyre. Ato ushtronin të njëjtin aktivitet, kishin administratorë, ortakë ose përfaqësues të përbashkët dhe ishin regjistruar në vitin 2024, për t’u çregjistruar brenda gjashtë muajve ose brenda të njëjtit vit.

Nga bashkëpunimi me organet tatimore rezultoi se disa prej këtyre shoqërive ishin referuar për fshehje të ardhurash dhe mospagim taksash.

AIF komunikoi edhe me njësi partnere në 7 vende të ndryshme. Nga informacionet e ardhura u konstatuan anomali si qarkullim fondesh shumë herë më i lartë se deklarimet, përdorim i llogarive për kalime tranzitore, transferta pa dokumentacion justifikues dhe çregjistrim i subjekteve menjëherë pas aktivitetit financiar.

Ky model tregon një skemë të mundshme ku kompani me jetë të shkurtër përdoren si fasadë për të marrë dhe shpërndarë fonde ndërkombëtare, pa aktivitet real ekonomik.

Persona me precedentë kriminalë blejnë prona jashtë vendit

Raporti përmend edhe raste ku persona me precedentë penalë përdorin transferta, hua dhe dhurata nga persona të tretë për të blerë pasuri të paluajtshme.

Në një rast, një shtetas kishte depozituar 50 mijë euro në llogarinë e tij dhe kishte përfituar 75 mijë euro të tjera nga persona të tretë si hua ose dhuratë. Më pas ai kishte transferuar 120 mijë euro në një vend europian për blerje prone.

Nga verifikimet rezultoi se personi kishte ndryshuar gjeneralitetet dhe kishte precedent penal në fushën e narkotikëve.

Rasti është referuar në Prokurori për fshehje të ardhurash dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Mashtrimi me POS dhe tentativa për të kaluar mbi 1 milion euro

Një nga skemat më të veçanta të raportit lidhet me transaksione POS.

Një shoqëri shqiptare, e regjistruar për import-eksport dhe tregtim mallrash, krijoi marrëdhënie me një bankë në dhjetor 2024. Pak ditë më vonë vendosi në punë dy terminale POS dhe nisi testime me një kartë të huaj të lëshuar nga një bankë në Belgjikë.

Më 26 dhjetor 2024, shoqëria krediton llogarinë përmes POS me 96 mijë euro dhe tërheq pjesën më të madhe të shumës, rreth 83 mijë euro.

Më 31 dhjetor, llogaria kreditohet sërish me 152 mijë euro. Po atë ditë, shoqëria tenton të kreditojë edhe 790 mijë euro të tjera, por transaksionet bllokohen nga Mastercard International.

Në total, vlera e transaksioneve të kryera dhe të tentuara arrinte mbi 1 milion euro.

Shoqëria i justifikoi këto transaksione me fatura tatimore në favor të një subjekti belg, sipas një marrëveshjeje për shërbime si eskortë, makina me qira dhe makina VIP me qira, me vlerë totale 2.5 milionë euro.

Por AIF konstatoi se aktiviteti “agjenci turistike, udhëtimesh” ishte shtuar vetëm një muaj para transaksioneve. Po ashtu, shërbimet e pretenduara nuk përputheshin me aktivitetin historik të shoqërisë shqiptare.

Për këtë arsye, AIF dyshon se kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi financiar dhe potencialisht edhe me shkelje fiskale.

Kur vepra penale nuk identifikohet, ndiqet paraja

Një nga gjetjet më domethënëse të raportit është se në shumë raste nuk identifikohet menjëherë vepra penale që ka prodhuar fondet. Megjithatë, AIF thekson se kjo nuk e ndalon referimin e rasteve.

Në këto raste, institucioni ndjek parimin “ndiq paranë”. Nëse fondet nuk kanë burim të ligjshëm të dokumentuar, nëse transaksionet nuk kanë logjikë ekonomike, nëse mungon dokumentacioni justifikues ose nëse lëvizjet financiare ngjajnë me tipologji të njohura të pastrimit të parave, dosja dërgohet për verifikim të mëtejshëm.

Kjo është arsyeja pse kategoria “nuk dihet” mbetet më e larta edhe në vitin 2025, me 83 raste.

Sektorët më të rrezikuar

Nga raporti del se sektorët më të ekspozuar ndaj pastrimit të parave janë pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, transfertat ndërkombëtare, tregtia online, shërbimet financiare, veprat e artit, lojërat online, marketingu digjital dhe kompanitë me jetë të shkurtër.

Në veçanti, pasuritë e paluajtshme mbeten një nga kanalet më të përdorura. Çmimet nën treg, rishitjet e shpejta, blerjet përmes kompanive, kontratat e sipërmarrjes, dhurimet, huatë nga persona të tretë dhe përdorimi i parave nga jashtë janë disa nga mekanizmat e konstatuar.

Raporti tregon gjithashtu se pastrimi i parave nuk kryhet më vetëm përmes depozitimeve cash, por përmes skemave më komplekse që përfshijnë karta të parapaguara, POS, kompani të huaja, juridiksione offshore, rimbursime TVSH-je, fatura fiktive dhe aktivitete të regjistruara vetëm për të krijuar mbulim formal.

Raporti i AIF për vitin 2025 tregon se pastrimi i parave në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, duke kaluar nga format klasike të depozitimit të parave cash drejt skemave të ndërlikuara me prona, kompani, shërbime digjitale dhe fonde ndërkombëtare.

Megjithatë, të dhënat tregojnë edhe një rritje të raportimeve dhe referimeve pranë institucioneve. Sfida kryesore mbetet hetimi deri në fund i këtyre rasteve dhe identifikimi i veprës penale që qëndron pas fondeve të dyshimta. /Pamfleti

3sgIgLJ.png