Lajme

Europa duhet t’i përgjigjet ‘telefonatës’ së Kissinger-it!

Shkruar nga Massimo Sideri

Shpesh dëgjojmë të thuhet se Europa është një enë balte manzoniane, e shtypur mes dy enëve prej hekuri, SHBA-së dhe Kinës…

Sipas një batute që i atribuohet Henry Kissinger-it, kur Europa mori formë si projekt politik, ajo u përshëndet me këtë ironi: cili është numri i telefonit për të folur me të? Duke pranuar se të kesh një president të vetëm me të cilin të komunikosh nuk është gjithmonë avantazh, çdo referencë ndaj Shteteve të Bashkuara është e qëllimshme, kjo thënie, ndoshta apokrife, na kujton se betejat fitohen edhe me armët mediatike.

Shpesh dëgjojmë të thuhet se Europa është një enë balte manzoniane, e shtypur mes dy enëve prej hekuri, SHBA-së dhe Kinës. Ose se: Shtetet e Bashkuara krijojnë, Kina kopjon, ndërsa Europa vetëm rregullon. Një nga përmbledhjet më banale të botës. Megjithatë, aq efektive sa qarkullon, kudo helmon debatet publike.

Rezultati është se jetojmë me ndjesinë se e ardhmja jonë tashmë është kolonizuar. Një skenar i shkruar nga të tjerët, të cilin ne duhet vetëm ta interpretojmë. Kjo është forca e propagandës: edhe te “Konti i Monte Kristos” thuhet se një njeri me telegrafin do të ishte tashmë më i fuqishëm se Napoleoni me shpatën e tij. Pikërisht për këtë arsye duhet të rikuperojmë disa narrativa të afta për të fituar terren në tregun e ideve, duke nisur nga faktet, sigurisht.

Si, për shembull, statistikat mbi superkompjuterët që përdoren për trajnimin e inteligjencës artificiale. Europa, në Gjermani, ka “përbindëshin” e saj të parë teknologjik, të aftë të kryejë mbi një kuadrilion operacionesh në sekondë. Vetë Italia ka dy kompjuterë në dhjetëshen më të mirë botërore: HPC6 i Eni-t dhe Leonardo i Cineca-s.

Historia pas këtyre sukseseve? Mjafton ta njohësh. Enrico Fermi, pas Luftës së Dytë Botërore, u kthye në Itali dhe dha një këshillë: kompjuterët do të ishin kufiri i ri i progresit shkencor dhe teknologjik. Ai nuk u dëgjua menjëherë. Por ajo ide gjeti rrugën e saj, duke çuar drejt projekteve të makinës llogaritëse pisane, Olivetti-t dhe superkompjuterëve.

Siç shkruante Keynes, i cili nuk ishte aspak i prirur ndaj romantizmit, nuk ekziston ndonjë arsye shkencore pse një sipërmarrës optimist duhet të ketë më shumë sukses se një pesimist. Megjithatë, optimisti ka më shumë gjasa t’ia dalë. Kjo vlen edhe për kombet./“Corriere della Sera”

3sgIgLJ.png