Fluturimi i një prej avionëve më të mëdhenj të mallrave në botë drejt Prishtinës nuk figuroi në regjistrat online. Autoritetet në Kosovë nuk dhanë shpjegime, ndërsa Gjermania refuzoi të komentojë mbi transportet ushtarake.
Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka ngjallur interes dhe pikëpyetje në Kosovë, ndërsa ende nuk dihet zyrtarisht arsyeja e uljes së njërit prej avionëve më të mëdhenj të transportit në botë.
Avioni me regjistrimin UR-82008 u ul më 6 maj në aeroportin e Prishtinës, por fluturimi i tij nuk u shfaq në regjistrat online të fluturimeve komerciale, duke shtuar misterin rreth misionit të tij.
Radio Evropa e Lirë raportoi se ka kërkuar informacion nga Aeroporti i Prishtinës për mbërritjen e avionit të prodhimit ukrainas, por nuk ka marrë përgjigje. Edhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës deklaroi se nuk posedon informacione zyrtare lidhur me këtë fluturim.
Pamjet e uljes së avionit gjigant janë publikuar nga fotografi i njohur kosovar Arian Mavriqi, si dhe nga entuziastë të aviacionit, vendorë dhe të huaj, të cilët kanë shpërndarë fotografi dhe video në rrjetet sociale.
Sipas aludimeve të publikuara nga ndjekës të aviacionit, Antonov An-124 besohet se ka ardhur nga një bazë ajrore në Gjermani dhe mund të ketë transportuar pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Megjithatë, nga KFOR-i nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me këtë çështje.
Edhe Ministria gjermane e Mbrojtjes shmangu konfirmimin ose mohimin e misionit të avionit.
“Si çështje parimore dhe pavarësisht nga pyetja specifike, ne nuk komentojmë transportet ushtarake”, deklaroi një zëdhënës i ministrisë për REL-in.
Megjithatë, pala gjermane konfirmoi se forcat e armatosura të Gjermanisë përdorin shërbimet e transportit të kompanisë Antonov.
“Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH përdoren për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe të aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes gjermane.
Antonov Airlines është pjesë e kompanisë shtetërore ukrainase Antonov Company me seli në Kiev dhe operon një flotë avionësh transporti për mallra të rënda dhe pajisje ushtarake.
Avionët An-124 Ruslan konsiderohen ndër më të mëdhenjtë në botë për transportin ajror dhe mund të mbajnë ngarkesa deri në 150 tonë.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, dy avionë të këtij tipi përdoren përmes kompanisë Antonov Logistics SALIS GmbH për transportet e NATO-s dhe vendeve të Bashkimit Europian në situata emergjente apo operacione të lidhura me sigurinë.
Për shkak të luftës në Ukrainë, qendra operative për planifikimin dhe mirëmbajtjen e avionëve është zhvendosur përkohësisht në Leipzig të Gjermanisë.
Kjo nuk është hera e parë që Antonov An-124 zbret në Kosovë. Aeroporti i Prishtinës kishte publikuar më herët fotografi të avionit gjatë një vizite në vitin 2016, ndërsa grupi BBKRspotters kishte regjistruar një tjetër ulje të tij në janar të vitit 2024.
Deri tani, as kompania Antonov Airlines nuk ka dhënë shpjegime për fluturimin e fundit drejt Kosovës, duke lënë të hapura spekulimet se bëhet fjalë për një operacion logjistik të lidhur me NATO-n ose KFOR-in.

